Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Golden Eagle Ylli e fiton Ligën Unike

Golden Eagle Ylli e fiton Ligën Unike

Golden Eagle Ylli është fitues i edicionit të pestë të Ligës Unike në basketboll. Skuadra suharekase të enjten mbrëma fitoi përballë Pejës me rezultatin 80:74. Ndeshja u zhvillua në palestrën “Feti Borova” në Tiranë. 

Ylli e fiton trofeun e kësaj gare për herë të dytë. E kishte fituar edhe edicionin inaugurues të Ligës Unike në sezonin 2020/21. Edicionin e dytë 2021/22 e kishte fituar Peja. Trepça fitoi në edicionin 2023/24, kurse Vëllaznimi ishte fitues i edicionit të kaluar. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndeshja për vend të tretë ndërmjet Vëllaznimit dhe Besëlidhjes nuk u zhvillua. Skuadra nga Shqipëria e përfundoi garën në vendin e tretë. 

Scott Bamforth u shpall lojtari më i vlefshëm i finales. 

Bamforth i kishte 22 pikë, ndërsa kontribuoi edhe shtatë kërcime e pesë asistime. 
Kontribut në fitore dha edhe Tyreek Smith. Smith e mbylli ndeshjen me dyshifror të dyfishtë prej 13 pikëve, 12 kërcimeve. Ai i shtoi edhe dy asistime. Erjon Kastrati i kishte 15 pikë, ndërsa Donatas Sabeckis ndihmoi me 11 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime. 

Statistikat më të mira te Peja i kishte Cecil Williams, me 17 pikë, pesë kërcime e tri asistime. 
Dequian Bracey i shënoi 16 pikë, tetë asistime e një kërcim. Por, kontributi i tyre nuk mjaftoi për ta shmangur humbjen. 

Diferencën e pikëve, Ylli e krijoi që në çerekun e parë. Më pas e mbajti epërsinë dhe nuk lejoi befasi. 
Periudha e parë u mbyll 27:21 në të mirë të suharekasve, derisa me një pikë dallim çerekun e dytë, e fitoi Peja, 20:19. Në periudhën e tretë, Golden Eagle Ylli hyri me pesë pikë epërsi, 46:41, kurse e fitoi këtë dhjetëminutësh 14:13. Çereku i fundit u mbyll baras, 20:20, dhe fitorja me gjashtë pikë dallim i takoi Yllit.

Në finale, Golden Eagle Ylli arriti pasi e eliminoi në gjysmëfinale Besëlidhjen e elitës së basketbollit shqiptar. Ylli fitoi ndaj Besëlidhjes 76:63. 

Ndërkohë, Peja fitoi bindshëm ndaj Vëllaznimit të Gjakovës, 82:67. 

Ky edicion i Ligës Unike ishte goxha i zbehtë, pasi u zhvillua në hije të garës shumë interesante të Superligës së Kosovës.