Publicisti Veton Surroi ka thënë se Serbia po kalon përmes një procesi të ngjashëm me përmbysjen paqësore të komunizmit në Evropën Qendrore dhe se ky moment historik duhet të shfrytëzohet për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.
Në një bisedë në podcastin PIKË me Natasha Kandiq, themeluesen e Fondit për të Drejtën Humanitare, Surroi u shpreh se përmbysja në Serbi nuk është vetëm çështje e ndërrimit të pushtetit, por e vetë natyrës së tij – nga një sistem autoritar në një model demokratik të mirëfilltë.
“Kur të ndodhë kjo, serbët e Kosovës, që ende varen në forma të ndryshme nga pushteti në Beograd, mund të çlirohen nga kjo varësi. Do të krijohen raporte të reja”, theksoi ai.
Kandiq ndërkohë vuri në pah se në Kosovë ekziston aktualisht një bllokadë politike dhe se kishte pritur më shumë nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, veçanërisht në drejtim të integrimit të serbëve dhe trajtimit të minoriteteve.
“Kur isha këtë verë në Grackën e Vjetër, serbët më thoshin: 'E donim më shumë Thaçin sesa Kurtin, sepse ai të paktën vinte tek ne'”, tregoi ajo.
Ajo kritikoi gjithashtu presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke thënë se shpreh publikisht urrejtje ndaj studentëve dhe grupeve të caktuara shoqërore, ndërsa institucionet nuk reagojnë.
“Studentët janë të vendosur për ndryshim, kanë arritur deri në artikulim politik, por sistemi thjesht nuk funksionon”, ka potencuar Kandiq.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se ndryshimi i sistemit në Serbi dhe një qasje më e hapur dhe përfshirëse në Kosovë mund të hapin rrugën për ndërtimin e marrëdhënieve të reja ndërmjet shumicës dhe komuniteteve jo-shumicë, si dhe për përballje më të thellë me të kaluarën.
