Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zyra e BE-së në Kosovë do të mbetet pa ambasador edhe për një kohë

Bashkimi Evropian Kosova

Foto: Driton Paçarada

KOHA mëson nga burimet diplomatike se në BE nuk kanë arritur të përmbyllin emërimin formal të ambasadorit të ri në Kosovë që pritej të ishte një diplomat i lartë nga Italia. Prandaj mund të kalojnë disa javë apo muaj deri tek emërimi i shefit të zyrës në Prishtinë i cili për shkak të rëndësisë e ka edhe statusin e përfaqësuesit special të BE-së.

Një diplomat Italian (emri i njohur për redaksinë) me përvojë nga shërbimi diplomatik i BE-së dhe me përvojë diplomatike edhe nga rajoni, ishte zgjedhur jozyrtarisht për ta udhëhequr zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë. Në atë post ai ishte dashur të jetë pasardhës i diplomatit Estones Aivo Orav, i cili tashmë ka nisur mandatin e ambasadorit të Bashkimit Evropian në kryeqytetin e Turqisë, Ankara. Por, siç mëson KOHA nga disa burime diplomatike, emërimi formal i ambasadorit të ri në Kosovë nuk ka kaluar dhe tash kjo zyrë me rëndësi të veçantë pritet për një kohë të mbetet pa numrin një, me ushtrues detyre.

Zyra në Kosovë, krahas asaj në Sarajevë, kanë një status të veçantë sepse ato udhëhiqen edhe nga përfaqësues të posaçëm të BE-së. Status të tillë kanë ambasadorët e Bashkimit nëpër botë të cilët janë në vende që konsiderohen „më shumë problematike“ nga aspekti i sigurisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Postin e '”përfaqësuesit special” e ka edhe Peter Sorensen në cilësinë e lehtësuesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. 

Disa diplomatë në BE janë shprehur se ishin jashtëzakonisht të kënaqur me punën që gjatë mandatit të tij jo të plotë në Kosovë kishte bërë ish-shefi i zyrës së BE-së, Aivo Orav. Mandati i tij ishte në një periudhë të vështirë me krizën politike në Kosovë pasi nuk ishin formuar institucionet e reja në bazë të zgjedhjeve dhe në një kohë kur raportet e Kosovës me BE-në ishin të dëmtuara për shkak të mos besimit dhe masave ndëshkuese të cilat Bashkimi Evropian i kishte vendosur ndaj Kosovës.

Burimet diplomatike në Bruksel nuk kanë përmendur arsyet pse nuk është emëruar akoma ambasadori i BE-së në Kosovë. Këto burime thonë se as ata “nuk janë të sigurt se çfarë është duke ndodhur“ duke thënë se “I takon përfaqësueses së lartë Kaja Kallas që të vendosë e pastaj vendeve anëtare që të pajtohen me vendimin e saj”.

Tash është paksa e paqartë por pritjet janë që të ketë një proces të ri për caktimin e ambasadorit të BE-së në Kosovë.

Disa burime diplomatike në Bruksel kanë spekuluar se si pengesë joformale mund të ketë qenë edhe fakti se tashmë ka disa diplomatë Italianë në rajonin e Ballkanit dhe po ashtu në postet e larta në Bruksel që merren me Ballkanin Perëndimor. Nga Italia janë ambasadorët e BE-së në Tiranë dhe Sarajevë ndërsa ish-ambasadori i BE-së në Beograd, po ashtu italian, ka nisur një post të lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) në Bruksel. Në rast se një diplomat nga Italia do të jetë ambasador i BE-së në Kosovë atëherë pra 3 nga 6 ambasadorët e BE-së në rajon do të ishin nga ky shtet. Kjo nuk mund të jetë ndonjë pengesë formale por ka diplomatë nga disa vende anëtare të cilët kanë thënë se “do të preferonin që të ketë më shumë balancë gjeografike në rrjetin e diplomatëve të BE-së në Ballkanin Perëndimor”. Në anën tjetër ka edhe diplomatë që thonë se “nuk është faji i Italisë nëse ajo ka më shumë interes sesa vendet e tjera të BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor”. Diplomatët në Bruksel vërejnë se Italia më së shumti është e interesuar për Shqipërinë dhe Serbinë në angazhimin e saj gjatë diskutimeve në strukturat e Bashkimit Evropian.  

Italia pa dyshim është ndër vendet që ka më së shumti interes për rajonin dhe këtë e shpreh edhe në kandidimin e diplomatëve të saj për poste në BE dhe NATO që kanë të bëjnë me këtë rajon. Edhe shefi i EULEX-it është nga Italia dhe ky vend ka pasur më së shumti edhe komandën e misionit të KFOR-it në Kosovë. Po ashtu Italia ka edhe numrin më të madh të ushtarëve në këtë mision me mbi 900 ushtarë e pasuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me afër 600 pjesëtarë.

Derisa të mos zgjidhet formalisht ambasadori i ardhshëm i BE-së në Kosovë, zyra në Prishtinë do të drejtohet nga Eva Palatova në cilësinë e ushtrueses së detyrës.

Disa diplomatë të vendeve anëtare do të preferonin që sa më parë BE të emërojë ambasadorin në Kosovë dhe të rritet dinamika e raporteve të BE-së me Kosovën. Ata thonë se “ka pasur vërejtje se Kosova është neglizhuar” dhe si shembull marrin edhe faktin se komisionerja për zgjerim Marta Kos as pas 14 muajsh sa është në këtë post asnjëherë nuk e ka vizituar Kosovën ndërsa vendet e tjera të rajonit i ka vizituar, disa prej tyre më shumë se një herë. E përfaqësuesja e lartë Kaja Kallas e kishte vizituar Kosovën në kuadër të një turneu nëpër gjithë rajonin. Por për mungesë të kontakteve më të shpeshta në BE kanë arsyetuar shpesh me faktin se Kosova ka qenë “në fazë permanente zgjedhore” se “nuk ka pasur institucione me legjitimitet të plotë” dhe në disa raste edhe për shkak të masave ndëshkuese të cilat ishin edhe politike. Por e gjithë kjo tashmë thuhet se është tejkaluar pasi masat janë hequr. Megjithatë një ngërç i ri politik në Kosovë do të dëmtojë edhe progresin e Kosovës drejt BE-së e mund të ketë ndikim edhe në dinamikën e raporteve mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.