Arbëri

Tjegullorja, jo muze gjenocidi por qendër për të rinjtë

Jo rrallëherë niveli lokal dhe ai qendror përplasen për projekte të caktuara.

Kanë kaluar 2 vjet prej kur kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se tjegullorja do të bëhet muze i gjenocidit, muze që i mungon Kosovës.

Po atë kohë, komuna e udhëhequr nga Shpendi Ahmeti veçse kishe nisur procedurat e kthimit të pronës nga AKP-ja nën petkun e saj.

Ndonëse procedurat ende nuk kanë përfunduar, Prishtina ka shumë ide për lokacionin e asnjëra nga to nuk e përfshin muzeun e gjenocidit.

“Jemi në mendim e sipër. Ka mendime të ndryshme. Njëra prej ideve të cilat janë është të krijohet një institucion interdisiplinar me fokus edukimin, kulturë dhe digjitalizim, dhe për këtë gjë jemi në bashkëbisedim e sipër edhe me Manifesta, të cilët kanë angazhuar urbanistin e njohur Carlo Ratti, i cili me ekipin e tij është duke menduar të na bie një propozim se çka saktësisht duhet të bëhet me tutoren. Është një kufi në mes të zonës së lagjes Kodra e Trimave, Dragodanit dhe pjesës tjetër të qytetit, pra është mirë që atë kufi që është nënvetëdijen tonë ta rrëzojmë dhe të krijojmë një urë lidhëse në mes të këtyre zonave”, ka thënë Adrian Berisha, drejtor i Kulturës në komunën e Prishtinës.

Ministria e Kulturës kishte ndarë 100 mijë euro për muzeun e gjenocidit, mjete këto që ishin ridestinuar.

Komunarët thonë se për muze të tillë duhet gjetur një lokacion.

Në një përgjigje për KOHËN, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka thënë se tashmë është bërë shpronësimi i kësaj prone në emër të Komunës së Prishtinës, mirëpo ende nuk është bërë pranim-dorëzimi, për shkak se Komuna nuk e ka kryer gjithë pagesën.

Nuk dihet as nëse kryeparlamentari, Glauk Konjufca, do të vazhdojë me një projekt të tillë.