Arbëri

Zulfaj kërkon më shumë seriozitet nga BE-ja në lidhje me rrugëtimin e Kosovës drejt saj

Këshilltari i kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se në takimin e sotëm mes Kurtit dhe shefes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është diskutuar për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimi Evropian. Zulfaj ka thënë se duhet të ketë një përgjigje në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

Në emisionin “Interaktiv” në KTV, Zulfaj ka theksuar se nuk ka asnjë parakusht për dhënien e pyetësorit nga Komisioni Evropian, që konsiderohet si hap i parë për rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Siç e dini kemi pasur aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e që këtë vit do të bëhen tri vjet prej se është dorëzuar aplikacioni në Pragë, në dhjetor të vitit 2022 dhe sigurisht kjo ishte ndër pikat e diskutimit, që duhet të ketë përgjigje nga Bashkimi Evropian për dhënien e pyetësorit i cili do të duhej të bëhej shumë më herët edhe statusi kandidat sepse Kosova është e vetmja që nuk e ka këtë. Nuk ka asnjë parakusht për dhënien e pyetësorit. Ky është diskutimi, ajo që Von der Leyen tha është që duhet konsesus brenda Bashkimit Evropian por që kjo si presidente i duhet një miratim brenda Këshillit Evropian si kërkesë që ta pyes Komisionin dhe që kjo vendimmarrje nuk po ndodhë brenda BE-së, sigurisht është përgjegjësi e BE-së sepse nuk ka parakushte”, deklaroi këshilltari i Kurtit.

I pyetur nëse Von der Leyen ka vullnet për një çështje të tillë apo si e merr këtë kërkesë nga ana e Kosovës, Zulfaj tha se duhet të ketë më shumë seriozitet nga BE-ja.

“Duhet të ketë më shumë seriozitet, vizitat në rajon dhe përkushtimi i saj është i madh, mirëpo duhet të rezultojë me veprime konkrete. Fatkeqësisht Bashkimi Evropian i ka vonuar, e ka vonuar edhe liberalizimin e vizave edhe tash dhënine e statusit kandidat”, ka thënë Zulfaj në “Interaktiv”.