Arbëri

Udhëtimet e presidentes me staf, 137 mijë euro për pesë muaj

26 anëtarë të kabinetit e kanë shoqëruar presidenten Osmani në vizitat që ajo ka realizuar në pesë muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga vetë zyra e Osmanit, gjatë këtyre vizitave për të gjithë anëtarët janë shpenzuar mbi 137 mijë euro

137 mijë e 180 euro ka shpenzuar presidentja Vjosa Osmani e 26 anëtarët e kabinetit të saj që e kanë shoqëruar në vizitat zyrtare në pesë muajt e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të siguruara nga Presidenca përmes qasjes në dokumente publike, presidentja Osmani nga janari deri në maj ka realizuar 15 vizita zyrtare.

Sipas këtyre të dhënave për akomodim janë shpenzuar 54 mijë e 105 euro e 34 centë e për shpenzime të udhëtimit 81 mijë e 440 euro e 48 centë. 

“Shpenzimet e raportuara lidhen me 15 vizitat e presidentes Osmani gjatë periudhës janar-maj 2025, në shtetet në vijim: Poloni, SHBA (Uashington D.C), Francë, Gjermani (MSC), Bullgari, Gjermani (Ndarja e çmimit për presidentin Clinton), Turqi, Finlandë, Vatikan, Malajzi, Brunei, Austri, Shqipëri, Zvicër, SHBA (Dayton)”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentes.

Të raportuara janë edhe 1 mijë e 634 euro e 36 centë si shpenzime të tjera. 

“Shpenzimet e tjera të udhëtimit përfshijnë shpenzimet për dreka dhe darka zyrtare, shpenzimet e internetit për ekipin multimedial, si dhe shpenzime të ndryshme ditore për realizimin me sukses të agjendës zyrtare. Presidentja nuk ka shpenzime vetëm për veten për dreka dhe darka zyrtare, pasi të gjitha këto janë shpenzime institucionale (jo individuale), pra, në të marrin pjesë edhe një numër zyrtarësh të institucionit, anëtarë të kabinetit dhe zyrtarë nga shtete nikoqire”, thuhet në përgjigje.

KOHA që nga e marta është në pritje të sqarimeve nga Zyra e Presidentes në lidhje me numrin e anëtarëve të kabinetit që e kanë shoqëruar në secilën prej 15 vizitave të realizuara deri në maj.

Përgjigje nuk ka marrë as në lidhje me arsyet e këtyre vizitave e as për rezultatet e tyre.