Rrjedha e ndeshjeve të para mund të jetë shpresëdhënëse për Borën e Pejën në prag të ndeshjeve të dyta gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Bora pësoi 73:70 nga Bashkimi në Prizren, ndonëse e kishte lojën në “dorë”. Skuadrës prishtinase i mungoi përvoja në ndeshje të kësaj rëndësie. Pësoi disa pikë rresht në dy minutat e fundit dhe lëshoi avantazhin bindës që e kishte.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdërkohë Peja të enjten humbi 86:78 nga Trepça në “Minatori”, por ishte në lojë deri në aksionet e fundit. Pejanët nuk u dorëzuan me gjithë shkëputjen e “xehetarëve” në çerekun e dytë.
Seria gjysmëfinale megjithatë vetëm sa ka nisur. Për kalim në finale skuadrat duhet t’i kenë tri fitore. Pra mund të luhen deri në pesë ndeshje.
Bora e pret Bashkimin të shtunën nga ora 19:30 në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë. Ndërkohë Peja e Trepça përballen të dielën nga ora 19:30 në palestrën “Karagaçi”.
Në ndeshjet e para, në Prizren e Mitrovicë, Bora e Peja, ndonëse të vlerësuara autsajdere, kanë dhënë shenja se do ta kërkojnë deri në fund finalen.
“Nuk kemi shumë përvojë në ndeshje të këtij lloji. E kemi shijuar ndeshjen e parë. Dhe natyrisht do të tentojmë të kthehemi në ndeshjen në Prishtinë”, ka thënë trajneri i Borës, Zoran Kashqelan.
Trepça e Bashkimi kanë nisur plejofin prej gjysmëfinales, ndërsa do ta kenë përparësinë e terrenit vendas në ndeshjet e pesta eventuale. Trepça është në seri prej 21 fitoresh në kampionat dhe e përfundoi edicionin e rregullt në vendin e parë. Bashkimi ishte i dyti.
Bora në çerekfinale e eliminoi lehtë Sigal Prishtinën, ndërsa Peja e eliminoi Golden Eagle Yllin, ndonëse e kishte humbur ndeshjen e parë në Suharekë.
“Tani është 1:0 për kundërshtarin, pavarësisht se sa ishte dallimi në pikë në ndeshjen e parë. Kthehemi në shtëpinë tonë dhe duhet të luajmë më mirë, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, nëse dëshirojmë të kemi gjasa”, ka thënë trajneri i Pejës, Michalis Kakiouzis.
Derisa në Prishtinë numri i shikuesve nuk pritet të jetë i madh, në Pejë gjasat janë që palestra të mbushet me shikues.