Arbëri

Zyrtarë të qeverisë akuzojnë disa politikanë në Luginë se po nxisin Beogradin për bllokimin e fondeve

Bllokimi i fondit të Qeverisë së Kosovës për bujqit e komunave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është bërë arsye për përplasje e akuza mes politikanëve atje dhe atyre që aktualisht janë pjesë e Qeverisë së Kosovës. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës akuzuan drejtues të Alternativës për Ndryshim për bashkëpunim me autoritetet e Serbisë në bllokimin e fondeve për Luginën

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë adresuar akuza ndaj përfaqësuesit politik të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për bashkëpunim me autoritetet e Serbisë në bllokimin e fondeve të ndara për ta. Shkak është bërë bllokimi i shpërndarjes së mjeteve për fermerët e Luginës nëpërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptar. 

Në shkresën dërguar ministrisë serbe, Lëvizja për Ndryshim kishte pyetur vitin e kaluar nëse Këshilli Kombëtar Shqiptar ka ndërmarrë veprime jashtë kompetencave të tyre të parashikuara me ligji, në ndarjen e fondeve nga Kosova. 

“Duke pasur parasysh që Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve funksionon brenda Ministrisë suaj, dhe ndarja e subvencioneve nuk bie në fushëveprimin ose kompetencat e tyre, ju drejtohem juve si Ministri kompetente, me pyetjen: A jeni në dijeni të kësaj dhe a i keni dhënë Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve pëlqimin për ndarjen e subvencioneve për fermerët, kur dimë që fushat e NSA-së janë - arsimi, kultura, informacioni dhe përdorimi i gjuhës dhe shkrimit?”, shkruan në letrën e PNV-së. 

Në përgjigje të shkresës, më 27 janar 2025, ministria përkatëse merr vendim për anulimin e këtij konkursi. 

Pas vendimit, Këshilli Kombëtar Shqiptar ushtroi ankesë në Gjykatën administrative, e cila u refuzua duke e konsideruar Këshillin si palë jo kompetente për të ngritur çështje. 

Ragmi Mustafi, këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi i ka fajësuar përfaqësuesit e Alternativës për Ndryshim, Visar Memetin e Arbër Pajazitin se pamundësuan shpërndarjen e mjeteve, për të cilat pretendon se programi përcakton mbështetje për ruajtjen e trashëgimisë bujqësore. Sipas tij, nga ky fond do të përfitonin 100 bujq. Mustafi që më herët ka udhëhequr Këshillin Kombëtar të Luginës, ka shtuar se kjo ndërhyrje e Ministrisë është jo kushtetuese dhe shkel drejtpërdrejtë vetëqeverisjen e pakicës të garantuar me ligjet përkatëse. 

“Ndalimi i mjeteve të Republikës së Kosovës në Luginën e Preshevës përkatësisht për programin e mbështetjes së bujqve shqiptarë dhe ruajtjes së trashëgimisë bujqësore është i paprecedent. Madje ky është vendimi i vetëm i Ministrisë së drejtave të njeriut, minoriteteve dhe dialogut social që ndërhyn drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e një këshilli kombëtar të pakicës nacional nga 24 sa janë në Serbi. Kjo edhe shihet si tendencioze, aq më tepër e nxitur nga partia APN e Visar Memetit e Arbër Pajazitit për fat të keq që përdorin institucionet e shtetit të Serbisë ne betejat politike me partitë shqiptare”, ka thënë ai. 

Kjo çështje u ngrit nga zëvendëskryeministri Bislimi edhe në takimin e javës së shkuar në Bruksel. 

“Tashmë që është ngritur si temë ne kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të duhej të marrë epilog”, ka thënë Mustafi. 

Visar Memeti u është përgjigjur akuzave duke ofruar kronologjinë e rastit me grantin për fermerët tek ka akuzuar Mustafin për keqpërdorim të fondeve. 

“Më datë 10 tetor 2024, ish-kryetari i KNSH-se Nevzad Lutfiu, përmes një postimi në facebook ka njoftuar se Qeveria e RKS, ka ndarë 1mln euro për bujqit e Luginës, ku ky fond do t'i shpërndahet bujqve të Luginës përmes KNS-së. Ndërkohë, unë me datë 11 tetor 2024, kam reaguar ku kam ngritur si shqetësim dhe dyshim edhe për një keqpërdorim nga ana e KNS-së, si ai i vitit 2022, ku janë keqpërdorur afër 2 milionë euro nga KNSH, ku në krye ishte Ragmi Mustafi, duke ua rikujtuar se KNSH nuk ka fushë-veprimtari të saj bujqësinë, por arsimin, kulturën, përdorimi e gjuhës dhe informimin, dhe me këtë rrezikohet shpërndarja e këtyre mjeteve për bujqit”, ka thënë kryetari i PNV-së. “Me datë 26 tetor 2024, në mbledhjen e mbajtur në KNSH në lidhje me hapjen e thirrjes publike nga ana e KNSH, këshilltarët nga ana e partisë sonë, edhe një here kanë shprehur shqetësimin për këtë çështje, dhe kanë deklaruar se një gjë e tillë është e kundërligjshme, dhe rreziku është që bujqit të mbesin pa mjete, ndërsa kryetari i atëhershëm Nevzad Lutfiu, e ka pohuar një gjë të tillë, që është i vetëdijshëm që është në kundërshtim me ligjin, por duhemi të veprojmë kështu”. 

Ai më tej ka treguar pse vendosën t’i drejtohen ministrisë në Serbi lidhur me grantin e qeverisë së Kosovës. 

“Pas kësaj, ne si subjekt u jemi drejtuar Ministrisë përkatëse, ku kemi kërkuar sqarim në lidhje me ligjshmërinë e këtij konkursi, duke qenë të vetëdijshëm për veprimtarinë e KNSH-së, dhe asnjëherë nuk është bërë ankesë ose kërkesë për anulimin e konkursit siç pretendon Partia për Veprim Demokratik (PVD). Pastaj Ministria përkatëse ka kërkuar sqarim nga KNSH, në lidhje me këtë konkurs për bujqësi, duke sqaruar se për cilat fusha është kompetente KNSH. Brenda kësaj kohe konkursi është kry, bujqit kanë aplikuar, është bërë selektimi i bujqve, dhe me datë 27 dhjetor 2024, Qeveria e RKS, ua transferon mjetet prej 1 milion euro në llogari të KNSH-së, ndërsa Ministria përkatëse më 27 janar 2025 merr vendim për anulimin e këtij konkursi”, ka deklaruar ai. 

Memeti pretendon se KNSH bëri politikë me bujqit pasi pati kohë një muaj për t’ua transferuar mjetet, gjë të cilën nuk e bëri. 

“Kjo është shumë me rëndësi - dmth KNSH ka pasur kohë plot 1 muaj për kryerjen e pagesës bujqve të cilët kanë qenë përfitues në këtë konkurs, mirëpo kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, me të vetmen arsye, për të bërë politikë me bujqit edhe për ta luajtur viktimën. Ndërsa nga ana tjetër për vetëm 3 ditë kanë shpenzuar 80 mijë euro (mjete këto nga shuma prej 1 milion euro e bujqve), ku kanë paguar renovimin e objektit të KNSH-se dhe shumë shpenzime të tjera, por jo edhe bujqit”, ka thënë ai.

E Ragmi Mustafi ka folur për rrethanat që sipas tij pamundësuan shpërndarjen e mjeteve tek bujqit. 

“E para, pikëpyetje për mua është pse ata i kanë kërkuar Ministrisë me këqyr këtë punë? Pra, unë e shoh këtë si një luftë politike, të cilët donë me përdorë shtetin kundër kundërshtarëve politikë që i kanë aty. Pra, Alternativa për Ndryshim, në këtë rast udhëheqja e saj po i përdor mekanizmat shtetërore për t'i goditë oponentët politikë shqiptarë që i kanë, ndryshe pse do ta dërgonin? Cili ishte interesi i tyre që do ta dërgojnë? Pse ata janë kundër 100 bujqve që duhet përfituar nga grantet e Republikës së Kosovës?”, ka thënë ai. “Tash, si ka ndodhë që këta nuk kanë mundur brenda atij muajit t’i akomodojnë apo t'i shpërndajnë mjetet është për shkak se mandati i cili është ndarë në dysh me një marrëveshje politike mes PVD-së dhe LPD-së, zoti kryetari Nevzad Lutfiu e ka përfunduar mandatin. Në të njëjtën kohë është emëruar përkatësisht është zgjedhë kryetari i ri, që është Enkel Rexhepi. Kjo ka ndodhë në kohën kur janë bartë mjetet. Pra, në fund të vitit, dhe kjo është me datën 27 dhjetor kur mjetet i kanë mbërri Këshillit. Në tetor ka qenë i hapur konkursi, me 31 dhjetor është ndërruar kryetari i Këshillit, më pas kanë filluar festat në Serbi - prej vitit tri, Bozhiqi e kështu me radhë. Pastaj ministria e ka anuluar vendimin për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit. Këshilli u mbledh prapë për ta zgjedhë kryetarin dhe deri kur është zgjedhur kryetari, më pas Ministria ka marrë një vendim që ka qenë i njëjtë. Pra në të njëjtën ditë me të cilin e ka anuluar vendimin, me të cilin është zgjedhë kryetari i këshillit e ka anuluar vendimin me të cilin është hap konkursi. Tashmë Këshilli e ka kryetarin, është legjitim, dhe ai ka kërkuar që këto mjete t'i shpërndajë. Megjithatë, është në një luftë politike, përkatësisht juridike, me shtetin për t'i shpërndarë këto mjete”, ka thënë Mustafi.

Duke iu përgjigjur akuzave për keqpërdorim të fondeve periudhën sa ka udhëhequr me Këshillin Nacional, Mustafi thotë se ato nuk qëndrojnë. Sipas tij, për këtë rast ka pasur dy kallëzime penale nga PVD-ja. Në Serbi, sipas Mustafit është mbyllur pasi nuk janë gjetur prova, ndërkaq në Kosovë rastin është duke e trajtuar Prokuroria Speciale. Sipas tij, përfitues nga ajo thirrje kanë qenë edhe themelues të PVD-së dhe familjarë të tyre, përfshirë bashkëshorten e Memetit. 

“Një prej atyre që ka përfituar është themeluesi i Alternativës për Ndryshim, Shkëlzen Limani, i cili nuk është në atë parti, po ka qenë themeluesi i asaj partie. Ka përfituar e shoqja, bashkëshortja (e Memetit v.j.) përmes projekteve që kanë realizuar. Unë nuk e mohoj këtë. Ata kanë bo projekte të mira”, ka thënë Mustafi. 

Por Memeti mohon se ka përfituar gruaja e tij tek e ka vënë në dispozicion listën, ku nuk figuron emri i gruas së tij. 

“Është lista e 78 përfituesve me sa e mbaj mend, dhe askund nuk figuron emri i gruas sime. Kjo është veç shpifje e këtij keqpërdoruesi, këtë është duke e thënë në çdo prononcim ku i bëhet pyetja për këtë çështje. Ne e kemi ngritur këtë çështje në 2022-tën, për keqpërdorime nga njerëz të afërt të Ardita Sinanit, Ragmi Mustafit edhe Shaip Kamberit, ku kanë përfituar me nga mbi 50 mijë euro, edhe atë me fakte, jo me hamendje. Janë 78 përfitues, dhe ne kemi ngritur çështjen për njerëzit e afërt të këtyre treve që i ceka, pak rëndësi ka se a ka fitu Shkelzen Limani apo X a Y, ka qenë konkurs publik”, ka thënë ai.  

E ish-Kryetari aktual i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu të cilin e përmendi Memeti në përgjigjen dërguar “Kohës”, ka thënë se nëse KKSH ka qenë jo kompetent për këtë konkurs, pse ka lejuar që në këtë konkurs të konkurrojnë akterët e APN-së. 

“Në mesin aplikuesve është dhe kryetari i degës së APN-së, në Preshevë, Veli Mustafa (ky i fundit e kishte shpërnda postimin e kryetarit të tij), madje kanë konkurruar edhe disa prej anëtarëve të APN që janë anëtarë në KKSH, për të cilët Visar Memeti deklaron se më kanë paralajmëruar për veprimin e jashtëligjshëm që po ndërmarr. Madje APN në të njëjtën seancë ka kërkuar që në komisionin vlerësues të aplikacioneve t'i kenë dy anëtarë (njëri nga anëtarët e propozuar ishte Florent Shaipi i cili kishte dalë me reagim duke e arsyetuar kryetarin e tij). Pra në njërën anë thonë se KKSH nuk është kompetente, në anën tjetër konkurrojnë për të përfituar”, ka theksuar ai. 

Sipas Lutfiut, procesi ka qenë transparent dhe nëse kanë vërejtur ndonjë keqpërdorim ata që po pretendojnë, është dashur të reagojnë në mbështetje të bujqve të vërtetë e jo të kërkojnë mbështetjen e Beogradit për të bllokuar procesin.