Basketboll

Goditje e rëndë për Bashkimin, tri ndeshje pa shikues

KB Bashkimi

Shpresat e Bashkimit për ta fituar titullin e kampionit të Kosovës në basketboll morën goditje të rëndë të martën në mëngjes. Klubi prizrenas tri ndeshjet e radhës si vendas do t’i luajë pa praninë e shikuesve. Nëse kualifikohet në finale, Bashkimi në dy apo tri ndeshje si vendas nuk do ta ketë përkrahjen e shikuesve.

Bashkimi është dënuar nga Komisioni i Garave për incidentin e rëndë që ndodhi në fund të ndeshjes me Pejën.

Pesë sekonda para fundit të vazhdimit prej pesë minutave, në parket, në pjesën ku ishin të vendosur shikues, ndodhi një incident. Të përfshirë ishin shumë persona, ndërsa u shkëmbyen shumë grushte. Drejtues të klubit prizrenas kanë pasur një përplasje me pjesëtarë të kompanisë së sigurimit, të angazhuar për të mbajtur rendin në palestër.

Ka ndërhyrë policia, e ndërkohë kishte edhe hedhje të mjeteve shpërthyese në fushën e lojës nga ana e tifozëve. Ndeshja e së dielës ka vazhduar vetëm pasi janë larguar të gjithë tifozët nga palestra. 

Sipas vendimit, numri i policëve nuk ishte i mjaftueshëm në krahasim me numrin e shikuesve.

Edhe FBK-ja ka konfirmuar se përleshja fizike ndodhi “mes sigurimit privat, policisë dhe përfaqësuesve të KB Bashkimit”.

Me mjetet e forta të hedhura janë goditur policia, shkruan në raport. 

Bashkimi është dënuar me tri ndeshjet e ardhshme pa shikues dhe me 2000 euro, sipas nenit të propozicioneve të garave që thotë: “Pjesëmarrja apo realizimi i sulmit fizik ndaj lojtarëve, trajnerëve, zyrtarëve apo përfaqësuesve të ekipeve apo personave zyrtarë të deleguar në ndeshje, apo personave zyrtarë të FBK-së pa pasoja fizike”.

Për shkelje tjera, Bashkimi është gjobitur edhe me 2400 euro. 

Incidenti i së dielës mbrëma ishte prej më të rëndëve këtë edicion në basketbollin kosovar. 

Bashkimi e fitoi ndeshjen ndaj Pejës dhe udhëheqe 2:1 në serinë gjysmëfinale të plejofit. Të enjten është ndeshja e katërt në Pejë. 

Në rast të fitores, Bashkimi kualifikohet në finale. Në rast se fiton Peja, ndeshja e pestë zhvillohet të dielën në Prizren, pa shikues në palestër. Seria finale e plejofit zhvillohet deri në katër fitore. Nëse Bashkimi kualifikohet në finale, nuk do ta ketë përkrahjen e shikuesve në dy apo tri ndeshje si vendas, varësisht nga ajo nëse do të luhet ndeshja e pestë gjysmëfinale.

Pas ndërprerjes, Peja kishte lëshuar një njoftim se një lojtar i saj është goditur me grusht gjatë incidentit. Por më pas Peja e fshiu njoftimin. Ndërkohë u konfirmua se drejtues të Bashkimit kishin përleshje me pjesëtarë të sigurimit. Klubi prizrenas ka fajësuar sigurimin që e angazhoi vet, për incidentin e rëndë.

Është gjobitur edhe Trepça. Për hedhje të gjësendeve në fushën e lojës në ndeshjen ndaj Prishtinës dhe për sharje, klubi mitrovicas është dënuar me 1200 euro.