Studentë të Fakultetit të Mjekësisë janë ankuar për shtyrje të kohës së diplomimit, shkaku që një numër profesorësh nuk ua dërgojnë në dosje fletëparaqitjet që dëshmojnë përfundimin e provimeve. Ata thonë se u duhet që vetë të vrapojnë pas profesorëve për t’i kompletuar dosjet, ndonëse kjo punë do të duhej të kryhej nga ta ose administrata
Edhe pse i kanë përfunduar të gjitha provimet në afat, studentë të Fakultetit të Mjekësisë ankohen se po përballen me pengesa burokratike për t’i përmbyllur studimet.
Ata thonë se, për shkak të pakujdesisë së disa profesorëve, po hasin vështirësi në kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm për diplomim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjë studente në përfundim të vitit të gjashtë të studimeve, e cila ka folur në kushte anonimiteti, tregon se nga 63 provime të përfunduara, i kanë munguar në dosje rreth 25 fletëparaqitje të provimeve.
“Më kanë munguar rreth 25-26 dhe këto fletëparaqitje supozohet me qenë si dëshmi që e kemi përfunduar provimin në atë afat dhe te ai profesor”, ka thënë ajo.
Ajo përmend disa nga lëndët ku, sipas saj, ka pasur më së shumti probleme.
“Secili prej kolegëve të mi që kemi qenë që kemi përfunduar Ndihmën e Parë, Kirurgjinë ose Mjekësinë Urgjente në katedrën e Kirurgjisë, aty kanë munguar”, ka theksuar studentja.
Me të njëjtin problem thotë se është përballur edhe një ish-studente e këtij fakulteti.
“Profesorët nuk i kanë dërguar fletëparaqitjet në administratë në momentin kur nota të ka dalë në SEMS. Tash ajo bie detyrë e jona. Ne me shku me i gjetë profesorët ku e kemi kryer lëndën, në mënyrë që ata me i nënshkru fletëparaqitjet dhe në mënyrë që tani ne me u kthy në administratë dhe me e plotësu dosjen. Normal kjo punë është e profesorëve edhe e administratës”, ka thënë ajo.
E, kryetari i Këshillit të Studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, Besfort Racaj, thotë se janë pranuar dhjetëra ankesa dhe se në muajin mars ato i janë adresuar menaxhmentit të fakultetit.
“Ne kemi marrë një gatishmëri të menaxhmentit që kanë me e adresu te profesorët, mirëpo nuk kemi parë reflektim prej anës së profesorëve, kështu që ka ardhë puna deri në momentin kur studentët janë përballë edhe me agresivitet ose injorime të shumta prej profesorëve të ndryshëm. Kjo për neve ka qenë e papranueshme”, ka thënë Racaj.
Në Fakultetin e Mjekësisë nuk janë përgjigjur gjatë javës së shkuar lidhur me ankesat e studentëve.
E Racaj thotë se situata po ndikon drejtpërdrejt në procesin e diplomimit të studentëve.
“Çka është edhe shqetësuese, se ka rast kur fletëparaqitjet mungojnë me vite të tëra dhe studentët e vitit të gjashtë për shembull të Mjekësisë së Përgjithshme duhet të kërkojnë nënshkrime nga profesorët që kemi mbajtë provimin në vitin e dytë apo edhe më keq”, është shprehur Racaj.
Studentët janë ankuar se, shkaku i dosjeve të pakompletuara, atyre u shtyhet edhe koha e diplomimit.