Arbëri

U.d. i kryeprokurorit Qalaj pjesë e mbledhjes së KPK-së, 4 anëtarë lëshojnë sallën

Agron Qalaj

Agron Qalaj

Foto: Driton Paçarada

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Agron Qalaj, po merr pjesë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).  

Qalaj është zgjedhur ushtrues detyre i kryeprokurorit me pesë nga 10 votat e anëtarëve më 20 nëntor, kur po me aq vota u shkarkua Besim Kelmendi. 

Ai tha se do të marrë pjesë dhe do ta respektojë cilindo vendim të gjykatës lidhur me ankesën e ish-u.d kryeprokurorit Besim Kelmendi, i cili ka kontestuar vendimin për shkarkimin e tij.  

Tha po ashtu se nuk do të votojë e as nuk do të përfshihet në diskutime.

Anëtari Veton Shabani ka kërkuar që Qalaj ta lëshojë mbledhjen meqë Besim Kelmendi është ankuar edhe në Gjykatën Supreme, e edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë. 

Ai theksoi se ankesa në Supreme ka efekt pezullues të vendimit për shkarkimin e Kelmendit.

Anëtari Visar Krasniqi ka thënë se nëse mund të shkojnë me arbitraritet, siç është shprehur, si herën e kaluar, atëherë propozon shkarkimin e kryesuesit Ardian Hajdaraj nga pozita e tij si anëtar.

Pas kësaj, Krasniqi e edhe prokurori Shabani, e kanë lëshuar mbledhjen.

Ps tyre edhe anëtarët Arian Gashi dhe Dardan Vuniqi kanë dalë nga salla.

Vuniqi tha se vazhdimisht i rrëzon studentët nga provimi nëse ata nuk e dinë se çfarë është efekti suspensiv. Në këtë rast tha se nuk ka se si të dalë para tyre nëse vazhdon të qëndrojë në mbledhje. Ai theksoi se ankesa që Besim Kelmendi e ka dorëzuar në Supreme e pezullon vendimin për shkarkimim e tij. Këtë e tha edhe anëtari Arian Gashi, i cili insistoi që ta dijë nëse do vazhdojë mbledhja me prezencën e Agron Qalajt. Pas konfirmimit se ajo vazhdon, ai doli nga mbledhja.

Para se të lëshonte sallën Gashi tha se Qalaj, me praninë e tij në mbledhje të Këshillit, po krijon kuorum të kundërligjshëm.

Me gjashtë anëtarë prezentë, përfshirë Agron Qalajn, mbledhja ka vazhduar.

Pas kësaj janë dhënë 10 minuta pauzë për ta diskutuar siç është thënë, propozimin e Visar Krasniqit për shkarkim të kryesuesit Ardian Hajdaraj.

Zëvendëskryesuesja e KPK-së, Jehona Grantolli, i ka fajësuar katër anëtarët për bllokim dhe sabotim.

Grantolli tha po ashtu se me mungesat që po i bëjnë anëtarët, po e shkelin ligjin për KPK-në meqë dy mungesa të paarsyetuara radhazi, sipas saj, janë bazë e humbje të mandatit të anëtarëve.

Ndërkohë propozimet e tyre që Qalaj të largohet nga mbledhja i kundërshtoi vazhdimisht kryesuesi Ardian Hajdaraj.

Pas këtyre diskutimeve anëtari i KPK-së nga radhët e shoqërisë civile, Visar Krasniqi, është rikthyer në sallë. Ai ka theksuar se deklarata e tij është nxjerrë nga konteksti. Ka deklaroi se nuk mund të bëhet me këtë procedurë as shkarkimi i kryesuesit. 

"Nuk jam pranë propozimit për shkarkim sepse nuk e ka asnjë efekt'", ka theksuar ai.

Edhe një pauzë 10-minutëshe në mbledhjen e KPK-së është bërë me vendim të zëvendëskryesueses Jehona Grantolli.

Zëvendëskryesuesesja bëri të ditur se sa i përket certifikimit të zgjedhjes së anëtares së re prokurore, ka kërkesa për përjashtim të Ardian Hajdarajt dhe Arian Gashit nga votimi. 

Kandidatja Elza Bajrami, që mori më së shumti vota, e ka kërkuar përjashtimin e kryesuesit, ndërsa kandidatja Merita Kurtishi përjashtimin e Arian Gashit që është në taborin e kundërshtuesve të shkarkimit të Kelmendit.

Mbledhja ka kaluar në pushim përsëri dhe është mbyllur për diskutimin e dy pikave që kanë të bëjnë me procedurat disiplinore. 

Zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli i bëri thirrje publike anëtarit Arian Gashi për t’u rikthyer në mbledhje. 

Gashi është edhe kryetar i komisionit zgjedhor që parashihet ta referojë raportin e këtij komisioni para anëtarëve. 

Ajo tha se nëse ai nuk paraqitet mund të zëvendësohet me vendim të Këshillit.

Anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi duke e lëshuar mbledhjen. Foto: Driton Paçarada /KOHA
Anëtari i KPK-së, Veton Shabani duke e lëshuar mbledhjen. Foto: Driton Paçarada /KOHA
Anëtari i KPK-së, Veton Shabani duke e lëshuar mbledhjen. Foto: Driton Paçarada /KOHA
Anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi duke e lëshuar mbledhjen. Foto: Driton Paçarada /KOHA
Anëtari i KPK-së, Dardan Vuniqi duke e lëshuar mbledhjen. Foto: Driton Paçarada /KOHA

 

VIDEO:

Me 5 vota KPK-ja refuzon Raportin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e një anëtareje të re prokurore

2 j. më parë / 1 dhj 2025 15:08 Nga: Ardit Kika
kpk

Me pesë vota për Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK)m, në mbledhjen e mbajtur të hënën ka vendosur që ta refuzojë Raportin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e një anëtareje të re prokurore të KPK-së.

Meqë rregullorja e zgjedhjeve është sfiduar në Gjykatën Supreme, kryesuesi Ardian Hajdaraj tha se do të vendosin për hapat e mëtejshëm në mbledhjen e radhës.

Rezultatet zgjedhore të 1 nëntorit e kanë nxjerrë fituese Elza Bajramin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, që fitoi ndaj kundërkandidates Merita Kurtishi-Gakës – së cilës i është rrëzuar ankesa për parregullsi në KPK, meqë pesë vota ishin për dhe pesë kundër.

Kundërshtohet kërkesa për largim të Qalajt nga mbledhja e KPK-së

2 j. më parë / 1 dhj 2025 13:48
Kryesuesi Hajdaraj

Photo: Driton Paçarada

Pasi i është ribashkuar mbledhjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi ka thënë se afati për certifikim ka kaluar.

“Unë ju përgjigja thirrjes publike të zëvendëskryesueses...Afati për certifikim ka kaluar”, tha Gashi.

Gashi deklaroi po ashtu se neni 12 paragrafi 2 të rregullores për zgjedhje e përcakton se një javë pas shqyrtimit të ankesave, KPK-ja duhet ta shpallë rezultatin e zgjedhjeve për anëtarin prokuror nga radha e prokurorëve të themelores. E në këtë rast, sipas tij, ankesa është trajtuar dhe është rrëzuar. 

“Më duhet ta liroj takimit përderisa prezanton z. Qalaj, pasi prezenca e tij është e kontestuar... Me prezencën e z. Qalaj nuk mund të vazhdoj tutje”, ka thënë Gashi, i cili është larguar përsëri nga mbledhja. 

Edhe anëtarët Jetish Maloku, Ariana Shajkovci e Milot Krasniqi u deklaruan kundër kërkesës së katër anëtarëve për përjashtimin e Agron Qalajt nga mbledhja. 

“Na pëlqeu a s’na pëlqeu nuk kemi askush të drejtë t’i thotë ose largohu nga mbledhja ose dal nga mbledhja. Kjo është logjikë e kushtëzimit, kjo është logjikë e bllokimit”, tha anëtari Krasniqi.

U.d kryeprokurori i zgjedhur Qalaj tha se nuk bën pjesë në kuorum. 

“Unë nuk përbëj kuorumin. Mirëpres tërë kohën reflektimin e asaj që e kam thënë në pjesën e parë të fjalimit tim.... E kam thënë vendimi i Këshillit është në fuqi dhe prodhon efekt juridik”, u shpreh ai. 

Ndërsa kryesuesi Hajdaraj konstatoi se mungon kryesuesi i komisionit zgjedhor Arian Gashi që parashihej ta prezantonte raportin dhe vendosi që ta lexojë atë në vend të Gashit.