Basketboll

Bashkimi debuton me fitore të madhe në Evropë

Bashkimi

Bashkimi i Prizrenit ka shënuar fitore të madhe në debutimin evropian.

Të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi”, që ishte e mbushur me shikues, Bashkimi e mposhti gjigantin polak të basketbollit, Anwil Wloclawek. 

Prizrenasit ishin vazhdimisht në epërsi, ndërsa në fund fituan me shifrat 80:75.

Anwili është prej skuadrave më të mëdha në FIBA Europe Cup. E ka fituar këtë garë në vitin 2023. Dhe ndeshja mes Bashkimit dhe Anwilit ishte e para e raundit kualifikues të FIBA Europe Cup. Ndeshja e kthimit zhvillohet në Wloclawek të Polonisë më 1 tetor. Skuadra më e suksesshme pas dy ndeshjeve avancon në fazën grupore të FIBA Europe Cup.

Ndeshjen në Prizren më mirë e nisën mysafirët, që krijuan epërsi 8:3. Por lojtarët e Bashkimit, të përkrahur zëshëm nga tribunat reaguan shpejtë. Në minutën e gjashtë dolën para, 14:12, ndërsa në çerekun e parë krijuan epërsi prej dhjetë pikëve, 24:14.

Pas 10 minutave lojë, rezultati ishte 24:16 në të mirë të Bashkimit. Polakët reaguan në çerekun e dytë, të cilin e fituan 21:15. Dhe pas pjesës së parë epërsia e Bashkimit ishte dy pikë, 39:37. Në çerekun e tretë prizrenasit krijuan epërsi deri në 13 pikë, 55:42. Por Anwili u afrua në 58:51 në fund të periudhës.
Tre minuta para fundit, Anwili doli në epërsi 71:70, por sërish Bashkimi u kthye për 74:71. Edhe në fundin e ndeshjes prizrenasit ishin më të fokusuar për fitore me pesë pikë, të cilën do të kërkojnë ta mbrojnë në ndeshjen e vështirë në Poloni.

Isaiah Cousins ishte më i miri te Bashkimi me 21 pikë e shtatë kërcime.

Jeremiah Bailey e përfundoi ndeshjen me 16 pikë e pesë kërcime, ndërsa Kyan Anderson i kishte 13 pikë e shtatë asistime. Amerikani tjetër, De’Quan Lake i kishte gjashtë pikë e shtatë kërcime. Hise në fitoren e madhe kishin edhe vendorët. Lejson Zeqiri i shënoi tetë pikë, Valon Bunjaku pesë, Jan Palokaj shtatë e Meriton Ismaili tri.

Skuadra më e suksesshme pas dy ndeshjeve kualifikohet në grupin ku tashmë është Trepça. Pos kampiones kosovare janë edhe PAOK-u grek dhe Braunschweigu gjerman.


Bashkimi në epërsi ndaj skuadrës së fortë polake

Bashkimi i Prizrenit ka shkuar në pushim me epërsi ndaj skuadrës së njohur e të fortë polake, Anwil Wloclawek. 

Në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, me përkrahjen e madhe të shikuesve, Bashkimi e fitoi pjesën e parë me rezultatin 39:37. 

Çereku i parë u mbyll 24:16 në të mirë të vendësve. Mysafirët u kthyen në periudhën e dytë duke fituar 21:15 dhe e ngushtuan rezultatin në dy pikë. 

Ky është ballafaqimi i parë kualifikues për fazën grupore të “FIBA Europe Cup”. 

Skuadra më e suksesshme pas dy ndeshjeve avancon tutje. Dueli kthyes në Poloni luhet më 1 tetor. 
Në këtë garë do të luajë edhe Trepça, kampionia e Kosovës, që u eliminua në çerekfinale të raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve nga Den Boschi. 

Në rast se e kalon këtë kundërshtar, nënkampioni Bashkimi do të luajë në Grupin F. Në këtë grup është edhe Trepça, skuadra gjermane Braunschweig dhe PAOK-u grek. 

Për Bashkimin është debutim në skenën evropiane, ndërsa Anwil Wloclawek është skuadër me përvojë. Ishte kampion i “FIBA Europe Cup” në vitin 2023.


Bashkimi me përkrahje të zjarrtë

KB Bashkimi ka publikuar të enjten mbrëma një video të shkurtër të tifozëve të vet, që janë në numër të madh në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. 

Bashkimi, që debuton në skenën evropiane të basketbollit, është duke luajtur në raundin kualifikues ndaj Anwil Wloclawek të Polonisë. 

Ndeshja e parë po luhet në Prizren, ndërsa ajo kthyese më 1 tetor. 

Çerekun e parë, prizrenasit e fituan me rezultatin 24:16. 

Skuadra më e suksesshme nga dy ndeshjet avancon në fazën grupore të “FIBA Europe Cup”. 

Në fazën grupore të kësaj gare do të luajë edhe Trepça, që u eliminua në çerekfinale të raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve nga Den Boschi.