Hekuran Murati, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje është emri i ri që ka dështuar në përpjekjen për t’u bërë kryeparlamentar. Ai mori 57 vota pro, ndërsa 52 ishin kundër. Abstenuan 6 deputetë. Pos Nismës Socialdemokrate abstenuan edhe deputetë të AAK-së për herën e parë. Të gjitha zhvillimet rreth seancës konstitutive i gjeni këtu
Gërvalla: Deputetët e LDK-së kanë pasur më shumë se një arsye për të më votuar
Donika Gërvalla, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, që të mërkurën nuk mori votat e partive që deri tash ishin në opozitë, ka thënë se të paktën deputetët e ish-partisë së saj, Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë pasur më shumë se një arsye për ta votuar.
Pas dështimit për të zgjedhur kryeparlamentarin edhe të premten, në propozimin për Hekuran Muratin, Gërvalla ka thënë se kjo tregon se bllokimi s’lidhet me emra, por me mosgatishmërinë e opozitës për të shkuar në fazë të re.
“Frika e opozitës nga Qeveria Kurti 3 është shpërfaqur hapur muajve të fundit dhe s’ka asnjë arsyetim që mund ta bindë cilindo qytetar të republikës që qenka çështja për emra të përveçëm”, ka thënë ajo, teksa ka lidhur sërish emrat e partive opozitare shqiptare me atë të Listës Serbe. “Kushtetuta e thotë shumë qartë, propozimi është i subjektit fitues. Subjekti fitues sot ka dhënë emrin e tretë me radhë dhe përsëri reagimi i njëjtë. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe... AAK-ja sot mësoi nga gabimet e kaluara dhe të paktën abstenoi nga frika se mos përsëri po identifikohet nga qytetarët me Listën Serbe, por këto tri subjekte politike shqiptare dhe Lista Serbe që s’është parti serbe, por që synimin e saj thelbësor e ka zhbërjen e Kosovës... S’e ka vendin në Kuvend, s’e ka vendin në udhëheqje komunale dhe prandaj jemi këmbëngulës që të mos ndodhë certifikimi i saj për zgjedhje dhe nuk do të guxojë të ndodhë”, ka thënë ajo.
VIDEO:
Teksa është pyetur për të komentuar mosvotimin e deputetes së VV-së, Shqipe Selimi, për emrin e saj, por edhe të LDK-së, Gërvalla ka thënë se të paktën LDK-ja është dashur ta votonte.
“Selimi merr vendimet e saj. S’ka marrë pjesë në votim për dallim nga disa të tjerë që nuk është pritur që mund të bashkohen me Listën Serbe dhe PDK-në për të votuar kundër personit tim. S’kam arsye e asnjë të drejtë ta komentoj vendimin e Shqipe Selimit... Djali i Xhemajl Mustafës (Besian Mustafa), nipi i Tahir Zemajt (Armend Zemaj), dy komandantë të Koshares dhe këta u bënë bashkë me PDK-në e Listën Serbe për të votuar kundër. Nuk ka person në skenën publike të Kosovës që më hapur dhe me kosto të lartë politike, është angazhuar më shumë për zbardhjen e krimeve të pasluftës”, ka thënë Gërvalla.
E para seancës së sotme, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, u shpreh se “Të vetmit që kanë të drejtë politike dhe morale ta thërrasin veten LDK-ist e Rugovistë, janë ata që i kanë qëndruar besnik LDK-së dhe askujt tjetër”.
Ajo ka mohuar edhe se ka qenë dëshmitare në Gjykatën Speciale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Donika Gërvalla të mërkurën i mori 56 vota pro. Madje ajo nuk e mori mbështetjen as të deputetes së VV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshorte e ish-kryetarit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, që tha se nuk votoi për shkak të postimeve akuzuese të Gërvallës ndaj bashkëshortit të saj vite më parë.
E të mërkurën, VV-ja propozi Hekuran Muratin për kryeparlamentar. Edhe ky dështoi.
VIDEO:
Krasniqi: LVV qëllimisht po e zvarrit konstituimin, ministrat s’kanë shans të marrin votë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e bllokon qëllimisht konstituimin e Kuvendit, meqë dihet se nuk votohen kandidatë që kanë pasur pozita edhe në Qeveri.
Pas dështimit të seancës konstituive, Krasniqi e ka quajtur “lojë” të kryeministrit të detyrë dhënien e emrave të kandidatëve nga LVV.
“Janë edhe 35 kandidatë të tjerë që i ka LVV që po të viheshin në votim, ndoshta sot do ta kishim të zgjedhur edhe kryetarin edhe konstituimin. Nëse deri sot dikush e ka pasur dyshimin më të vogël se ka një përpjekje të vërtetë nga VV, u bë e qartë se një gjë e tillë nuk qëndron. Po vijmë në seanca vetëm për të humbur kohë, në lojën e Kurtit për të humbur kohë që pastaj të hyjmë në një thellim tjetër të krizës. Këta me vetëdije nuk po dëshirojnë ta konstituojnë sepse ministrat nuk kanë shans të marrin vota”, ka thënë ai.
“Sot është dashur të ketë porpozim të ri, propozim të ri... sikur të kishte më shumë propozime do ta shihnim ndoshta një vullnet të VV-së për konstituim, por kjo është një lojë”, ka shtuar ai.
VIDEO: Deklarata e plotë
As Murati s’i merr votat për kryeparlamentar
Hekuran Murati, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje është emri i ri që ka dështuar në përpjekjen për t’u bërë kryeparlamentar.
Ai mori 57 vota pro, ndërsa 52 ishin kundër. Abstenuan 6 deputetë. Pos Nismës Socialdemokrate abstenuan edhe deputetë të AAK-së për herën e parë.
Para Muratit, në votimet e tjera të hapura pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dështuan edhe Albulena Haxhiu e Donika Gërvalla.
Pas dështimit të Muratit, kryesuesi Avni Dehari njoftoi se seanca do të vazhdojë të dielën.
Momenti i votimit | VIDEO:
VV-ja propozon Muratin për kryeparlamentar
Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Hekuran Muratin për kryeparlamentar.
Është hera e parë që emri i tij del në votim.
VIDEO:
Limaj: Emri për kryeparlamentar duhet të dihet paraprakisht
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka rithënë se marrëveshja politike është ajo që nevojitet për ta tejkaluar bllokadën në Kuvend.
“Çfarëdo zgjidhje parciale provokon situata të tjera, e jo krijim të institucioneve”, ka thënë ai duke shtuar se zgjidhje parciale janë zgjedhjet e parakohshme.
Limaj ka shtuar se emri i kandidatit për kryekuvendar duhet të bëhet i ditur paraprakisht.
“Situata nuk është normale. Nuk duhet të befasohet me emrin e kryetarit të Kuvendit, duhet të dihet paraprakisht, t’i ketë 61 vota, të shkohet të votohet, ka vendimmarrje politike”.
Haxhiu: Nuk do të jem kandidate për kryeparlamentare
Pas tentimit në disa raste e dështimit të vazhdueshëm, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se të premten nuk do të jetë emri i saj i propozuar për kryeparlamentare të Kuvendit të Kosovës.
E pyetur se cili do të jetë emri i propozuar, ajo ka thënë se kjo do të shihet në seancën e paraparë për të nisur në orën 11:00, raporton EO.
Haxhiu dështoi edhe të mërkurën, në votimin e parë pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që i obligon ta zgjedhin kryeparlamentarin në votim të hapur e për 30 ditë.
Ajo mori 57 vota pro, e pas saj për herë të parë u propozua një emër tjetër që po ashtu dështoi. Madje Donika Gërvalla s’i mori as krejt votat e deputetëve të VV-së, pasi nuk mori mbështetjen e Shqipe Selimit.
Qëkur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët kanë mbajtur edhe 54 vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e shmangu votimin e hapur dhe kërkoi formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtarë për këtë komision.
Më pas lënda është adresuar në Kushtetuese, e cila ka nxjerrë dy vendime. Në bazë të aktgjykimit të dytë, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.
Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur nuk e kanë zbatuar aktgjykimin e 26 qershorit dhe rrjedhimisht të gjitha vazhdimet e seancës të mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik i ka shpallur të pavlefshme.
AAK-ja do të kërkojë konsultë para seancës
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të kërkojë konsultë me shefat e grupeve parlamentare dhe kryesuesin e seancës përpara nisjes së seancës konstituive.
Kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, ka thënë se duhet të diskutohen emrat për kandidatë që të mos shkojnë “të papërgatitur”.
“Përmes koleges tonë, Times, do të kërkojmë konsultë përpara seancës me shefat e grupeve dhe kryesuesin, nëse ka gatishmëri dhe në nivel të kryetarëve të partive për të diskutuar për kandidaturat, kush mund të jetë kandidat”.
“Kemi shumë emra të tjerë në Vetëvendosje që do t’i votonim”, ka deklaruar Haradinaj.
VIDEO:
Avdyli: Duhet të shkojmë në zgjedhje sa më shpejt
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka thënë se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje sa më shpejt që të jetë e mundshme.
Sipas tij, në zgjedhjet e reja qytetarët “duhet t’ua tregojnë vendin bllokuesve”.
Si bllokues ai ka përmendur partitë që deri tash kanë qenë në opozitë, Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Listën Serbe që sipas tij janë në një vijë.
Në deklaratë para seancës konstituive të Kuvendit të premten, Avdyli ka thënë se nuk u takon partive të tjera të caktojnë emrin e propozuar të VV-së për kryeparlamentar.
“Në momentin kur ata dalin të parët, atëherë e caktojnë emrin. Lëreni çka ka ndjekur VV-ja para 20 vjetëve. Po flasim për tani. Ata janë bllokuesit e shtetit dhe ne duhet të shkojmë në zgjedhje sa më shpejt e qytetari t’ua tregojë vendin më shumë se 51 për qind”, ka thënë ai.
PDK-ja pret iniciativë nga LVV-ja: Jemi të hapur
Partia Demokratike e Kosovës mbetet e vendosur se nuk voton kandidatë të Vetëvendosjes për kryeparlamentar që kanë mbajtur pozita në Qeveri.
Deputeti Rashit Qalaj ka thënë se presin iniciativë nga Vetëvendosja dhe se PDK-ja është e hapur.
“Nuk votojmë askënd i cili ka qenë pjesë e Qeverisë së Kosovës, ndërsa për kandidatë të tjerë mbetet të shihet si do të votojmë. Presim kush do të jetë kandidat dhe pastaj presim një iniciativë nga partia që ka më së shumti vota, nëse ata duan të krijojnë shumicën parlamentare, PDK është e hapur, kemi marrë pjesë në të gjitha bisedimet”, ka thënë Qalaj.
LDK s’voton kandidat pa marrëveshje paraprake politike
Lidhja Demokratike e Kosovës do ta mbajë qëndrimin e njëjtë në seancën konstituive të Kuvendit, duke mos votuar kandidatë pa marrëveshje politike.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, e ka përsëritur këtë qëndrim.
“Qëndrimi i LDK-së është ai që ka qenë gjithnjë, nuk voton ndonjë kandidat me partinë e të cili nuk ka marrëveshje politike paraprake”, ka thënë ai.
IKD: LVV ta marrë përgjegjësinë për të siguruar konstituimin e Kuvendit
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që në emër të stabilitetit dhe legjitimitetit institucional të konstituojnë Kuvendin pa vonesë dhe t’i hapet rrugë formimit të Qeverisë. IKD ka thënë se vonesat e mëtejmë e thellojnë krizën institucionale dhe cenojnë funksionimin demokratik të institucioneve.
IKD ka thënë se megjithëse përgjejësi kanë të gjitha partitë, barra kryesore i bie Vetëvendosjes, teksa ka theksuar se ajo duhet të bie dakord të propozojë një kandidat që e votojnë edhe të tjera parti ose të arrijë marrëveshje politike.
“IKD bën thirrje që të lihen anash inatet dhe interesat partiake duke u dhënë prioritet interesave strategjike drejt promovimit të vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit”, thuhet në reagimin e Institutit.
IKD ka shtuar se mungesa e Kuvendit lë shumë institucione të tjera në prag të jofunksionalitetit për shkak të skadimit të mandateve, të tilla si institucionin e Avokatit të Popullit, Autoritetin e Konkurrencës, Komisionin e Pavarur të Mediave, Gjykatën Kushtetuese, Fondin e Kursimeve Pensionale, etj.
“Kjo paralizë institucionale e lë vendin dhe qytetarët pa mekanizmat e duhur për garantimin e të drejtave, duke cenuar sigurinë juridike dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët”, ka thënë IKD duke shtuar se peng mbesin edhe marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.
Shqetësuese IKD e ka vlerësuar se një numër i madh i anëtarëve të Qeverisë mbajnë pozitat në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Aktualisht disa deputetë vazhdojnë të ushtrojnë njëkohësisht edhe detyrën e ministrit/ kryeministrit në Qeverinë “Kurti 2”. Ky fenomen përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe Ligjit, shkelje kjo tashmë e konstatuar edhe nga Gjykata Supreme”.
Sipas IKD-së, thirrja e seancave çdo 48 orë dhe “propozimi i kandidatëve pa perspektivë”, vetëm sa e shtyjnë procesin në limite apo potencialisht edhe përtej afatit kushtetues.
“Andaj, IKD kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryesuesi i seancës, z. Avni Dehari, të marrin përgjegjësinë e tyre institucionale dhe politike për të siguruar konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues, në mënyrë që vendi të dalë nga bllokada aktuale dhe të rifitojë funksionalitetin demokratik dhe institucional”.
Kuvendi mblidhet sërish për konstituim
Dy ditë pasi dështuan në dy propozime të ndryshme, deputetët e legjislaturës së nëntë do të mblidhen sërish në tentimin për ta zgjedhur kryeparlamentarin. Me fillim prej orës 11:00, deputetët do të mblidhen në seancën e dytë pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që i obligon ta zgjedhin kryeparlamentarin në votim të hapur e për 30 ditë.
Të mërkurën, në përpjekjen e parë pas aktgjykimit, Lëvizja Vetëvendosje, që është subjekt fitues i zgjedhjeve, përsëriti propozimin që Albulena Haxhiu të vihet në votim për kryetare të Kuvendit. Por, nuk arriti t’i sigurojë votat e nevojshme të deputetëve, përkatësisht së paku 61 për. Ajo mori 57 vota pro e i pati 56 kundër dhe tre abstenuan.
Pas konstatimit të mungesës së votave, Vetëvendosje për herë të parë dha një propozim të ri për këtë pozitë, atë të deputetes Donika Gërvalla, e cila është bashkëkryetare e Partisë Guxo, që në dy palë zgjedhjet e fundit nacionale ka garuar në listën e Vetëvendosjes. Njëjtë sikurse Haxhiu, as Gërvalla nuk i mori votat e mjaftueshme. Gërvalla madje s’i mori as votat e të gjithë deputetëve të VV-së. Për nuk votoi Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshorte e ish-kryetarit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, që tha se nuk votoi për shkak të postimeve akuzuese të Gërvallës ndaj bashkëshortit të saj vite më parë.
Qëkur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët kanë mbajtur edhe 54 vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e shmangu votimin e hapur dhe kërkoi formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtarë për këtë komision.
Më pas lënda është adresuar në Kushtetuese, e cila ka nxjerrë dy vendime. Në bazë të aktgjykimit të dytë, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.
Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur nuk e kanë zbatuar aktgjykimin e 26 qershorit dhe rrjedhimisht të gjitha vazhdimet e seancës të mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik i ka shpallur të pavlefshme.