Arbëri

Veliu: Interesimi i SHBA-së momentalisht diku tjetër, Kosova larg syve të saj

Analisti për çështjet rajonale, Lulzim Veliu, ka deklaruar se interesimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës aktualisht është larg Kosovës.

Sipas tij, për këtë subjektet politike në vend sillen sikur nuk janë të vetëdijshme dhe shkaktojnë ngërç politik.

“Një gjë duhet pranuar, para dy tre ditësh Grenelli tha qartë se Kosova nuk është pjesë e agjendës politike të SHBA-së, kjo është për të ardhur keq dhe për t’u menduar nga akterët tanë politikë, nga subjektet politike që sikur nuk janë të vetëdijshme për këtë ngërç politik e me këtë papërgjegjësi që po sillen. Interesimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për momentin është larg Kosovës, ka kaluar diku tjetër. Kosova është larg syve të SHBA-së”, ka thënë ai të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së.

Veliu ka shtuar se ngërçi politik ka pasojat e veta edhe në ekonomi, diplomaci edhe në marrëdhëniet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar, edhe në proceset e negocimit që ka mbetur tash e sa kohë. 

“Kosova ka stagnuar në atë pozicion që ka qenë tash e sa vjet, nuk kemi hapa të integrimit të vendit, nuk kemi investitorë që do të dëshironin të vinin e të investonin në Kosovë, janë ngërçe që sjellin pasja të papara për vendin. Zgjidhja më e mirë për të gjitha këto probleme për të mos sjellë kosto të panevojshme dhe të kemi qeveri që përfundon një mandat të plotë dhe mund ta zgjedhë edhe presidentin vitin e ardhshëm, do të ishte të kishim pasur një koalicion të gjerë”, ka theksuar ai.

Veliu ka shtuar se kriza në Kosovë nuk është juridike, nuk ka të bëjë asgjë me Kushtetutën, është krizë politike, të cilën, sipas tij, e kanë krijuar vetë subjektet politike, vetë liderët e partive politike “që nuk mendojnë vetëm për interesat e ngushta klanore e partiake”.