Arbëri

ZRRE-ja alarmon se plani i KEK-ut për investime në termocentrale rrezikon sigurinë e furnizimit

Termocentrali

Foto: Ilustrim

Siguria e furnizimit me energji elektrike mund të vihet në rrezik, për shkak të planifikimit të investimeve në termocentralet e Korporatës Energjetike. Zyra e Rregullatorit për Energji ka kërkuar shtyrjen e disa investimeve, duke vlerësuar se koha e përzgjedhur për ndaljen e blloqeve të KEK-ut nuk është e përshtatshme në një periudhë kur kërkesa për energji mbetet e lartë

Në mars, kur ende ka ngarkesa në rrjetin energjetik dhe kur do të mund të rrezikohej siguria e furnizimit me energji elektrike, Korporata Energjetike (KEK) planifikon që ta nxjerrë nga funksioni për 35 ditë radhazi njësinë B2 të Termocentralit Kosova B.

Nisjen e këtij investimi nga KEK-u, në kohën kur ka ngarkesë dhe kur ka edhe operim paralel të “Termokosit” për nevoja të ngrohjes qendrore, e kanë kualifikuar si të papranueshme në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

KOHA ka mësuar se ZRRE-ja ka kërkuar që remonti i paralajmëruar të zhvendoset në muajin maj apo në një periudhë tjetër, me kushtin që të mos komprometohet siguria e furnizimit me energji elektrike.

Sipas një draft-plani për vitin 2026, të cilin KEK-u ia ka dorëzuar ZRRE-së, remonti në njësinë B2 planifikohet që të bëhet nga 4 marsi deri më 7 prill.

Ndalja e prodhimit në këtë bllok nënkupton se Kosova do të ketë rreth 300 megavatë orë prodhim më pak, krahas mungesës prej 140 megavatësh orë të prodhimit nga njësia A5 e termocentralit “Kosova A”, e në të cilën po ashtu parashihet që investimet të fillojnë nga 14 shkurti deri më 5 maj.

Siç ka mësuar KOHA, ZRRE-ja ka kërkuar nga KOSTT-i që ta përgatisë Bilancin e energjisë në përputhje me vlerësimin e rregullatorit, pavarësisht nëse KEK-u reflekton për planifikimin e remonteve, pasi që kjo nuk është çështje e brendshme e tyre, por është interes nacional.

Sipas planifikimeve të KEK-ut, tetë muaj jashtë funksionit do të jetë edhe njësia B1 e Termocentralit Kosova B. Investimet në të planifikohet të fillojnë nga 8 prilli e deri më 9 dhjetor, duke bërë që Kosova të ketë minus 250 megavatë orë energji gjatë kësaj periudhe.

Riparime njëmujore gjatë muajve qershor-korrik dhe gusht-shtator, sipas draft-planit, do të ketë edhe në njësitë A3 dhe A4. Krahas riparimeve, brenda këtij viti parashihet të ketë edhe nëntë ndalje për kontrolle në katër njësi të KEK-ut, e të cilat do të zgjasin deri në 10 ditë.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga KEK-u rreth investimeve të planifikuara, porse në këtë instancë nuk kanë ofruar përgjigje gjatë së enjtes.

E njohësi i çështjeve të energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka thënë se KESCO-ja duhet ta përdorë planifikimin e remonteve për të lidhur kontrata më herët me qëllim të sigurimit të çmime më të favorshme të energjisë.

“Do të mund ta përdorin për të siguruar kontrata të leverdishme afatgjate për periudhën sa këto kapacitete gjeneruese do të jenë jashtë funksionit, me çmime më të volitshme, ashtu që xhepi i qytetarit të mos preket dhe në këtë formë të mbrohet interesi publik. Në rast se nuk ndodh kjo, rrezikohet edhe një rritje, jo 20 për qind, por edhe 30 për qind”, ka thënë ai.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë të mërkurën se blloqet e KEK-ut duhet të ndalen për disa muaj dhe se importi i rrymës do të vazhdojë të jetë i tillë edhe gjatë këtyre dy vjetëve.

Shkaku i mungesës së prodhimit vendor si rezultat i ndërhyrjeve në blloqe ka pasur rritje të importit të energjisë, duke bërë që KESCO-ja, në aplikimin për të hyra maksimale, të kërkojë që çmimi i rrymës të rritet për mbi 21 për qind.