Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar institucionet publike dhe private t’i zbatojnë masat mbrojtëse për punëtorët pas rritjes së temperaturave. Rekomandimi vlen nga 11 deri më 15 gusht.
Sipas vendimit të MSH-së kërkohet që të shmanget puna në ambient të jashtëm nga ora 11:00 deri në orën 16:00. Ndërsa kërkohet që gratë shtatzëna të lirohen nga puna nga ora 11:00 deri në orën 16:00, nëse nuk është e mundur që ato të punojnë nga shtëpia, të përshtaten oraret e punës herët në mëngjes apo pasdite dhe nëse s’ka ajrosje të mjaftueshme dhe pika freskimi në vendet e punës.
Personat me sëmundje kronike është udhëzuar të punojnë me orar të shkurtuar, maksimalisht 4 orë në ditë. Është kërkuar që për të punësuarit të përshtaten oraret e punës herët në mëngjes apo mbrëmje.
MSH-ja ndërkohë ka rekomanduar qytetarët të shmanget qëndrimi jashtë në kulmin e nxehtësisë, të konsumohet sa më tepër ujë dhe të shmangen pijet e gazuara. Po ashtu është rekomanduar përdorimi i kapelës dhe syve të diellit. Prindërve u është rekomanduar të mos i lënë fëmijët vetëm në veturë.
“Ministria e Shëndetësisë, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, rekomandon që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 11 – 15 gusht 2025. Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta. Ftohen të gjitha institucionet që t’i respektojnë këto rekomandime, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme”, ka njoftuar MSH-ja.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës në ditët në vijim temperaturat do të shënojnë rritje të ndjeshme, veçanërisht gjatë orëve të mesditës. Këto temperatura të larta, të kombinuara me lagështinë atmosferike, do të ndikojnë në përkeqësimin e ndjesisë termike dhe mund të rrezikojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme, është thënë në arsyetimi ne MSH-së bazuar në rekomandimin e Institutit të Shëndetit Publik.


