Të shtunën (sot) kompania e dytë hungareze e Batalionit të Rezervës Taktike Kinetike (KTRBN) të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, ka përfunduar me sukses dislokimin e saj në Kosovë.
Sipas njoftimit të KFOR-it, KTRBN ka aftësi të rëndësishme – përfshirë kontrollin e turmave dhe trazirave (CRC), përcjelljen e kolonave, mbikëqyrjen, zbulimin, ndihmën ndaj popullatës dhe detyra të tjera të këmbësorisë – të cilat sigurojnë gatishmërinë e KFOR-it dhe aftësinë për të reaguar shpejt dhe me efikasitet ndaj zhvillimeve të sigurisë.
Që nga viti 1999, sipas KFOR-it, kontingjenti hungarez ka qenë një kontribues kyç në misionin paqeruajtës të KFOR-it. Ky dislokim shënon rotacionin e 33-të të kontingjentit hungarez, duke dëshmuar angazhimin afatgjatë të Hungarisë në mbështetje të KFOR-it
“KFOR vazhdon të zbatojë mandatin– të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, si dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes. KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë”, vijon njoftimi.