Kundërmim nga kolektori e nga mbeturinat e shumta që janë grumbulluar. E gjatë reshjeve të shiut vërshimet bëhen edhe më problematike për banorët e lagjes “Kalabria”.
Kërkesa e tyre për rregullimin e këtij kolektori, që është edhe pjesë e rrugës “A”, ende nuk po realizohet përkundër që punimet kanë filluar mbi dy vjet më parë.
Shkak i këtyre punimeve, banorët e disa shtëpive përreth janë detyruar të ndërrojnë vendbanimin pasi iu është bllokuar edhe qasja në shtëpitë e tyre.
Kryetari i Bashkësisë Lokale, Arbnor Neziri, ka thënë se kolektori i hapur në këtë gjendje po paraqet rrezik për ta.
“Kur flasim për kolektor, na bie në mend që afër një dekadë kanë nisur ndërtimet e së fundmi herë edhe më 2023 u promovua se brenda 180 dite do të përfundojë, por siç po e shihni sot e kësaj dite nuk ka përfunduar. Kjo po pamundëson një jetë normale të banorëve në këtë zonë, për shkak të rrezikut të vazhdueshëm të infeksioneve, kundërmimit të erërave, brejtësve që kanë shkaktuar jashtëzakonisht shumë probleme dhe pasiguritë që po krijohen për banorët në këtë zonë”, ka thënë ai.
Sipas tij, është shumë e nevojshme që kolektori të përfundojë sa më shpejt.
Përveç kolektorit në këtë pjesë, vonesa në punime ka në përgjithësi në rrugën “A”.
Kompania kontraktuese për kryerjen e këtyre punimeve “Sallahu” ka thënë se në këtë pjesë të “Kalabrisë” ka probleme me pronat, përderisa në pjesë të tjera të rrugës “A” zvarritja e punimeve po ndodh për shkak të mospagesave nga ana e Komunës së Prishtinës.
Edhe për vonesat e punimeve në një pjesë të kolektorit në “Kalabri” e të rrugës “A” Komuna e Prishtinës ka thënë se faji është te bllokimi i buxhetit nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Drejtori i Investimeve Kapitale, Sokol Havolli, ka thënë se disa punime janë duke u realizuar sipas planit përderisa çështjet pronësore janë në proces të zgjidhjes.
“Sa u përket punimeve në kolektorin në ‘Emshir’, një pjesë e tij (rreth 10 metra) aktualisht nuk po ndërtohet për shkak të bllokimit të llogarisë nga Qeveria. Pjesa tjetër, deri te rruga ‘Fatime Sokoli’, po realizohet sipas planit, ndërsa çështjet e tjera pronësore me pronarët janë në proces të zgjidhjes”, ka deklaruar ai.
Përderisa nuk gjendet një zgjidhje, banorët po detyrohen të jetojnë pranë kolektorit i cili kundërmon gjatë tërë kohës.