Arbëri

Trafikanti shqiptar në arrati prej më shumë se një viti pasi u lirua gabimisht nga burgu në Britani

Trafikanti shqiptar në arrati prej më shumë se një viti pasi u lirua gabimisht nga burgu në Britani

Një shtetas shqiptar, i dënuar për trafik droge, ndodhet në arrati tash e më shumë se një vit pasi është liruar gabimisht nga burgu në Britani. Ai ishte dënuar për veprën penale të posedimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të klasës B, ndërsa u lirua në mënyrë të pavullnetshme nga autoritetet në gusht të vitit 2024.

Sipas raportimeve, ai është njëri nga të paktën tre të burgosur që janë liruar aksidentalisht dhe që ende ndodhen në arrati. Dy të tjerët janë shtetas britanikë – njëri i dënuar për grabitje të rëndë dhe tjetri për mosparaqitje në polici.

Rasti është bërë publik në kohën kur sekretari britanik i Drejtësisë, David Lammy, është përballur me pyetje të shumta në Parlament, pas zbulimeve se 353 të burgosur janë liruar gabimisht midis 1 prillit 2024 dhe 31 tetorit 2025 – përfshirë më shumë se 90 persona të dënuar për krime seksuale ose të dhunshme.

“Sapo jam informuar se Shërbimi i Burgjeve dhe Provës po heton një rast tjetër të mundshëm të lirimit gabim më 3 nëntor, dhe personi mund të jetë ende në arrati”, ka thënë Lammy para deputetëve.

Lammy pranoi se sistemi aktual, i cili ende bazohet në dokumente të shkruara me dorë dhe llogaritje manuale të datave të lirimit, është “kaotik dhe i dështuar”, duke shtuar se autoritetet shpesh nuk dinë nëse një i burgosur është liruar me vendim të ligjshëm apo gabimisht.

Një zëdhënës i qeverisë britanike deklaroi se këto raste janë “simptomë e një sistemi të rrënuar të drejtësisë penale”, i cili ndodhet nën “presion të madh” për shkak të mbipopullimit të burgjeve.

Lammy kërkoi falje publike për viktimat dhe familjet e tyre, duke përmendur rastin e një vajze 14-vjeçare që ishte sulmuar seksualisht nga një azilant me origjinë nga Etiopia, Hadush Kebatu, i cili gjithashtu ishte liruar gabimisht dhe më pas u arrestua e deportua në vendlindje.

Për të shmangur përsëritjen e këtyre rasteve, Lammy njoftoi investim prej 10 milionë eurosh për të digjitalizuar sistemin e lirimit të të burgosurve, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) për të zëvendësuar proceset me dokumente fizike dhe për të përmirësuar kontrollin mbi urdhër-arrestet dhe të dënuarit.