Arbëri

Zeneli për “Reporterët pa Kufij”: Më shqetësuese rënia e Kosovës se krahasimi me Serbinë

Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli

Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, e ka vlerësuar si alarmuese renditjen e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2025, të publikuar nga organizata “Reporterët pa Kufij”.

Sipas tij, më shqetësuese sesa krahasimi me vendet fqinje – si Serbia apo Shqipëria – është vetë rënia drastike e Kosovës në listë. Pas publikimi të renditjes, në opinion ka pasur reagime se si Kosova është renditur pas Serbisë e Shqipërisë për lirinë e shtypit.

“Rënia ka qenë e pritshme për këdo që e ka monitoruar punën e mediave në Kosovë. Është rezultati më i keq që nga viti 2006, kur Kosova nisi të rangohej në këtë indeks”, ka thënë Zeneli në “Interaktiv” të KTV-së.

Kosova ka humbur 24 pozita krahasuar me vitin e kaluar, duke u renditur në vendin e 99-të nga gjithsej 180 shtete.

Zeneli theksoi se indeksi nuk mat cilësinë e gazetarisë, por ambientin ku zhvillohet ajo – përmes disa indikatorëve si: klima politike, legjislacioni, gjendja ekonomike e mediave, ambienti social dhe siguria e gazetarëve.

Ai vuri në dukje se indikatori politik ka pasur ndikimin më të madh në rënien e Kosovës. Sipas tij, qeveria aktuale në detyrë ka përdorur gjuhë të ashpër dhe shpeshherë anti-mediale, e cila është reflektuar edhe në diskursin publik.

“Ligje si ai për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), të cilët janë në kundërshtim me Kushtetutën, e kanë rënduar më tej situatën”, shtoi ai.

Profesor Zeneli fajëson edhe mungesën e reagimit të Qeverisë ndaj krizës ekonomike, e cila ka goditur rëndë sektorin medial.

“Inflacioni ka ndikuar drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë financiare të mediave, por qeveria nuk ka ndërmarrë masa mbështetëse”, ka potencuar ai.

Ai gjithashtu kritikoi standardin e dyfishtë të politikanëve ndaj mediave.

“Kur mediat raportojnë kundër opozitës, janë të mira. Kur kritikojnë pushtetin, janë të këqija. Kjo tregon mungesë të sinqeritetit ndaj lirisë së shprehjes”, ka thënë Zeneli.

Në fund, Zeneli e vlerësoi pozitivisht reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili kërkoi krijimin e një task-force kombëtare për përmirësimin e gjendjes së lirisë së mediave në vend.