Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Supremja e lë në paraburgim të akuzuarin për krime lufte, Ramadan Morina

Ramadan Morina

Gjykata Supreme ka njoftuar se e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga avokati i të akuzuarit për krime lufte Ramadan Morina, kundër vendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit për masën e paraburgimit ndaj tij.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në njoftimin e Supremes thuhet se me këto vendime, gjykatat e instancave më të ulëta i kishin vazhduar të pandehurit masën e paraburgimit për dy muaj, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile.

“Gjykata Supreme vlerëson se ekziston bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit, për shkak të rrezikut të ikjes së të pandehurit, duke marrë parasysh rrethanat e rastit, përfshirë faktin se i pandehuri ka ndryshuar disa adresa të banimit, ka vendbanim të përhershëm jashtë Kosovës dhe posedon dy shtetësi, gjë që mund të lehtësojë shmangien nga ndjekja penale, veçanërisht duke pasur parasysh mungesën e bashkëpunimit juridik ndërmjet Kosovës dhe vendit tjetër”, thuhet në njoftim.

Gjykata Supreme, gjithashtu konstaton se nuk qëndrojnë pretendimet për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që paraburgimi është caktuar me vendim të gjykatës kompetente dhe në përputhje me dispozitat ligjore, ndërsa procedura penale është ende në fazën fillestare.

Ramadan Morina në seancën gjyqësore të mbajtur në dhjetor është deklaruar i pafajshëm, lidhur me akuzat për krime lufte. Sipas aktakuzës, i pandehuri Morina më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.