Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vuçiq paralajmëron armatim, thotë se rrezikohet nga aleanca Kosovë-Shqipëri-Kroaci

Aleksandar Vuciq

Foto: Associated Press

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar më shumë armatim teksa është shprehur sërish pa fakte se Serbia rrezikohet nga aleanca në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se ka propozuar miratimin e një strategjie për robotizimin e forcave ushtarake serbe. Vuçiq ka thënë se ky propozon krijimin e njësive ushtarake të pajisura me platforma robotike dhe dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi dhe përdorimin e municioneve fluturuese.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Situata e sigurisë është disi më komplekse se në janar, kur ne e adresuam këtë, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejme të aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Përkushtimi jonë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin nuk ka ndryshuar, dhe mund ta mbajmë vetëm nëse jemi mjaftueshëm të fortë”, ka thënë ai.

Vuçiqi ka thënë po ashtu se në ditët në vijim Serbia do të nënshkruajë kontrata të prokurimit për armë e pajisje ushtarake.

Vitin e kaluar, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, e cila u tha se synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore, mbështetjen e rrugës euroatlantike dhe thellimin e bashkëpunimit mes tre vendeve mike. Përfaqësues të të tri shteteve kanë përgënjeshtruar se aleanca kërcënon Serbinë, por përkundër kësaj, Vuçiqi vazhdimisht e shpreh pretendimin.

Ministri kroat i përgjigjet Vuçiqit për aleancën me Kosovën dhe Shqipërinë

9 min. më parë / 15 pri 2026 14:46
Ivan Anushiq

Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, i është përgjigjur presidentit serb Aleksandar Vuçiq që sërish pretendoi pa bazë se aleanca ushtarake Kroaci-Kosovë-Shqipëri e kërcënon Serbinë.

Vuçiqi e përmendi këtë aleancë në momentin kur paralajmëroi armatosjen e mëtejme të Serbisë.

Anushiq ka njoftuar të mërkurën për takim me ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nuka. Ai ka thënë se takimi është konfirmim i miqësisë së fortë dhe aleancës ndërshtetërore.

Ka shtuar se të dyja shtetet kanë qëllim paqen, sigurinë e stabilitetin në Evropën lindore dhe se mbi këto parime është thelluar bashkëpunimi në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse.

“Në përgjigje ndaj pyetjeve të përsëritura për reagimin e Serbisë, përgjigja është e njëjtë – ka kaluar koha kur dikush i ka diktuar Kroacisë, sot shtet sovran dhe anëtare e NATO-s dhe BE-së, se çka të bëjë dhe si ta bëjë politikën e saj. Ajo s’do të ndodhë kurrë më”, ka shkruar ai në X.