Arbëri

VV-ja fajëson “Pastrimin” e Ramën për gjendjen me mbeturinat

mbeturina

Foto: Driton Paçarada

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë e ka fajësuar kryetarin, Përparim Rama si dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për gjendjen e krijuar në kryeqytet për shkak të mosgrumbullimit të mbeturinave.

Në një konferencë për media sot, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Feim Osmani ka thënë se Komuna e Prishtinës dhe ndërmarrja “Pastrimi” nuk po mund të koordinohen për ta zgjidhur situatën.

Sipas tij Rama nuk është marrë asnjëherë seriozisht me këtë problematikë.

"Ne mendojmë se njësoj sikurse menaxhmenti i ndërmarrjes bashkëfajtore është edhe Komuna e Prishtinës. Bashkë nuk po gjejnë mundësi për bashkëpunim dhe nuk po koordinohen në drejtim të hapave të menjëhershëm dhe urgjentë, të cilët e nxjerrin situatën nga këtu ku është dhe Prishtinës ia kthejnë atë që e meriton - pastërtinë e saj”, është shprehur Osmani, raporton KP.

Ai tha se Komuna duhet të mundësojë zbatimin e vendimit të Kuvendit për ndryshim të rregullores që ia kthen të drejtën për inkasim të faturave ndërmarrjes.

Ndër propozimet që ka dhënë ai për zgjidhje të situatës është dorëheqja e menjëhershme e menaxhmentit të ndërmarrjes “Pastrimi”.

Përveç kësaj, sipas Osmanit komuna duhet sa më parë të zhbllokojë mjetet që ka grumbulluar nga pagesa e faturave, vlera e të cilave është rreth 600 mijë euro dhe të njëjtat t’i kthehen ndërmarrjes.
Kompania “Pastrimi” ka ndërprerë grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë. Si pasojë e kësaj në kryeqytet kontejnerët janë të stërmbushur. Ndërprerja e grumbullimit të mbeturinave ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te qytetarët.

Ndërkohë Komuna e Prishtinës ka njoftuar se pritja që ishte paralajmëruar për sot në ora 16:00, e bendit të njohur ndërkombëtar Gipsy Kings nga kryetari Rama, është anuluar, siç thuhet si pasojë e “prioritizimit të zhvillimeve të fundit lidhur me problemin emergjent të menaxhimit të mbeturinave dhe ndërmarrjes ‘Pastrimi’, që ka kërkuar vëmendjen e menjëhershme të kryetarit”.