Arbëri

Zyrtarë të LDK-së e të Telekomit me akuza të ndërsjella për kontratat njëburimore

Përplasjet për kontrata njëburimore, kanë vazhduar ndërmjet Telekomit dhe Lidhjes Demokratike. Zyrtarë të ndërmarrjes publike kanë kërkuar që deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, të tërhiqet nga akuzat, e në LDK kanë konsideruar që Qeveria po shfrytëzon eksponentë të Vetëvendosjes për t’i ikur përballjes 

Padi për shpifje ndaj deputetes Hykmete Bajrami dhe institucionit të Kuvendit kanë paralajmëruar të mërkurën në Telekomin e Kosovës.
Sipas kësaj ndërmarrjeje, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të mbajtur të enjten e javës së kaluar, e cila u thirr për debat lidhur me kontratat njëburimore, deputetja

Bajrami ka dezinformuar opinionin publik kur ka deklaruar se Telekomi ka lidhur kontrata njëburimore në vlerë rreth 21 milionë eurosh.

Zyrtari i Lartë i Financave në Telekom, Feim Kelmendi, ka thënë që deputetja Bajrami i është referuar kontratave të negociuara, që jo domosdoshmërisht janë njëburimore. Ai ka thënë që kontratat njëburimore të Telekomit kapin shifrën e 4.6 milionë eurove, ku më shumë se gjysma janë kontrata për blerjen e të drejtave të transmetimit të kanaleve televizive.

“16.7 milionë euro të tjera, të cilat deputetja pretendon që janë të negociuara si kontrata njëburimore, nuk është e vërtetë sepse këto kontrata janë negociuar me dy, tre, katër apo më shumë operatorë... Kryesisht janë kontrata për mirëmbajtje të platformave që mund të ofrohen vetëm nga prodhuesi i platformave dhe mirëmbajtja e tyre negociohet direkt vetëm me prodhuesin e tyre”, ka thënë Kelmendi.

Telekomi ka kërkuar që reagimi të lexohet nga deputetja në seancë plenare. 

E kontaktuar nga KOHA, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike ka thënë që i është referuar të dhënave të ofruara nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik dhe se padinë mund t’ia drejtojnë këtij institucioni dhe se ajo nuk tërhiqet nga deklarimet e dhëna. 

Telekomit, në Facebook, i ka reaguar Lidhja Demokratike, që ka kërkuar nga ky institucion shpjegim për numrin e kontratave me negocim direkt.

 “Qeveria po shfrytëzon mekanizma të tjerë propagandues përmes ndërmarrjeve publike që kontrollohen nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo u dëshmua dhe me reagimin e fundit të Telekomit të Kosovës. Ky reagim, në tentativë që të demantojë informacionin zyrtar të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në vend që të sqarojë të gjitha rrethanat e 21 milionë eurove të kontraktuara direkt, zgjodhi të merret me nënkryetaren e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Ligji për Prokurim Publik nuk e njeh termin “kontrata njëburimore” por vetëm kontrata të negociuara me apo pa publikim. Neni 35 i këtij ligji parasheh se kontrata të negociuara mund të lidhen në raste të emergjencave ekstreme, kur për arsye objektive kontrata duhet t’i jepet një operatori të caktuar ekonomik, kur për arsye të mbrojtjes së të drejtave të pronës intelektuale, apo industriale, apo të drejtave ekskluzive, kontrata mund t’i jepet vetëm një operatori të caktuar ekonomik e të tjera.