Basketboll

Kontributi i madh i Drilon Hajrizit për Trepçën

Drilon Hajrizi

Drilon Hajrizi ishte prej më të mirëve në fitoren e Trepçës ndaj Bashkimit me rezultat 79:72 të mërkurën, në ndeshjen e dytë të serisë finale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll. Me fitoren e arritur në “Minatorin” e stërmbushur në Mitrovicë, e ku Hajrizi ishte prej vendorëve më të mirë, Trepça ka barazuar serinë finale të plejofit në 1:1.

Hajrizi, që është prej më të mirëve për kohë të gjatë në basketbollin kosovar, ndeshjen e dytë ndaj Bashkimi e mbylli me 15 pikë, shtatë kërcime e një asistim. 

Hajrizi thotë se formën e mirë po e mban me punë, ndërsa thotë se motivohet edhe nga përkrahja e madhe nga shikuesit mitrovicas. 

“Puna më bën që të jem ky që jam. Mendoj gjithashtu se rrethi, lojtarët, i gjithë qyteti me përkrahje, më bën që unë të jap më të mirën dhe ta shpërblej këtë qytet me lojëra të mira”, ka deklaruar Hajrizi për KOHËN të enjten. 

Hajrizi vlerëson përkrahësit e Trepçës. Ai ka theksuar se, shikuesit mitrovicas, janë “armë e fortë” e Trepçës. 

“Atmosfera në shtëpi është diçka që ekipet e tjera nuk e kanë. Ne jemi mësuar që të luajmë në atë ambient, me ata tifozë e palestër të zhurmshme”, thotë Hajrizi. 

Ndeshjen e parë, Bashkimi e fitoi në shtëpi 84:77. Me shtatë pikë dallim përfundoi edhe dueli i dytë që ishte krejtësisht i barabartë për tre çerekë. Trepça e bëri dallimin në të katërtin. Tani synon tjetër fitore të dielën në “Sezai Surroi” në Prizren. 

Në ndeshjen e tretë edhe Bashkimi do ta ketë përkrahjen e tifozëve. Ata munguan në duelin e parë për shkak të dënimit, pas një përleshjeje që ndodhi mes zyrtarëve të Bashkimit dhe anëtarëve të sigurimit në duelin ndaj Pejës.

34-vjeçari është i kujdesshëm dhe nuk jep fjalë të mëdha për ndeshjet e ardhshme. Ekipi që i fiton katër ndeshje e fiton kampionatin. Seria finale mund të shkojë deri në shtatë ndeshje. Për këtë është i vetëdijshëm edhe Hajrizi.  

“Jo rastësisht po ballafaqohen dy skuadrat më të mira që kanë qenë në ligë. Gjithashtu po shihet që janë dy skuadra të barabarta, ashtu kanë qenë edhe në gjithë kampionatin e rregullt. Kemi pasur nga dy fitore secila në përballjet mes vete. Edhe rezultatet e atyre ndeshjeve kanë qenë shumë të afërta. Nuk po dihet asgjë deri në momentet e fundit të ndeshjeve se kush do të jetë fitues”, thotë Hajrizi, që është i lumtur për nivelin e shfaqur nga Trepça dhe Bashkimi. 

“Jam shumë i kënaqur dhe i gëzuar që po i japim basketbollit basketboll të mirë dhe cilësor. Po mundohemi secila skuadër që t’i gjejmë përparësitë dhe defektet e ekipeve. Është finale në të cilën po vendosin detajet. Luan rol fokusi i skuadrave. Po mundohemi t’i shfrytëzojmë detajet dhe përparësitë që i kemi. Kjo po del të jetë vendimtare. Shpresoj që edhe në Prizren të luajmë lojë të kujdesshme dhe të arrijmë sukses”.

Trepça dhe Bashkimi u kualifikuan direkt në gjysmëfinale të plejofit, pasi në stinorin e rregullt përfunduan në dy pozitat e para. Bashkimi ishte i pari e Trepça e dyta. Trepça në edicionin e kaluar i fitoi gjithë trofetë, ndërsa në këtë kampanjë triumfoi në Superkupën e Kosovës pas fitores ndaj Sigal Prishtinës, dhe në Kupë të Kosovës kur në finale fitoi ndaj Bashkimit. 

“Çdo detaj po luan rol shumë të madh në këtë finale. Kemi të bëjmë me dy skuadra shumë të forta, të barabarta. Por planet që i kemi duhet t’i zbatojmë sa më mirë. Cilado skuadër që arrin t’i shfrytëzojë më mirë dobësitë e ekipit kundërshtar po arrin të dalë fitimtar. Kështu që shpresoj që edhe në ndeshjen tjetër të kemi ne sukses”, deklaroi Hajrizi. 

Trepça në gjysmëfinale të plejofit e eliminoi Sigal Prishtinën, kurse Bashkimi skuadrën e Pejës. Të dyja ndeshjet gjysmëfinale i fituan me rezultatin 3:1.