Kryeministri në detyrë Albin Kurti të premten ka marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të një shkolle fillore në Mitrovicë të Veriut.
Pas vendosjes së gurthemelit, Kurti u shpreh se shkolla do të jetë me kushte moderne.
“Do të jenë nëntë klasë të shkollës fillore dhe një klasë e çerdhes për fëmijë meqë rast do të ketë edhe bibliotekë, sallë të arsimtarëve, kabinete e kështu me radhë në mënyrë që kushtet të jenë moderne për mësimdhënie sa më të mirë dhe poashtu për mësimxënie me standardet më të larta”, u shpreh Kurti.
Kostoja totale e ndërtimit do të jetë rreth 4 milionë e 152 mijë.
“Punimet do të kryhen brenda 18 muajve. Që do të thotë se do t’ia premë shiritin kësaj shkolle në Lagjen e Boshnjakëve në pranverën e vitit 2027. Duhet theksuar që sipërfaqja e shkollës do të jetë 2 mijë e 570 metra katrorë përafrisht ndërkaq 761 metra katrorë do të jetë çerdhja për fëmijë”, u shpreh Kurti.
Në vendosjen e gurthemelit mori pjesë edhe kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut nga LVV-ja dhe kryetari aktual, Erden Atiq.