Arbëri

Ukshini: LDK-ja i ka dalë hakut Vjosa Osmanit

Syle Ukshini

Ish-diplomati Sylë Ukshini, duke komentuar përgjigjen e kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku për KOHËN, në të cilën lë të kuptohet se nuk e mbështesin Vjosa Osmanin edhe për një mandat për presidente, ka thënë se LDK-ja megjithatë i ka dalë hakut Osmanit.

“Njerëzit nuk duhet të kenë ambicie të shfrenuara. Mbi këtë pikëpamje Vjosa Osmanit, LDK-ja i ka dalë jashtëzakonisht hakut. Isa Mustafa e nominoi për kryeministre ndërsa Lumir Abdixhiku në këtë pikë është me satisfaksion të plotë që para pesë vitesh ka kontribuar që Vjosa Osmani të zgjidhet presidente. Kosova është pak më e gjerë, pak më e madhe dhe mendoj se njeriu duhet egon e vet ta frenojë dhe t'i japë shans edhe njerëzve të tjerë”, ka thënë Ukshini në emisionin “Interaktiv” në KTV.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një përgjigje për KOHËN gjatë ditës, ka thënë se nuk do të përkrahë asnjë kandidat për president pa marrëveshje politike.

Abdixhiku e deputetët e tjerë të LDK-së, duke qëndruar në sallë, patën ndihmuar zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, pesë vjet më parë. Por, kryetari i LDK-së, të hënën nuk ka dhënë sinjale se do të veprojë njëjtë për të mundësuar kuorumin.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Në dy raundet e para, për zgjedhje të presidentit nevojiten 80 vota për, e në raundin e tretë mjaftojnë 61 për, me kushtin që në sallë të jenë 80 deputetë.