Familja Fazliu kërkon përgjegjësi institucionale duke pretenduar se nëse ndërtesa shembet mund të ketë pasoja me fatalitet. Sipas familjarëve, Ministria e Kulturës me gjithë premtimet deri më tash nuk ka bërë investime për ta restauruar monumentin dhe për të krijuar siguri për familjen që jeton afër ndërtesës. Shtëpia që në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme është e regjistruar si “Shtëpia e Hasan Fazlisë” numëron mbi 150 vjet që nga ndërtimi i saj. Llogaritet më e vjetra në këtë lokalitet
Familja e Feim Fazliut nga fshati Koshare i Komunës së Ferizajt prej vitesh po rrezikohet nga shembja e shtëpisë së tyre, e ndërtuar rreth 150 vjet më parë. Që nga viti 2012 ky objekt është monument. Familja Fazliu kërkon përgjegjësi institucionale duke pretenduar se nëse ndërtesa shembet mund të ketë pasoja me fatalitet. Sipas familjarëve, Ministria e Kulturës, me gjithë premtimet, deri më tash nuk ka bërë investime për ta restauruar dhe për të krijuar siguri për familjen Fazliu, që jeton afër ndërtesës. Shtëpia-Kullë që në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme është e regjistruar si “Shtëpia e Hasan Fazlisë” numëron mbi 150 vjet që nga ndërtimi i saj. Llogaritet më e vjetra në këtë lokalitet.
Feim Fazliu tregon se prindi i tij, Hasan Fazliu , nuk kishte lejuar që shtëpia e tij të rrënohej, derisa institucionet publike e kanë marrë nën mbrojtje, andaj kërkon përgjegjësi nga institucionet qendrore për t’ia bërë një zgjidhje.
“Kanë ardhur dhe kanë intervenuar në vitin 2012 dhe ka mbetur që të rinovohet, por nuk kanë marrë asnjë iniciativë tjetër. Ne po rrezikohemi, sepse kemi fëmijë të vegjël që po hyjnë brenda, andaj nuk po kemi dëshirë të ndodhë diçka. Kam bërë kërkesa në Ministri dhe në Komunën e Ferizajt, por nuk kanë marrë asnjë iniciativë”, ka thënë Fazliu. Ai kërkon nga institucionet përkatëse të marrin hapa konkretë lidhur me këtë shtëpi e cila gjendet në pronën e tij private.
“Kërkesa ime është që të merret Ministria me këtë çështje dhe të marrë ndonjë iniciativë që të rindërtohet ose le të tregojnë që unë mundem ta rrënoj atë. Këtu po më rrezikohen familja, sepse këtu gjatë sezonit veror vijnë edhe mërgimtarët me fëmijë dhe ata nuk e dinë e mund të ketë pasoja. Prandaj dua të bëhet një zgjidhje rreth kësaj çështjeje”, ka thënë Fazliu. Rreth kësaj çështjeje ka reaguar edhe Këshilli i Fshatit Koshare për të kërkuar siguri për familjen Fazliu. Amir Rexhepi, anëtar i Kryesisë së Fshatit, njëherësh kuvendar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, ka thënë se të gjithë banorët janë mirënjohës me këtë familje e cila po e ruan trashëgiminë kulturore.
“Këtë shqetësim e kam ngritur edhe në Kuvendin Komunal dhe kam kërkuar nga Drejtoria e Kulturës që të bëjë presion në Ministrinë e Kulturës pasi që është në kompetencat e kësaj ministrie që të intervenojë sa më parë, sepse ky objekt nuk po i mbijeton kohës. Çdo ditë po demolohet dhe duke u demoluar po i rrezikon banorët e shtëpisë, fëmijët dhe po ashtu mendoj se është nevojë urgjente për të intervenuar në shtëpinë-kullë”, ka thënë Rexhepi.
Në anën tjetër, me gjithë insistimin e KOHËS, Ministria e Kulturës nuk u është përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë çështje.
Ndërkaq, në njërën nga shkresat e familjes Fazliu, e cila është deponuar në Ministrinë e Kulturës, midis të tjerash, shkruan se prej vitit 2012 u është premtuar se objekti do të restaurohet me qëllim që të ruhet trashëgimia kulturore, mirëpo deri më tash një gjë e tillë nuk ka ndodhur. “Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore ka insistuar që ky objekt të ruhet dhe ne kemi vendosur për hir të së kaluarës historike dhe numrit të vogël të këtyre shtëpive që ta lejojmë këtë monument, gjithmonë duke u bazuar në premtimet e dhëna nga ish-zyrtarët e lartë të MKRS-së. Ndërkohë kemi kontaktuar edhe me zyrtarët e Qendrës Rajonale, më saktësisht me zyrtarin N.SH. për të parë se ku ka ngecur projekti, andaj ai është munduar ta justifikojë kohën e papërshtatshme të pandemisë COVID- 19”, shkruhet midis të tjerash në kërkesën e familjes Fazliu drejtuar MKRS-së në qershor të vitit 2021.
Ndërkaq në një kërkesë tjetër e cila është deponuar në Komunën e Ferizajt shkruhet se për shkak të gjendjes së rëndë që po kalon shtëpia-kullë, ujërat po depërtojnë në mure dhe për pasojë po shtohet rreziku për objektin i cili mund të demolohet.
“Kërkojmë nga ana juaj të na përkrahni që ta ruajmë objektin dhe mos të dëmtohet më shumë. Ky objekt është pjesë e Listës së Përkohshme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, shkruhet, midis të tjerash, në kërkesë.
Sipas të dhënave të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Ferizaj, krahas vlerave arkitekturore, shtëpia ka edhe vlera historike.
Zyrtari i QRTK-së, Nexhat Shahini, ka thënë se gjatë periudhës së sundimit osman, në fshatin Koshare dhe në këtë shtëpi janë mbajtur shumë takime, mbledhje e kuvendime nga patriotë të asaj ane.
“Në këtë shtëpi është mbajtur edhe takimi i fshehtë i vitit 1908 lidhur me organizimin e një mitingu në vendin e quajtur Fusha e Gjerë, te vendi ku ndodhet sot QMI-ja te udhëkryqi i cili bashkon rrugët që vijnë nga Prizreni dhe Ferizaj për në drejtim të Prishtinës”, ka thënë ai.
Sipas Shahinit, edhe në periudhën e sundimit serb, po në këtë shtëpi kishte mbajtur takime të fshehta Ahmet Shtimja, një patriot i kohës që asnjëherë nuk e ndali aktivitetin për liri.
"Për vitin kalendarik 2023, ne si QRTK-Ferizaj, ndërtesën në fjalë e kemi ndër monumentet e rëndësishme të këtij regjioni, për të cilën jemi duke bërë përpjekje maksimale në të gjitha institucionet relevante që të gjejmë përkrahje për ndërtesën në fjalë, pasi që në ditët e sotme, për regjionin e Ferizajt është unike”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur një serë personalitetesh që nga kjo shtëpi kanë organizuar rezistencë kombëtare.
“Kjo shtëpi paraqet një rëndësi edhe historike, gjë që u mbetet historianëve për ta ndriçuar”, ka thënë Shahini.
Sipas tij, për shkak se është ndërtesa më e vjetër deri më sot e identifikuar në rajonin e Ferizajt është nevojë emergjente ndërhyrja për ta mbrojtur atë.
“Edhe një dimër tjetër do të shkaktonte dëme të pariparueshme, apo me kosto më të lartë financiare”, ka thënë ai derisa ka përmendur kërkesat e familjes që posedon monumentin.