Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Themelorja konfirmon aktakuzën për sulmin terrorist në Varagë

Varagë

Pamje nga sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka refuzuar ankesat për hedhje të aktakuzës dhe ka vlerësuar se provat që i ka mbledhur Prokuroria Speciale janë marrë në formë të ligjshme në rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë. Themelorja e ka konfirmuar aktakuzën dhe ka vlerësuar se provat duhet të administrohen gjatë procesit gjyqësor

Shkalla e parë gjyqësore e ka konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit të kryer më 29 nëntor 2024.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vlerësuar se nga aktakuza dhe provat ekziston dyshimi i bazuar se vëllezërit Jovan e Dragisha Viqentijeviq kanë kryer veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” e armëmbajtje pa leje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Po ashtu theksohet se ekziston dyshimi i bazuar se Jovan Viqentijeviq ka kryer veprën spiunazhi e Igor Dimoviqi veprën penale armëmbajtje pa leje.

“Nga këto prova të cilat u theksuan më lartë, deri në këtë fazë të procedurës, krijohet bindja se ekziston dyshimi i bazuar që të pandehurit janë kryes të veprës penale e cila me aktakuzë u vihet në barrë. Andaj me qëllim të vërtetimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, rrjedhimisht zbardhjes së të vërtetës materiale, gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësor do të administrojë me të gjitha provat e propozuara e në përputhje me dispozitat në fuqi të KPPRK-së, e nga të cilat prova në përfundim të këtij shqyrtimi do të konstatohet nëse ekziston përgjegjësia penale e të pandehurve në raport me veprën penale e cila iu  vihet në barrë”, thuhet në aktvendimin për konfirmimin e aktakuzës. 

Për sulmin që shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë në Mitrovicë, Skenderaj si dhe në komunat veriore e që rrezikoi edhe prodhimin e rrymës në Kosovë, disa nga provat kryesore të prokurorisë janë prania e ADN-së së të akuzuarve në fitilin me të cilin u ndez eksplozivi e edhe dheu i gjetur në çizmet e të pandehurve. 

Avokati i të akuzuarit, Dragisha Viqentijeviq, ka pretenduar se ekspertiza e ADN-së, e bërë nga Shërbimi i Policisë Shkencore në Romë, bazohet në profile të përziera dhe nuk duhet të merret parasysh. 

Avokati Millosh Deleviq ka pretenduar po ashtu raporti i FBI-së amerikane për përputhjen e tokës nuk duhet të trajtohet si provë valide, meqë toka në atë zonë ka përbërje të ngjashme, gjurmët nuk dihet se kur janë krijuar dhe se këto elemente të interpretohen në favor të të akuzuarve. 

E gjykata ka vlerësuar se këto prova duhet të shqyrtohen gjatë procesit gjyqësor. 

“Lidhur me ekspertizën e ADN-së, gjykata vlerëson se, megjithëse fillimisht është bërë fjalë për profile të përziera, nga provat rezulton se janë ndërmarrë analiza shtesë në laborator të specializuar ndërkombëtar, të cilat kanë çuar në individualizimin e profilit. Vlera provuese dhe besueshmëria e kësaj ekspertize do të jetë objekt i vlerësimit gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe nuk mund të përjashtohet në këtë fazë. Lidhur me ekspertizën gjeologjike, gjykata vlerëson se pretendimet e mbrojtjes për mungesë të lidhjes ekskluzive nuk e përjashtojnë automatikisht vlerën e kësaj prove, pasi që sipas shkresave ekzistojnë analiza krahasuese që e lidhin dheun me vendin e ngjarjes. Pesha provuese e kësaj ekspertize do të vlerësohet gjatë shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në aktvendimin për konfirmimin e aktakuzës.

Në nisje të shqyrtimit fillestar në rastin për sulmin terrorist të 29 nëntorit 2024 avokatët bënë një kërkesë të rrallë – atë për përjashtim të prokurorit Bekim Kodraliu meqë sipas tyre, u ka hyrë në hak të akuzuarve gjatë hetimit, gjë që u refuzua nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj e edhe nga Prokuroria e Apelit. 

Ankesë të ngjashme kanë bërë edhe në Themeloren e Prishtinës, por gjyqtari Vesel Ismaili ka konstatuar se mos-marrja parasysh e propozimeve të mbrojtjes nuk është bazë për hedhje të aktakuzës. 

“Lidhur me pretendimin për mosadministrimin e provave në favor të të pandehurit (alibia), gjykata vlerëson se detyrimi i prokurorisë për të mbledhur prova si në dëm ashtu edhe në favor të të pandehurit është parim themelor. Megjithatë, nga shkresat rezulton se janë ndërmarrë veprime hetimore dhe janë siguruar prova, ndërsa mbrojtja ka të drejtë që edhe në fazat e mëtejshme të procedurës të propozojë dhe administrojë prova shtesë. Në këtë fazë, mosadministrimi i disa provave të propozuara nuk përbën bazë të mjaftueshme për hedhjen poshtë të aktakuzës, por mund të trajtohet gjatë shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në aktvendim për konfirmimin e aktakuzës. 

Mbrojta ka kundërshtuar edhe besueshmërinë e provave të gjetura në shtëpinë e të pandehurve, meqë sipas saj, gjatë kontrollit të shtëpisë së të pandehurve nuk pati dëshmitarë. 

E Gjykata ka vlerësuar se mungesa e dëshmitarëve gjatë kontrollit mund të ndikojë në vlerësimin e besueshmërisë së provave, “por nuk e bën automatikisht kontrollin të paligjshëm, sidomos në rrethana urgjente të parashikuara me ligj”.