Arbëri

Demjaha: Vetëm 30% e Planit Zhvillimor të Prishtinës është zbatuar, nivel i turpshëm

Bujar Demjahaj

Arkitekti Bujar Demjaha ka vlerësuar se niveli i zbatimit të planeve zhvillimore në komunat e Kosovës është tejet i ulët, duke e cilësuar gjendjen në Prishtinë si alarmuese dhe të papranueshme.

Sipas Demjahajt, Plani Zhvillimor i Prishtinës që aktualisht është në fuqi është i vjetruar dhe nuk i përgjigjet më realitetit të zhvillimit urban të kryeqytetit.

“Planet shumë pak implementohen në komunat e Kosovës, kryesisht për shkak të ndërrimit të qeverive. Plani Zhvillimor i Prishtinës, ai i vjetri që është ende në fuqi, i ka skaduar objektivat qendrore. Qyteti është zhvilluar dhe ka sfida të reja”, ka deklaruar ai në “Konfront” të KTV-së..

Demjahaj theksoi se vetëm rreth 30 për qind e këtij plani është zbatuar, një nivel që e konsideron të turpshëm.

“Si banor i Prishtinës dhe si menaxher i këtij projekti, vlerësoj se rreth 30% e Planit Zhvillimor është realizuar. Kjo është brengosëse dhe në nivel të turpit”, u shpreh arkitekti.

Ai gjithashtu paralajmëroi vështirësi serioze në miratimin e Planit Hapësinor të Kosovës, duke theksuar se ky proces do të jetë i ndërlikuar për shkak të interesave të mëdha dhe nevojës për vota në Kuvend.

“Plani Hapësinor e organizon tërë hapësirën e Kosovës dhe për këtë arsye është shumë i vështirë për t’u miratuar. Ka interesa të mëdha dhe do të jetë e vështirë të kalojë. Me shumë gjasë do të detyrohemi të vazhdojmë të punojmë me planin e vjetër”, përfundoi Demjaha.

Shita: Zhvarrosja e një pjese të lumit në Prishtinë është në proces
 

Arkitekti Arbër Shita ka thënë se një pjesë e lumit në Prishtinë, nga lagja ‘Lakrishtë’ është në proces të zhvarrosjes. 

“Është një pjesë që edhe sot komplet mund të zbulohet. Ne kemi investitorin që është i gatshëm me investuar paralel me ndërtimin e tij, në një pjesë në segmentin e lumit. Është gati të bëhet realitet. Është në proces të projektimit të objektit, që do të shkojë në filtra të caktuar të Komunës, një pjesë e projektit parasheh investimin në krahun e zhvarrosjes së lumit dhe të bëhet shtrati me u ngrit uji lartë”, ka thënë Shita. 

Ai ka thënë se disa zhvarrosje janë thuajse të pamundura shkaku i shpronësimeve. Por, ka thënë që krahu që vjen nga Gërmia e gati te zona historike e qytetit është e mundur. 

“Por, nuk mund të investojmë në zbulim të lumit e këndej nuk i kemi ende kolektorët e kanalizimeve të përfunduara. Prioritetet janë ato që janë jetike”, ka thënë Shita. 

E arkitekti Bujar Demjaha ka thënë se është prej gabimeve që janë bërë dhe po bëhen, mbulimi i lumenjve. 

“Në të ardhmen duhet të mendojmë që politikat e mbulimit të lumenjve të ndryshohen”, tha Demjaha. 
 


Shita: Na duhet mënyra e taksimit gjerman për sipërfaqet e mbuluara

Arkitekti Arbër Shita ka thënë se për nevoja të Komunës së Prishtinës është bërë një projekt lidhur me depozitat e ujërave. Ai ka thënë se objektet e reja që do të marrin leje do të kenë depozita të veçanta. 

“Për nevoja të Komunës së Prishtinës, ne kemi bërë projektin me inxhiner shumë të njohur tonin Ilir Abdullahun, lidhur me depozitat e ujërave. Ku objektet e reja që do të marrin leje do të kenë depozita të veçanta, ku një sasi e ujit që bie rrëmbyeshëm në kojhën e reshjeve të theksuara, deponohet në një pjesë kthinë, që është aq e vogël dhe irrelevante në krejt koston, por ndihmon edhe objektet tjera. Por, me zbatuar deri në fund këtë projekt duhet të ekziston edhe institucioni i taksimit, i them institucioni i gjermanit, ta ngreh veshin. Që ke pak sipërfaqe kulluese paguan taksë”, ka thënë Shita në “Konfront” të KTV-së. 


 


Buzhala: Në Malishevë u përmbyt vetëm nënkalimi 9-milionësh, problem urbanistët

Mentor Buzhala

Gazetari Mentor Buzhala ka thënë se urbanistët janë ndër fajtorët kryesorë për situatën e shkaktuar me vërshime ditëve të fundit. Si shembull ka marrë nënkalimin në Malishevë, që sipas tij, ishte e vetmja pjesë e qytetit që u përmbys.

“Reshjet nuk ishin aq të mëdha tash që ndodhën. Problemi s’është me reshjet e shiut... Po flas nga perspektiva e raportimeve për ndërtimet rrugore e të larta. Problemi është te degradimi i mjedisit, keqplanifikimi urban, ndërtimet e egra. Problemi më i madh është te urbanistët që e kanë sjellë këtë gjendja. Jo që janë kryesorët por është faji edhe te ta. Ata bëjnë projekte për institucione dhe ato i implementojnë. A i bëjnë si i kanë bërë këta apo jo duhet të diskutohet. Kur them për urbanistët është edhe faktori institucional. Një prej projekteve të fundit urbanistike është nënkalimi në Malishevë, 8.2 milionë euro dhe 800 mijë euro punë shtesë, mbi 9 milionë euro. Dhe çka ndodhi në zonën urbane, pos atyre rurale, u bllokua veç nënkalimi. Pse? Sepse planifikimi nuk u bë siç duhet. Kush e ka bërë, e kanë bërë urbanistët. S’e kam bërë unë”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten.

Sipas Buzhalës, dështimi kryesor është te planifikimi. Këtu ka përmendur edhe çështjen e ndërrimit të gypave në Fushë-Kosovë. Sipas tij, aty po ndërrohen gypat kryesorë të rrjetit të internetit dhe edhe asfalti po ndërron, por nuk po ndërrohen gypat e ujërave atmosferikë. “Aty është një gyp i paraluftës Fi-500. Këta urbanistët e dinë mirë çka do të thotë kjo”, ka deklaruar Buzhala. “Të gjitha garazhat do të përmbyteshin sepse gypi atmosferik është mbi to. Pra është çështje e ndërtimit. Janë me leje, por lejet i kanë bërë urbanistët”, ka shtuar ai.


Tafallari: Kosova pa Plan Hapësinor e pa Hartë Zonale

Driton Tafallari

Inxhinieri i ndërtimit, Driton Tafallari, ka ngritur alarmin për mungesën e planifikimit hapësinor në Kosovë, duke e cilësuar atë si shkakun kryesor të problemeve të përsëritura me vërshimet dhe menaxhimin e ujërave.

Sipas Tafallarit, sasia e madhe e ujit nga reshjet duhet të derdhet përmes lumenjve, por kapaciteti i tyre është i pamjaftueshëm për të përballuar reshjet intensive.

“Nëse e krahasojmë me Shqipërinë, Kosova ka 11 herë më pak ujë të rrjedhshëm. Në këtë aspekt qëndrojmë dobët. Lumenjtë që i kemi janë të trajtuar dobët dhe nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për të bartur ujin kur ka reshje të mëdha. Kur kësaj i shtohen edhe mbeturinat e ngurta që bllokojnë daljet, krijohet situata në të cilën gjendemi sot”, ka deklaruar Tafallari në “Konfront” të KTV-së.

Ai theksoi se faktori kryesor që çon në këto probleme është mungesa e një planifikimi të mirëfilltë në nivel shtetëror.

“Kosovës i nevojitet një master plan. Një nga dokumentet kryesore është Plani Hapësinor, të cilit i ka skaduar afati qe pesë vjet. Plani Hapësinor 2010–2020 nuk është zëvendësuar, ndërsa aktualisht nuk kemi as Hartë Zonale. Pa Plan Hapësinor nuk mund të ketë Hartë Zonale”, u shpreh ai.

Tafallari i bëri thirrje Qeverisë së re që të marrë vendime urgjente për hartimin dhe miratimin e këtyre dokumenteve strategjike, duke theksuar se pa to Kosova mbetet e pambrojtur nga krizat e përsëritura urbane dhe mjedisore.