Arbëri

VV-ja e PDK-ja arrijnë marrëveshje për qeverisjen në Podujevë, Shabani zgjidhet kryesues

Isak Shabani - Shpejtim Bulliqi

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për qeverisje në Komunën e Podujevës. 

Kandidati nga radhët e PDK-së, Isak Shabani, është zgjedhur të hënën kryesues i Kuvendit Komunal të Podujevës. Ai u zgjodh me 21 vota për dhe 1 abstenim, ndërsa asamblistët e LDK-së nuk morën pjesë në votim.

“Këtë detyrë e kuptoj si shërbim ndaj qytetarëve dhe do të angazhohem maksimalisht që puna e këtij Kuvendi të jetë sa më transparente, ligjore dhe në interes të përgjithshëm”, tha ndër të tjera Shabani.


Gjatë kësaj seance, Kuvendi i ka zgjedhur edhe anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa në përbërje prej 9 anëtarëve.

Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje ka fituar mandatin e dytë në krye të Podujevës. 

“Isak Shabani është zgjedhur sot Kryesues i Kuvendit Komunal të Podujevës me shumicë të votave nga kuvendarët. E uroj për detyrën e re z.Shabanin dhe i shtrij dorën e bashkëpunimit, me bindjen se përmes punës së përbashkët do t’i shërbejmë më së miri qytetarëve të Podujevës”, ka shkruar Bulliqi.