Eksperti i sigurisë dhe shëndetit në punë, Naim Bajraktari, ka thënë se numri i lartë i vdekjeve të punëtorëve në vendet e punës është si pasojë e neglizhencës së shtetit.
Ministri për Punë, Andin Hoti, më 13 prill mori vendim për aksion të jashtëzakonshëm të inspektimeve, pas shënimit të edhe një vdekjeje në vendin e punës. Vetëm sivjet, në vend pune kanë vdekur 8 persona.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë “60 Minuta” në KTV, Bajraktari e ka cilësuar të qëlluar edhe pse të vonuar vendimin. Ai megjithatë, ka thënë se pas dy javëve duhet të dihet çfarë masa janë marrë nga shteti dhe jo që gjithçka të përfundojë vetëm me këtë inspektim. Bajraktari ka shtuar se pret që nga ky inspektim të gjenden shumë shkelje në terren.
“Është fund e krye neglizhencë e shtetit, e qeverisë, e inspektoratit. S’është në pyetje a ka pasur vullnet. Nuk është punë e vullnetit me e shpëtu jetën e njerëzve. Ne jemi të obliguar të marrim masat e sigurisë në punë. Kush i merr masat? I merr shteti. Ligji është shumë i qartë e i pastër me të gjitha masat e përcaktuara, e pse nuk respektohet? Pikërisht është nga vetë shteti që nuk e stimulon vetë inspektoratin. Nuk ua bën kushtet”, ka thënë ai. “Duke u bazuar edhe në vendimin e ministrit, apeli im është të merren masat, të identifikohet rreziku në vend punishte. Nëse vetëm identifikohet dhe bëhet vlerësim e nuk marrim masa, është punë e kotë”.
Ai ka thënë se dështimi qëndron te mosmarrja e duhur e masave ndaj punëdhënësve. Sipas tij, kompanitë po ndihen më të lira kur e dinë se shteti nuk i kontrollon më shpesh.
Bajraktari ka dhënë disa rekomandime bazë për të përmirësuar gjendjen.
“Duhet të rritet numri i inspektorëve, të jemi shumë më shumë në terren dhe kryesorja kur të jemi në një vend punishte të kërkojmë njeriun që është i përcaktuar për të marrë masat të sigurisë në atë vend punishte. S’duhet të shkojmë vetëm të shohim a i kanë pajisjet apo trajnimet dhe vlerësimet e rreziqeve si punë të përditshme, nëse s’ka person të caktuar për sigurinë në punë”, ka thënë ai duke shtuar se ky person nuk është i caktuar te 99 për qind e kompanive. “Ligji e thotë që duhet të ketë person të caktuar për sigurinë dhe shëndetin në punë. Mund të jetë një punëtor me përvojë të gjatë, dhe nëse ai nuk i din rregullat e sigurisë e di që të paktën duhet të jenë pajisjet mbrojtëse të rregullta, skelet të rregullta, jo të hipën pa rrip të sigurisë, edhe kjo ju mungon”.
Sipas Bajraktarit, me 50 inspektorë nuk mjafton që të mbulohet i tërë territori i Kosovës. Ai ka thënë se për një normalizim duhet të ketë të paktën 100-120 inspektorë.
Mungesa e sigurisë në vende pune, sipas Bajraktarit, është një prej faktorëve pse punëtorë të ndryshëm mund ta lënë Kosovën.