Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, pas ndërprerjes së seancës konstituive ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i bëjnë thirrje Vetëvendosjes që të reflektojë, siç është shprehur ai, mbi sjelljen e saj në Kuvendin e Kosovës, sa i përket konstituimit.
“I bëjmë thirrje Vetëvendosjes që të reflektojë, është e qartë që gjatë kësaj periudhe është abuzuar me rregullat parlamentare nga kryesuesi i seancës duke na e imponuar në mënyrë jokushtetuse vendimin për komisionin për votim të fshehur”, është shprehur Tahiri.
Ndërkohë që deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se të gjitha seancat e mëhershme kanë qenë joskushtetuse. “E ato janë udhëhequr nga Vetëvendosja”, ka deklaruar ai.
Sipas tij votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Kushtetuesja e ka shpallur antikushtetues.
Ai ka thënë se PDK-ja do të shkojë në takimin e thirrur nga Kurti për të shtunën në orën 16:00.
“Kryetari Krasniqi do ta përfaqësojë PDK-në nesër në takim dhe qëndrimet pas tij i shpreh ai”, ka deklaruar Gruda.
