Arbëri

ZKA: Komuna e Podujevës kontraktoi projekte në kundërshtim me Ligjin e prokurimit

Parregullsi e shkelje ligjore në Komunën e Podujevës ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin e pasqyrave financiare të këtij institucioni për vitin 2024. Sipas ZKA-së, Komuna nisi projekte pa i pasur të gjitha mjetet financiare në dispozicion dhe kontraktoi kompani pa i plotësuar kriteret e kërkuara. Komuna i shpenzoi mbi 2 milionë euro për shlyerje të detyrimeve të dala nga kontrata kolektive, të cilat ishin të dedikuara për kategori të tjera

Për pesë projekte kapitale, Zyra Kombëtare e Auditimit evidentoi se Komuna e Podujevës, në kundërshtim me Ligjin e prokurimit, shpërbleu me kontratë gjatë 2024-tës operatorët ekonomikë që i përmbushnin kriteret e dosjes së tenderit.

Vlera e kontratave arrin në afro 3.5 milionë euro, e kjo, bazuar në raportin e ZKA-së për pasqyrat financiare ndodhi si pasojë e mungesës së kontrolleve të brendshme në fushën e prokurimit.

Krahas parregullsive në procesin e prokurimit, ZKA-ja identifikoi gjashtë projekte të iniciuara në mungesë të fondeve financiare, tri prej të cilave për ndërtim të shkollave.

Ndërtimi i shkollës fillore në fshatin Shajkofc ka nisur një vit më parë, por pa buxhet të mjaftueshëm. Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, Komuna e Podujevës e kontraktoi këtë projekt, në vlerë afër 600 mijë euro, pavarësisht se në dispozicion i pati vetëm gjysmën e mjeteve financiare për realizimin e tij.

Mungesë e fondeve, në vlerë deri në afro 1 milion euro, u evidentua në projektin për ndërtimin e tregut të gjelbër, projekt ky në bashkëfinancim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, e mbi 1 milion e gjysmë, sipas auditorit, munguan për ndërtimin e shkollës së mesme.

“Ndërtimi i shkollës së mesme ‘Isa Boletini’ në vlerë të kontraktuar 2.566.649 euro, ndërsa në PIP ka pasur mjete në vlerë 1.000.000 euro, nga kjo rezulton në mungesë të fondeve për realizimin e projektit në vlerë 1.566.649 euro. Kjo ka ndodhur për shkak të analizave te mangëta dhe vlerësimeve joreale të kostove financiare të projekteve me rastin e buxhetimit te tyre”, thuhet në raport.

Fatlum Osmani, drejtor për Buxhet dhe Financa në Komunën e Podujevës, e arsyetoi mungesën e fondeve me plotësimin e tyre në buxhetin e planifikuar gjatë viteve vijuese.

“Ne përpos planifikimit të rregullt vjetor e që është 2025-2026, kemi edhe bartjen e të hyrave vetjake, që zakonisht si komunë gjatë këtyre viteve kemi tejkalim të të hyrave vetjake përtej qarkores buxhetore nga ana e MF-së. Ne edhe me të hyra vetjake i plotësojmë këto mjete financiare. Ndërsa vlen të ceket se nuk ka asnjë obligim kontraktual të cilin Komuna nuk e ka të mbuluar financiarisht dhe nuk ka asnjë kontratë që ka përfunduar në procese gjyqësore si rezultat i mungesës së mjeteve financiare”, ka thënë Osmani.

Auditori evidentoi se mbi 2 milionë euro, të dedikuara për investime kapitale, mallra e shërbime, si dhe shërbime komunale, u përdorën për mbulimin e obligimeve të dala nga kontrata kolektive.

Për këtë, e edhe pagesat për projekte të ndryshme, që u bënë gjatë 2024-tës, pa e marrë miratimin e Kuvendit Komunal, drejtori Osmani i fajëson detyrimet e dala nga kontrata kolektive.

Ai thotë se derisa të ketë lëndë të tilla në Gjykatë, situata nuk mund të përmirësohet.

“Gjykata u ka dhënë të drejtë mësimdhënësve, që ka rezultuar pastaj me procedura gjyqësore dhe me vendime të Gjykatës, me vendime të formës së prerë të gjykatave, ku ato mjete pastaj shkojnë direkt në thesar dhe ekzekutohen. Ne nuk kemi asnjë mundësi, po them as ligjore, por as financiare që t’i paguajmë këto obligime të cilat rrjedhin nga kontrata kolektive. Kjo nuk është vetëm çështje e Komunës së Podujevës, faktikisht në të njëjtën mënyrë i ka atakuar pothuajse të gjitha komunat”, ka thënë Osmani.

ZKA-ja evidentoi edhe vonesa në lëshimin e lejeve ndërtimore e nënvlerësim të pasurive. Kjo zyrë i ka dhënë opinion të kualifikuar Komunës së Podujevës në Raportin e auditimit për Pasqyrat financiare për vitin 2024.

Për Komunën e Podujevës dha 13 rekomandime, 5 të reja e 8 të përsëritura.