Basketboll

Turqia “shkatërron” Greqinë, shkëlqen Osmani

Erxhan Osmani

Turqia është finalistja e dytë e Eurobasket 2025.

Të premten mbrëma në gjysmëfinale, Turqia fitoi bindshëm ndaj Greqisë, 94:68.

Në finale, të dielën mbrëma, Turqia përballet me Gjermaninë. Ndërkohë Greqia luan me Finlandën për vend të tretë, po ashtu të dielën.

Turqia e nisi furishëm ndeshjen dhe më pas ka mbajtur epërsi bindëe deri në fund.

Basketbollisti shqiptar, Erxhan Osmani, ka shkëlqyer në fitoren e madhe të Turqisë. Osmani vetëm në çerekun e parë, në të cilin Turqia e bëri shkëputjen vendimtare, i shënoi 14 pikë.

Qendra shqiptare ndeshjen e përfundoi me 28 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime. Ishte bindshëm më i miri. Prishtinasi Kenan Sipahi luajti 13 minuta, ndërsa kishte dy asistime e një kërcim.

Alperen Shengun i kishte 15 pikë, 12 kërcime e gjashtë asistime për Turqinë. Cedi Osman i realizoi 17 pikë, ndërsa Shane Larkin i kishte 14 pikë.

Falë edhe kontributit të madh të Erxhan Osmanit, ylli i Greqisë, Giannis Antetokounmpo, u ndal në vetëm 12 pikë. Ai i kishte edhe 12 kërcime e pesë asistime. 

Kostas Sloukas i kishte 15 pikë për Greqinë. Panagiotis Kalaitzakis i shtoi 11 pikë.

Turqia për herë të dytë do të paraqitet në finale të Eurobasketit. Në vitin 2010 e kishte fituar medaljen e argjendtë.

Osmani, Shengun, Sipahi dhe të tjerët tani do të kërkojnë ta kalojnë suksesin e gjeneratës që vlerësohet më e mira në histori të Turqisë.


Turqia në epërsi prej 10 pikësh, Osmani shpërthen me 14 pikë

Erxhan Osmani po shkëlqen te Turqia në gjysmëfinalen e Eurobasketit ndaj Greqisë.

Pas çerekut të parë Turqia po udhëheq me 10 pikë dallim, 26:16.

Dhe 14 prej këtyre pikëve të Turqisë i ka shënuar basketbollisti shqiptar Erxhan Osmani. Ai i ka edhe tri kërcime.