Zyra e Rregullatorit për Energji i ka paralajmëruar bizneset që do t’u ndërpritet rryma nëse nuk lidhin kontrata me furnizues në treg të lirë deri më 16 gusht. Bizneset janë shprehur të alarmuara dhe kanë kërkuar sërish shtyrje të afatit. E përfaqësues të bizneseve thonë se pasojat do të jenë të mëdha për ekonominë nëse bëhet dalja e detyruar në treg të hapur
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar të mërkurën se nga 16 gushti do të shkyçen nga rrjeti të gjitha bizneset që i plotësojnë kushtet për të dalë në treg të hapur të energjisë nëse ato nuk kanë lidhur kontratë me furnizues.
ZRRE-ja në njoftim ka shkruar se shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale e ka konfirmuar ligjshmërinë e vendimit për të dalë në treg të hapur.
“Ashtu siç kemi theksuar edhe më herët, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme, duke respektuar të gjitha standardet procedurale dhe materiale. Ligjshmëria e këtij procesi po konfirmohet nga gjykatat kompetente, së fundi edhe nga Gjykata Komerciale – Dhoma Shkalla e Dytë, duke vërtetuar se të gjithë hapat janë ndërmarrë në përputhje me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.
Këtë paralajmërim përfaqësues të bizneseve e kanë parë si kërcënim, derisa kanë paralajmëruar për pasoja të rënda nëse kjo politikë zbatohet ashtu siç ka paralajmëruar ZRRE-ja.
“ZRRE-ja është dashur ta rregullojë tregun dhe biznesi vetë të dalë në treg të lirë, ta gjejë kohën edhe momentumin të dalë në treg të lirë e jo ZRRE-ja t’i shtyjë bizneset kah tregu i lirë, kah operatorët e tjerë dhe t’i dëmtojë bizneset tona, sepse dihet që ofertat që i kanë pranuar janë 100, 200 deri në 300 për qind më shtrenjtë sesa që kanë pasur me çmim të rregulluar”, ka thënë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike. “I bëjmë thirrje Zyrës për Rregullatorin e Energjisë që të mos ndërmarrë veprime, sepse do të jetë skandal”.
Rafuna thotë se ZRRE-ja duhet të presë, pasi vendimi i shkallës së dytë i Komerciales nuk është vendim përfundimtar.
“Masa e përkohshme ka qenë e vendosur nga Gjykata Komerciale dhe e ka shpallur njoftimin e ZRRE-së të kundërligjshëm, ndërkaq shkalla e dytë e ka kthyer masën. Mirëpo, mbi objektin e ankesës ende nuk është vendosur. Për këtë arsye, ne i bëjmë thirrje ZRRE-së që siç ka pritur deri sot, le të presë deri sa të vendoset mbi objektin e ankesës. Në anën tjetër, ne do ta vazhdojmë betejën në Gjykatë Supreme dhe do të shkojmë deri në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.
Kërkesë për shtyrjen e zbatimit të vendimit ka bërë edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, e cila i është drejtuar edhe me letër ZRRE-së.
“E ritheksojmë edhe një herë se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë i qëndron prapa qëndrimit të saj që liberalizimi i tregut të energjisë elektrike duhet të pezullohet në tërësi dhe të nisin menjëherë konsultimet publike me të gjitha palët e interesit. Vlerësojmë se forma e zgjedhur nga ZRRE për ta realizuar liberalizimin e tregut të energjisë elektrike është tërësisht e gabuar dhe e dëmshme për qytetarët dhe ekonominë e vendit. Nga ky hap rrezikohen shumë vende pune, ulje të kapaciteteve prodhuese, rënie të konkurrueshmërisë në treg dhe mbyllje të bizneseve”, thuhet në Letrën e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë drejtuar ZRRE-së.
Kanë reaguar edhe përfaqësues të partive politike, që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë.
Shefi i Departamentit për Ekonomi në PDK, Arben Mustafa, ka shkruar në Facebook se ZRRE-ja po ushtron represion ndaj bizneseve, tek e ka akuzuar edhe Qeverinë në detyrë se po i lufton bizneset.
“Lufta ndaj bizneseve sot kaloi në një nivel tjetër, nga njerëz që kanë uzurpuar institucionet shtetërore! Albin Kurti sot e ka kapur edhe ATK-në, duke emëruar ish-kandidatin për deputet të VV-së në pozitën e drejtorit. Me këtë veprim, ATK po shndërrohet në një instrument politik, që do të rrisë edhe më shumë pasigurinë e bizneseve për të operuar në Kosovë. Sikur të mos mjaftonte represioni që po ushtrohet ndaj bizneseve përmes ZRRE-së, tani qeveria ka futur në dorë edhe një instrument tjetër të fuqishëm për ta çuar luftën ndaj sektorit privat në një nivel të ri”, ka shkruar Mustafa.
Ndërsa deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka shkruar se bizneset po detyrohen të dalin në një “treg të lirë” që nuk ekziston.
Ajo ka paralajmëruar se puna e parë pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Komisioneve Parlamentare do të jetë formimi i një Komisioni Hetimor, i cili në veçanti do të hetojë ZRRE-në, KOSTT-in dhe të gjithë akterët në sektorin e energjisë.
“Hetim dhe përgjegjësi për përjashtimin e 1300 kompanive nga shërbimi universal i furnizimit me energji në emër të një tregu të lirë që nuk ekziston. Hetim për dominimin e tregut nga NOA dhe EFT-ja e Vuk Hamoviqëçit, dështimet e remontëve në KEK, blerjet e energjisë jashtë rregullave të tregut nga ana e KOSTT-it, KEDS-it dhe KESCO-s”, ka shkruar Bajrami. “Për të gjitha këto të bëma ka njerëz përgjegjës në ZRRE, në Ministri të Ekonomisë dhe në KOSTT, por përgjegjësit kryesorë për çdo gjë që ka ndodhur në sektorin e energjisë janë bordi i ZRRE-së, institucion ky që është mbikëqyrës dhe licencues i të gjithë akterëve në këtë sektor”.
Sipas Bajramit, Bordi i ZRRE-së i është nënshtruar qeverisë dhe mafisë energjetike që katër vjet e gjysmë.
Të martën, shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka aprovuar ankesën e ZRRE-së, duke refuzuar shtyrjen e ekzekutimit të daljes së bizneseve në treg të hapur të energjisë elektrike.
“Aprovohet si e bazuar ankesa e të paditurit Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) me seli në Prishtinë. NDRYSHOHET pika IV e Aktgjykimit K.A.nr.301/25 e datës 29.07.2025 e Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Administrative, ashtu që vendoset si në vijim: Refuzohet si e pabazuar kërkesa e paditësit … me seli në Prishtinë, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nr.272/23 të datës 05.04.2025 dhe njoftimit të datës 12.03.2025 të nxjerrë nga ZRRE”, thuhet në vendimin e shkallës së dytë të Komerciales.
ZRRE-ja në mars kishte njoftuar se bizneset me mbi 50 të punësuar apo mbi 10 milionë euro qarkullim do të dalin në treg të hapur të energjisë. Ky njoftim është kundërshtuar nga biznese të ndryshme, të cilat kanë ngritur lëndë të veçanta në gjykatë.
E, javë më parë Komercialja pati anuluar njoftimin për dalje në treg të lirë.
Vendimi i Komerciales për anulim të njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe të njërës pikë të vendimit për liberalizimin e tregut, sipas juristëve, qe i vlefshëm për të gjitha bizneset dhe nënkupton se ato nuk janë të detyruara që të dalin në treg të hapur të energjisë. Vendimi i ZRRE-së ishte dërguar për trajtim në Gjykatën Komerciale nga kompania “Proex”, nën pretendimet se është i paligjshëm.
Por, pas apelimit në shkallë të dytë nga ZRRE-ja, vendimi i shkallës së parë është anuluar.
Në Kosovë liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.
Në vendet e Bashkimit Evropian procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.
Në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër.