Arbëri

Vlajiq e pranon se rekrutoi punëtoren e OSBE-së në BIA, mblodhi informata edhe në EULEX e KFOR

Aleksandar Vlajiq, personi i parë që Kosova e ka dënuar për spiunazh, ka pranuar se e ka rekrutuar punëtoren e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq. Me të dyshuarën për spiunazh, sipas aktakuzës për të cilën ai e pranoi fajësinë, ka komunikuar me shtatë numra telefoni, të cilët i ndërronte. Në aktakuzë thuhet se ai mblodhi informata edhe në EULEX e KFOR.

Prokuroria Speciale pretendon se të dyshuarën për spiunazh Jelena Gjukanoviq e ka rekrutuar Aleksandar Vlajiq – personi i parë që Kosova e ka dënuar për spiunazh që nga shpallja e pavarësisë.

Më 5 qershor Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar pjesëtarin e BIA-s, Aleksandar Vlajiq, me pesë vjet burgim.

Spiuni i Agjencisë për Siguri të Inteligjencës së Serbisë - BIA, e ka pranuar fajësinë edhe se e ka rekrutuar punonjësen e OSBE-së, e cila është në paraburgim.

“Ndërsa në lidhje me komunikimet e të pandehurit Vlajiq me të pandehurën Jelena Gjukanoviq, të cilën edhe e ka rekrutuar në shërbimin e BIA-s, duke e vënë në kontakte me zyrtarët e saj (të BIA-s dhe organizimin e takimeve me zyrtarët e saj), dhe e cila i ka ndihmuar në vazhdimësi me ofrimin e informacioneve dhe dokumenteve tepër sensitive të punës së misionit të OSBE-së në Kosovë, e që kanë të bëjnë me sigurinë dhe funksionimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, që janë elaboruar në kuadër të raportit policor me numër reference 08/1- 03/103/2025, respektivisht nga ekzaminimi i pajisjeve elektronike të të pandehurës së lartcekur”, thuhet në aktakuzën ndaj Vlajiqit.

Me Gjukanoviqin sipas aktakuzës, Vlajiqi ka komunikuar me shtatë numra në mënyrë që t’i humbte gjurmët.

Ndër të tjera, në aktakuzë thuhet se Gjukanoviq i ka çuar raporte të brendshme të OSBE-së dhe informata nga takimet e ish-shefit të misionit, Michael Davenport.

Gjatë komunikimit të agjentit të dënuar dhe të dyshuarës si agjente Jelena Gjukanoviq, sipas prokurorisë, ata e quanin BIA-n “firma”.

“Kjo konfirmohet në komunikimin e realizuar ndërmjet tyre të dt. 7 dhjetor 2022, ora 16:11:02, ku pasi që Jelena i dërgon disa fotografi nga raportet zyrtare të OSBE-së, më pas thekson se “mendoj se pas këtyre ata (BIA) do të të ndalojnë t’u dërgoni raporte nga unë”, sepse “do të lodhen duke lexuar”. Ndërsa i pandehuri Vlajiq i referohet BIA-s me termin “firma”, dhe i thotë Jelenës se “ata (BIA) janë një firmë e madhe dhe me shumë njerëz të mençur”. Më pas e konfirmon se materialet që ka pranuar nga Jelena, i ka dorëzuar tek BIA, pasi që Jelena ankohet se është lodhur dhe nuk kishte mundësi të shkruante (por vetëm të fotografonte raporte) dhe i pandehuri Vlajiq i thotë “pusho, të gjitha janë të qarta, ata (BIA) i kanë të gjitha ato dhe ka kush merret me to”, thuhet tutje në aktakuzë.

Në aktakuzë thuhet se Vlajiq ka mbledhur informacione për t’i çuar në BIA edhe nga organizata të tjera ndërkombëtare.

“Për më shumë, nga ekzaminimi i telefonit të lartcekur, konstatohet se në cilësinë e bashkëpunëtorit të BIA-s, Aleksandar Vlajiq shfrytëzon për të mbledhur informacione të ndryshme serbët e punësuar në organizata ndërkombëtare në Kosovë, siç janë: OSBE, EULEX, UNMIK dhe KFOR. Për pjesën e OSBE-së shfrytëzon personin Jelena D (tani e dyshuar për veprën penale të spiunazhit); për EULEX shfrytëzon personin Martin; për UNMIK shfrytëzon personin Nenad KALABA; ndërsa për KFOR dyshohet se shfrytëzon personin Nikita 64, të gjithë këta persona nga komuniteti serb”, thuhet tutje aty.

Një ndër mesazhet e shumta që i ka shkëmbyer Vlajiq, i akuzuar edhe për sulmin terrorist të 2022-tës në KKZ, është kur nxit një person tjetër për sulme të tilla siç i bënte IRA në Irlandë të Veriut kur bënte sulme ndaj autoriteteve të sigurisë së Mbretërisë së Bashkuar.

“Barrikadat u minuan me shumë eksploziv. Gjithashtu nuk është sekret që veriu është plot me armë dhe se ka shumë djem të aftë dhe jo pak kanë ardhur. Ne duhet të luftojmë si Ushtria republikane Irlandeze dhe të vijmë nga ushtria në krahun politik. Nuk kemi asnjë shans tjetër dhe kemi të gjithë ndihmën e Serbisë. Nga ky shkrim nënkuptohet se i pandehur Vlajiq ka njohuri për minimin e barrikadave me eksploziv dhe ka njohuri për praninë e personave të armatosur në këtë pjesë të Kosovës, dhe ardhjen e të tjerëve nga Serbia, si dhe shpreh dëshirën për të luftuar ashtu siç bëjnë “IRA” në Irlandën e Veriut.

Në aktakuzën për të cilën e ka pranuar fajësinë i pandehuri përmendet edhe një rast ku ai e komenton faktin se një OJQ nga veriu ka marrë fonde nga Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Megjithatë, si në këtë pjesë ashtu edhe në pjesë të tjera të aktakuzës nuk bëhet e qartë se me kë ishte duke folur i akuzuari dhe Prokuroria u referohet personave të panjohur.

E në rastet kur dihet se me kë ka folur, ai i ka dhënë informata Ratko Gajtanoviqit, epror i BIA-s në Novi-Pazar.