Arbëri

Rasti “53 milionëshi”, Shatri: Roli im në nënshkrimin e marrëveshjes ishte periferik

Nebih Shatri, ish-sekretar permanent i Ministrisë së Infrastrukturës dhe njëri nga të akuzuarit në rastin gjyqësor të njohur si “53-milionëshi”, e kualifikoi si periferik rolin e tij në nënshkrimin e marrëveshjes që e mundësoi vazhdimin e punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” e që buxhetit i shkaktoi dëm prej 38 milionë eurosh. Në paraqitjen e mbrojtjes së tij para trupit gjykues, ai tha se Komuniteti Drejtues Ndërministror pati rol kyç në këtë projekt

Periferik e kualifikoi rolin e tij në nënshkrimin e marrëveshjes për vazhdimin e punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, ish-sekretari permanent i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, gjatë gjykimit për rastin e njohur si “53-milionëshi”.

Prokuroria i ngarkon Shatrin, bashkë me ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie, se me pagesën e 53 milionë eurove për zgjatjen e afatit të punimeve me kompaninë punëkryese “Bechtel&Enka” e kanë dëmtuar buxhetin me 38 milionë euro.

Tek iu përgjigj pyetjeve të prokurorit, të mbrojtësve të të akuzuarve, si dhe trupit gjykues, Shatri vlerësoi se vënia e firmës së tij mbi këtë marrëveshje ishte veç formalitet.

“E përmenda disa herë në këtë proces, pozita e sekretarit është plotësisht e anashkaluar. Nënshkrimi i sekretarit është formalitet”, tha Shatri.

Ai u pyet edhe nëse konsideron që me nënshkrimin e marrëveshjes i ka tejkaluar kompetencat e tij, siç pretendohet në aktakuzë.

“Nuk e di unë atë. Ma ka marrë mendja që është në rregull me bë dhe kam nënshkruar”, tha Shatri.

Violeta Namani-Hajra, kryetare e trupit gjykues, e pyeti Shatrin edhe për rolin e Komitetit Drejtues Ndërministror.

“Çfarë roli ka pasur Komiteti Drejtues Ndër Ministror në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës?” – tha Namani-Hajra.

“Ka qenë organi më i lartë për miratimin e vendimeve, aktiviteteve në lidhje me zbatimin e projektit”, tha Shatri.

Gjatë paraqitjes së tij para gjykatës në fillim të dhjetorit, ish-ministri Lekaj pati deklaruar të ketë qenë i detyruar ta nënshkruante marrëveshjen me “Bechtel Enkan”, pasi që, siç tha, kështu vendosi Qeveria.

Krahas Lekajt e Shatrit, në këtë proces gjyqësor të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë edhe ish-këshilltari i lartë politik i Lekajt, Eset Berisha, si dhe ish-drejtori i Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës, Besim Tahiri.

Atyre u vihet për barrë akuza se e dëmtuan buxhetin e shtetit kur kompanisë “Bechtel&Enka” i paguan 53 milionë euro, në vend të 14 milionëve, sa ishte sugjeruar nga kompania mbikëqyrëse “Hill International”.