Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Trumpi rrit tarifat për automjetet nga BE-ja

trump

Foto: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi në fundjavë se do të rrisë tarifat për veturat dhe kamionët e importuar nga Bashkimi Evropian në 25%, nga 15% që ishte përcaktuar më parë në marrëveshjen tregtare mes palëve. 

Vendimi pritet të hyjë në fuqi këtë javë dhe, sipas Trumpit, vjen si pasojë e mosrespektimit të marrëveshjes nga ana e BE-së, raportoi Reuters.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një postim në rrjetet sociale, Trumpi deklaroi se vendimi synon të mbrojë interesat ekonomike amerikane. Ai theksoi se automjetet e prodhuara brenda territorit të SHBA-së nuk do të përballen me tarifa, duke nxitur kështu prodhuesit evropianë të zhvendosin fabrikat e tyre në Amerikë. 

“Kjo do t’i detyrojë ata të përshpejtojnë prodhimin në SHBA”, u shpreh ai para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Reagimi nga Evropa ka qenë i menjëhershëm dhe kritik. 

Komisioni Evropian hodhi poshtë pretendimet e Trumpit se Brukseli nuk po zbaton marrëveshjen, duke paralajmëruar se do të marrë masa për të mbrojtur interesat e bllokut në rast se SHBA shkel kushtet e dakorduara.

Zyrtarë dhe ekspertë evropianë e cilësuan vendimin si të papranueshëm. Bernd Lange, kryetar i Komitetit për Tregtinë Ndërkombëtare në Parlamentin Evropian, deklaroi se kjo lëvizje tregon mungesë besueshmërie nga ana e SHBA-së dhe kërkoi një reagim të fortë dhe të qartë nga BE-ja. Ndërkohë, ekonomisti gjerman Marcel Fratzscher bëri thirrje për tarifa hakmarrëse dhe taksimin e kompanive teknologjike amerikane.

Marrëveshja tregtare mes SHBA-së dhe BE-së, e arritur verën e kaluar, parashikonte uljen e tarifave në 15% dhe eliminimin e disa barrierave tregtare. Megjithatë, zbatimi i saj ka ecur ngadalë në Evropë, ku proceset legjislative pritet të përfundojnë në muajt në vijim.