Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka mbetur peng i një nënkryetari nga komuniteti serb. Ani pse, të martën, deputetët bën një lëvizje pozitive nga bllokimi i gati 5-mujor i Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe katër nënkryetarët e Kuvendit, gjërat ngecën te zgjedhja e një nënkryetari nga komuniteti serb. Lista Serbe propozoi tri here Slavko Simiqin për këtë pozitë, por deputetët nuk e votuan. Ngjashëm ndodhi edhe me tre deputetë tjerë të këtij komuniteti. Seanca u përmbyll për t’u ritakuar sërish të enjten.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk do ta votojë asnjë propozim të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit.
Ajo ka thënë se shpreson që të enjten, kur do të mbahet seanca e radhës, partitë më të mëdha shqiptare të mos e lëshojnë rastin dhe ta votojnë ministrin në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, si nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. Rashiq është kryetar i partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë .
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se ndarja e votimit për zgjedhjen e nënkryetarëve të komuniteteve është bërë qëllimshëm nga Lëvizja Vetëvendosja. Sipas tij, kjo mënyrë i ka konvenuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Ai ka shtuar se Kurti do që të krijojë një rast të ri për Gjykatën Kushtetuese, që ta zvarrisë krijimin e institucioneve meqë, sipas Tahirit, Kurti nuk i ka numrat për qeverinë.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se shpreson që partitë opozitare të legjislaturës së kaluar të reflektojnë dhe Nenad Rashiq të votohet të enjten për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.
Haxhiu, e cila është zgjedhur nënkryetare, ka thënë se sot ishte mundësia e largimit të përfaqësuesit të Listës Serbe nga Kryesia e Kuvendit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur fillimin e konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, duke thënë që shpreson që sa më shpejtë të konstituohet Kuvendi në mënyrë që të formohet edhe Qeveria.
Eugen Cakolli nga KDI-ja ka thënë se dy nënkryetarët nga radhët e komuniteteve është dashur të votohen në pako, duke ndjekur logjikën dhe praktikën e deritanishme të votimit të tre nënkryetarëve tjerë.
Sipas tij, nuk mund të ketë dy kandidatë për pozitën e njëjtë të nënkryetarit nga radhët e komuniteteve – serb dhe të tjerëve.
Ka shtuar se e drejta e propozimit i takon vetëm shumicës së deputetëve të atij komuniteti.
“Megjithatë, edhe nëse pretendohet ndonjë shkelje në këtë proces, kusht për adresimin e saj në Gjykatën Kushtetuese është inicimi nga të paktën 10 deputetë. E sipas përbërjes politike të Kuvendit, në mesin e komunitetit në fjalë, kaq numra mungojnë”, ka thënë ai duke shtuar se procedura është e qartë.