Arbëri

Surroi: Kosova është shoqëri multietnike, jo shtet multietnik

Veton SUrroi

“Kosova është shoqëri multietnike dhe jo shtet multietnik”, kështu ka deklaruar publicisti Veton Surroi në emisionin “Konfront” duke iu referuar Kushtetutës së Kosovës.

Surroi i cili ishte edhe anëtar i delegacionit kosovar në takimin e Vjenës, thotë se Kushtetuta e Kosovës është ndër më të avancuarat në Evropë dhe i saktëson qartë të drejtat që i përkasin komunitetit serb dhe komuniteteve tjera jo-shumicë.

“Ne kemi pasë një debat shumë të madh lidhur me këtë gjatë debatit të Vjenës, se a jemi shtet multietnik apo jemi shoqëri mulietnike. Në fund ka dominuar ky version sepse shteti multietnik ka pasur interpretime të tjera, të ndarjes së pushteteve. Shteti multietnik në atë formën që është biseduar, i ka përngjarë më shumë Bosnje Hercegovinës apo Libanit, të ndarjes së pushtetit sipas etnisë dhe Kosova nuk i përngjan në asnjë formë asnjërës prej tyre”, ka thënë ai.

Sipas publicistit Surroi, çdo diskutim në publik është i mirëseardhur por nuk diskutohet gjithmonë për themelet e Republikës së Kosovës sepse nuk ekziston territorialitet multi-etnik.

Ai theksoi se asociacioni është refuzuar qysh atëherë në procesin e Vjenës pavarësisht se është ofruar dhe se po të kishte, Surroi deklaroi se do të tërhiqej nga ekipi negociator.

 


Surroi: Pavarësisht pezullimit të nisjes së dialogut strategjik, me ndihmën e SHBA-së, FSK-ja po ndërtohet si ushtri

Publicisti i mirënjohur, Veton Surroi, ka thënë se pavarësisht se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar nisjen e dialogut strategjik, Forca e Sigurisë së Kosovës po ndërtohet në një ushtri të standardeve të NATO-s, me ndihmën e SHBA-së dhe shteteve tjera.

Në emisionin “Konfront” ka deklaruar se shumë shtete të cilat e zhvillojnë dialogun strategjik me SHBA-në, zhvillojnë fusha të ndryshme të interesit.

Ai ka thënë se “për ne, një fushë e dialogut strategjik, pa marrë parasysh a u zhvillua apo jo, është duke u ndërtuar, kjo është pjesa e ndërtimit të FSK-së në një ushtri të standardeve të NATO-s. Kjo bëhet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  Britaninë e Madhe, Turqinë dhe shumë shtete që e ndihmojnë këtë transformim”.

Surroi ka vlerësuar se duhet rikthyer te diplomacia, kontakti dhe ndërtimi i marrëdhënieve, duke shtuar se nuk ka  nevojë për panik.

“Është mes miqëve, jepet një sinjal, ai sinjal duhet të pranohet i tillë siç është dhe duhet korrigjuar bashkërisht formën e komunikimit”, ka thënë ai.