OpEd

Një konklavë për Kuvendin e Kosovës

Loja me moszgjedhjen e kryetares së Kuvendit të Kosovës është bërë aq e pakuptimtë, po dëshmon aq shumë papërgjegjësi të forcave politike, saqë do të ishte mirë që të gjithë deputetëve t’u mbyllet dera me dry në Kuvend dhe të mos lejohen të dalin derisa të mos e zgjedhin kreun e Kuvendit. Një lloj konklave për ta

Çfarë ndodhi në botë javën e fundit në kohën kur deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhduan të tallen me popullin që i ka votuar dhe nuk po arrijnë ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit.

Ndodhën vërtet gjëra historike.

Nisi, e në fund edhe u ndal, lufta mes dy shteteve që kanë armë atomike. Mes Indisë dhe Pakistanit.

Vazhdoi lufta në Ukrainë, ndërsa bota u nda në dysh në shënimin e ditës së fitores ndaj fashizmit.

Në Moskë u mblodh ajo pjesa e botës jodemokratike dhe joliberale, që në një mënyrë paraqet një lloj fashizmi të ri.

Në Francë, Ukrainë, Britani dhe shumë vende të tjera perëndimore u shënua 80-vjetori i fitores ndaj fashizmit.

Institucionet e BE-së shënuan, e Kosova edhe e festoi si festë të saj kombëtare “Ditën e Evropës”. Për të dëshmuar se askush nuk e do më shumë këtë BE sesa Kosova dhe BE-ja në anën tjetër askujt në rajon nuk i vendos sanksione pos Kosovës.

U zgjodh edhe kancelari i Gjermanisë. Historike ishte që kancelari nuk i mori votat e mjaftueshme në rundin e parë të votimeve në Bundestag, por vetëm në votimin e dytë.

Dhe lajmi që bëri më së shumti jehonë ishte tymi i bardh nga Kapeta Sistine në Vatikan, që lajmëroi se kardinalët zgjodhën Papën e ri. Edhe këtu u shënua historia, sepse për herë të parë u zgjodh një amerikan, pra një kardinal nga një vend i cili nuk është i njohur aq shumë si “vend katolik”, por që në të njëjtën kohë, duke qenë vend i madh, është ndër vendet me më së shumti katolikë në botë, menjëherë pas Brazilit, Meksikës dhe Filipineve. Dhe Robert Prevost, tash Papa Leoni XIV, është një amerikan i lindur në Çikago, me prejardhje franceze-italiane-spanjolle, me shtetësi edhe të Perusë.

Gjatë gjithë kësaj jave, kur bota po shënonte ngjarje historike, kosovarët patën mundësi të përcillnin çdo 48 orë nga një takim të shkurtër të Kuvendit, ku konstatohet se partitë që ishin në opozitë nuk kanë paraqitur kandidat për një komision, i cili do të vendoste për votim të fshehtë, dhe se nuk ka vota për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit. Krejt kjo ceremoni zgjat pak minuta, e pastaj tërë ditën përfaqësues të partive politike dalin dhe shpjegojnë qëndrimet e tyre apo më mirë të thuhet akuzojnë për këtë ngërç partitë e tjera. Pra është e qartë se Kosova është e bllokuar dhe vetëm po shtyhen se kush për këtë e ka fajin.

Dhe këtë javë në Kosovë për herë të parë do të vijë presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Ai do të takojë presidenten dhe Albin Kurtin, posti zyrtar i të cilit është edhe “kryeministër në largim”, por edhe deputet i Kuvendit të Kosovës. Pa marrë parasysh se mund të thuhet se Kosova nuk është pa qeveri, sepse e ka një “në largim”, “në dorëheqje” apo “teknike”. Por e tillë çfarë është ajo nuk mund të marrë vendime vitale për Kosovën, e as nuk ka një Kuvend të cilit mund t’ia paraqesë për miratim ndonjë vendim të tillë, për shembull Marrëveshjen për kredi dhe asistencë nga BE-ja, pa të cilën nuk mund të bëhen pagesat. Po ashtu, duke pritur institucionet e reja, iku edhe një afat për t’u bërë Kosova anëtare e Këshillit të Evropës. Para një viti ishte shumë afër për t’u bërë anëtare e plotë, ndërsa tash nuk po mund të jetë në agjendë as për të fituar statusin e mysafirit.

Këtu përmendëm disa çështje të raporteve ndërkombëtare, ku Kosova po ngec edhe për shkak se nuk ka institucione stabile, por ka edhe shumë çështje brenda Kosovës që presin veprime.

Loja me moszgjedhjen e kryetares së Kuvendit të Kosovës është bërë aq e pakuptimtë, po dëshmon aq shumë papërgjegjësi të forcave politike, saqë do të ishte mirë që të gjithë deputetëve t’u mbyllet dera me dry në Kuvend dhe të mos lejohen të dalin derisa të mos e zgjedhin kreun e Kuvendit. Një lloj konklave për ta. Ngjashëm me Konklavën e Romës, ku kardinalët mbyllen dhe nuk dalin derisa të mos e zgjedhin Papën. Ka pasur në histori kur kardinalëve, për t’iu bërë presion që të vendosin, ua kanë ndalur edhe ushqimin.

Nga sjellja e partive politike në Kosovë, dhe nga propozimet e tyre është vështirë të mësohet se ku e kanë qëllimin dhe kë saktësisht duan. Në fakt, nga këto propozime më shumë fitohet përshtypja se propozojnë qëllimisht ide për të cilat janë të sigurt se nuk do të kalojnë. Prandaj mund vetëm të spekulojmë se ku e kanë qëllimin.

Situata është më e thjeshtë sesa duket. Rezultatet e zgjedhjeve janë ato që janë dhe janë reale. Ato nuk lënë mundësi që të krijohet një qeveri stabile me një shumicë të mjaftueshme për të siguruar jetën afatgjate të saj dhe fuqinë për të çuar përpara vendime edhe të vështira.

Ky taktizim i partive politike, që duket se do të çojë deri te zgjedhjet e reja, mund t’i irritojë edhe më shumë qytetarët saqë në ato zgjedhje të jashtëzakonshme pjesëmarrja do të mund të ishte edhe më e vogël. Dhe në fund rezultatet mund të mos jenë shumë ndryshe nga ato të 9 shkurtit. Vërtet ky komplikim është kombinim i numrave, procedurave dhe mendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj në këto rrethana vetëm marrëveshjet politike mund ta nxjerrin Kosovën nga kjo bllokadë.