BETIMI PËR DREJTËSI

Sfidat në realizimin e të drejtave gjuhësore zvarrisin drejtësinë

Drejtesi

Betimi për Drejtësi këtë të shtunë ka sjell aportin i cili shpërfaq problemet e sistemit të drejtësisë mbi mbarëvajtjen e seancave si pasojë e problemeve me përkthim cilësor si dhe në kohë.

Çfarë gjendje shpërfaqin gjetjet nga monitorimi i Institutit të Kosovës për Drejtësi?
Çka thonë akterët në sistemin e drejtësisë?
A shkaktojnë këto zvarritje në përkthim, pakënaqësi tek qytetarët?

 

Mospërkthimi i saktë ndikon në vonesa në lëndë, vlerësojnë akterët e drejtësisë

Instituti i Kosovës për Drejtësi, më 4 qershor 2025, ka publikuar raportin “Efikasiteti gjyqësor në praktikë dhe të drejtat gjuhësore në sistemin gjyqësor”. Ky raport, nxjerrë në pah problemet me të cilat përballen gjykatat me numrin e vogël të përkthyesve dhe cilësinë e përkthimit.

Avokati Yll Zekaj, thotë se çështja e përkthimit është kruciale për të siguruar një gjykim të drejtë në sistemin e drejtësisë.

“Është e pamundur që të kemi, t’i përmbushim kushtet e një gjykimi të drejtë dhe të kemi efikasitet në sistemin gjyqësor nëse ende kemi problem me përkthim, nëse ende kemi problem me palët që nuk e kuptojnë procedurën në gjuhën e tyre. Derisa gjuha zyrtare në Kosovë duhet të respektohet nga të gjitha institucionet qoftë ato të drejtësisë, qoftë ato administrative”, ka thënë ai.

Sipas avokatit Zekaj, në aspektin legjislativ Kosova është e kompletuar.

“Kemi Kushtetutën që përcakton gjuhët zyrtare, pastaj kemi Ligjin për përdorimin e gjuhëve, kurse në aspektin praktik ende po çalojmë, ende po kemi raste kur për shkak të mungesës së përkthimit në seanca gjyqësore, kemi shtyrje të seancave për shkak se shkresat e lëndës nuk i sigurohen në gjuhën që e kupton. Kjo gjithsesi do të ndikojë pastaj edhe në zvarritjen e procedurës dhe në shtyrjen e seancës”, ka shtuar ai.

Avokati Negovan Sharanoviq, ka thënë se përkthimi i dobët në thelb nuk mund të ndikojë në një gjykim të drejtë, por mund të ndikojë vetëm në zvarritjen e panevojshme të procedurës deri në përmirësimin e parregullsive në përkthim.

“Siç kam thënë edhe në përgjigjen e mëparshme, mendoj se përkthimi i dobët nuk ndikon në vendimin e drejtë të gjykatës. Sa i përket procedurave civile, nuk ka pasur ankesa për përkthim, mirëpo në procedurat penale kam pasur raste kur gjatë hartimit të aktakuzës dhe të provave të bashkëngjitura me aktakuzën, provat nuk kanë qenë të përkthyera”, ka thënë ai.

Sharanoviq theksoi se kështu ndikohet drejtpërdrejt në zvarritjen e panevojshme të procedurës, por edhe në mosrespektimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës amtare të të pandehurit apo të pjesëmarrësve të tjerë në procedurën penale.

Po ashtu, Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në IKD, ka thënë se gjatë monitorimit është evidentuar se mungesa e shkresave të lëndës përfshirë edhe mungesën e përkthimeve kanë rezultuar në atë që mbrojtja të kërkojë shtyrjen e seancave gjyqësore të planifikuara.

“Në anën tjetër janë identifikuar edhe deklarime të palëve të përfshira, qoftë avokatëve apo prokurorëve, se përkthimi i shkresave të lëndës ndonëse terminologjikisht i saktë, nuk ofron gjithnjë informacion të qartë dhe të duhur në aspekt të interpretimit gjuhësor. Në këtë drejtim, duhet theksuar se cilësia e shërbimeve të përkthimit është e ndërlidhur drejtpërsëdrejti me mundësinë e qasjes efektive në të gjitha të drejtat në një procedurë gjyqësore”, ka thënë ajo.

Sipas Niman Hajdarit- Zëvëndësavokat i Popullit, përdorimi i gjuhës amtare në procedura gjyqësore është e drejtë që garantohet me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.

“E drejta për të përdorur gjuhën amtare në procedurë gjyqësore dhe në procedurat e tjera para autoriteteve publike nuk është vetëm standard nacional, por është edhe standard ndërkombëtar. Ato konventa të cilat e garantojnë këtë standard janë edhe vetë pjesë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Për dallim nga çështja e përkthimit të shkresave të lëndës, nga IKD deklarojnë se nevoja për të siguruar përkthim ose interpretim gjatë seancave gjyqësore në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk ka qenë faktor pengues për rrjedhën normale të seancave.

“Në të gjitha rastet e monitoruara në Departamentin Special janë siguruar përkthyes, duke mundësuar zhvillimin normal të procedurave, pavarësisht dallimeve gjuhësore. Për më tepër, vlen të ceket se Gjykata Themelore në Prishtinë ka filluar zbatimin e një sistemi më të avancuar në këtë drejtim, ku përkthimi i seancave, bëhet edhe në mënyrë simultane gjë që e lehtëson punën e gjykatës dhe ndikon pozitivisht në efikasitet”, është shprehur hulumtuesja Rezniqi.

Në anën tjetër, zëvendëspërfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm në UNMIK, Milbert Dongjoon Shin, ka thënë se e drejta për përkthim në gjuhën amtare është e drejtë themelore.

“Prandaj, respektimi i të drejtave gjuhësore është thelbësor për të siguruar që drejtësia në çdo sistem t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë pa diskriminim. Në këtë drejtim, është thelbësore për të ndërtuar besimin publik, besimin ndërmjet njerëzve dhe institucioneve që u shërbejnë atyre, por edhe ndërmjet vetë qytetarëve”, ka thënë ai.

Shin vlerëson se raporti merr parasysh edhe kontekstin shoqëror nga lindin këto sfida, përfshirë ndryshimet mes brezave dhe shkallën e zotërimit të gjuhës. Si dhe rekomandimi urgjent që del nga raporti është nevoja që të bëhet urgjent përkthimi i komentarëve.

“Në këtë drejtim, raporti jep rekomandime të veçanta dhe konstruktive të bazuara në fakte, të cilat, natyrisht, meritojnë shqyrtim serioz nga të gjithë akterët përkatës, përfshirë edhe ata që janë duke e mbështetur gjyqësorin në Kosovë. Si jurist vetë, një nga rekomandimet që më duket veçanërisht urgjente është nevoja për të përkthyer komentarët e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale në gjuhën serbe”, ka thënë ai.


Kërkohet që çështja e përkthimit mos të shihet si teknike: Të rritet numri i përkthyesve

Çështja e përkthimit në sistemin gjyqësor kërkohet të mos shihet si teknike. Por, përveç mungesës së numrit të përkthyesve në seanca gjyqësore, akterët në sistemin e drejtësisë thonë se duhet të përkthehen edhe komentarët dhe doracakët e tjerë relevantë.

Mungesa e komentarëve dhe doracakëve tjerë, sipas avokatit Yll Zekaj, ndikon edhe në kualitetin e ofrimit të shërbimeve.

“Mungesa e komentarëve në gjuhën e tyre dhe të vendimeve gjyqësore, ndikojnë edhe në kualitetin e ofrimit të shërbimeve juridike edhe nga ana e avokatëve, për shkak se të njëjtit nuk mund ta përcjellin praktikën gjyqësore dhe e cila faktikisht është shumë e zhvilluar në Republikën e Kosovës, ku shumica e aktgjykimeve dhe vendimeve të tjera publikohen në faqet e gjykatave”, ka thënë ai, duke shtuar se duhet të kenë trajtim të barabartë ata që përdorin gjuhën serbe si gjuhë zyrtare në Kosovë.

Sipas tij, një mungesë e tillë ndikon edhe në kualitetin e ofrimit të shërbimeve juridike e gjithashtu edhe në hyrjen e gjeneratave të reja në profesion, për shkak se ende ka mungesë në literaturën e përgatitjes së provimit të jurisprudencës.

“Mungesa e doracakëve, mungesa e pjesës tjetër të literaturës, mungesa e trajnimit adekuat në gjuhën serbe me qëllim të përgatiten juristët e rinj të hyjnë në provimin e jurisprudencës e pastaj për t’ju nënshtruar provimeve të tjera, qoftë provimeve për gjyqtarë, për prokurorë apo provime nga kodi i etikës, i cili është kusht për t’u bërë avokat”, ka thënë ai.

Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në IKD thotë se përkundër një numri të aktgjykimeve të publikuara në gjuhën serbe, ekziston nevoja për përkthimin dhe publikimin e të gjitha aktgjykimeve, përfshirë edhe komentarët e ligjeve specifike që ofrohen vetëm në gjuhën shqipe.

“Sepse me përkthimin e gjithë këtyre pastaj ofrohet qasja e barabartë në informata edhe për qytetarët dhe avokatët serbë. E një qasje e tillë jo vetëm që forcon parimin e barazisë para ligjit, por edhe kontribuon në një sistem drejtësie më transparent dhe gjithëpërfshirës”, ka thënë ajo.

Zëvëndësavokati i Popullit, Niman Hajdari, thotë se probleme me përkthim kanë edhe institucionet tjera, si Shërbimi Korrektues i Kosovës.

“Por, jo vetëm tek sistemi gjyqësor, telashe të tilla hasim edhe në Shërbimin Korrektues i Kosovës, persona të cilët janë në vuajtje të dënimit dhe që ankesat janë të tilla që me vonesa i pranojnë vendimet në gjuhën serbe. Ne po ashtu kemi vërejtur te Shërbimi Korrektues që ka një përpjeke për t’iu ndihmuar ata që flasin gjuhën serbe, për t’iu ndihmuar për aq sa është e mundur, megjithatë kjo nuk është zgjidhja”, ka thënë ai.

Avokati Zekaj thotë se përkthimi nuk duhet të shihet si çështje teknike, pasi kjo pengon gjykimin e drejtë.

“Çështja e përkthimit assesi s’duhet të shihet si çështje teknike, çështja e përkthimit pengon realizimin e palëve në procedurë për një gjykim të drejtë. Çështja e përkthimit mund të jetë bazë për t’u atakuar një vendim, qoftë edhe në Gjykatën Kushtetuese dhe kështu çështja e përkthimit duhet të konsiderohet nga KGJK edhe nga KPK, por edhe nga vetë shteti si çështje kruciale dhe shumë e rëndësishme për realizimin e të drejtave të palëve në procedurë”, ka thënë ai.

Sipas avokatit, i takon Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të bëjë kërkesa në buxhetin e tyre që të kenë buxhet më të madh për të rritur numrin e përkthyesve.

“Kurse, gjithsesi Republika e Kosovës duhet të ndajë buxhet më të shtuar për KGJK dhe KPK me qëllim që palëve t’ju mundësohet përkthimi, palëve t’ju mundësohet të kuptojnë procedurat në gjuhën e tyre”, tha Zekaj.

Në anën tjetër, Hajdari thotë se mungesa e përkthimit, nuk mund të arsyetohet me mungesë buxheti.

“Arsyetimi me vite se nuk ka buxhet nuk mund të qëndrojë sepse siç jemi në dijeni edhe vetë Gjykata në Strasburg ka thënë se shkelja e të drejtave të njeriut nuk mund të arsyetohet për shkak të mungesës se mjeteve buxhetore”, ka thënë Hajdari.

Avokati Negovan Sharanoviq, ka thënë se janë një numër i caktuar rastesh që janë shtyrë pikërisht për shkak të mungesës së përkthyesve në Gjykatën Themelore dhe në degët përkatëse.

“Ky është edhe një problem që duhet të zgjidhet në nivel shtetëror, përkatësisht në nivelin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që të merren masa për të siguruar një numër më të madh përkthyesish të trajnuar në nivel licence, pra jo përkthyes të zakonshëm, por ata që duhet të kenë licencë”, ka thënë ai.

Sipas tij, është e domosdoshme të angazhohet një numër më i madh i përkthyesve, duke pasur parasysh numrin e lëndëve dhe nevojën për përkthim në rastet ku palët janë të përkatësive të ndryshme kombëtare, çka është e shpeshtë në situatën aktuale.

“Zgjidhja do të ishte angazhimi i një numri më të madh të përkthyesve, por nëse është e mundur, që të jenë përkthyes të licencuar me njohuri të mira profesionale të gjuhës”, është shprehur tutje Sharanoviq.

Sfidat në përkthim në sistemin gjyqësor në Kosovë vijnë si rezultat i një kombinimi faktorësh, ku përveç mungesës së buxhetit, theksohet edhe mungesa e kapaciteteve profesionale.

“Një tjetër faktor lidhet me faktin se një pjesë e madhe e përkthyesve që zotërojnë gjuhën serbe dhe terminologjinë juridike janë tashmë të pensionuar ose në moshë të shtyrë, ndërsa brezat e rinj nuk kanë ndjekur trajnimet apo arsimin e nevojshëm në këtë gjuhë dhe si rrjedhojë, shumica e të rinjve në Kosovë zotërojnë më mirë gjuhë të tjera, por jo serbishten në nivel profesional. Kjo situatë krijon boshllëk, jo vetëm në aspektin sasior, por edhe në aspektin cilësor, për sa i përket njohjes së terminologjisë ligjore dhe saktësisë në përkthim”, ka thënë Rezniqi nga IKD.

Sipas saj, është e domosdoshme që kjo të adresohet në mënyrë të qëndrueshme, duke krijuar një strategji afatgjatë që përfshin rritjen e investimeve në përkthim juridik, ngritjen e kapaciteteve profesionale për të rinjtë në këtë fushë, si dhe integrimin e gjuhës serbe në trajnimet për administratën dhe sistemin gjyqësor.

“Sepse, pa një ndërhyrje të tillë sistematike, mungesa e përkthyesve mund të të jetë një pengesë strukturore për një drejtësi gjithëpërfshirëse në Kosovë”, ka thënë ajo.

Lidhur me këtë problematikë, “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë në intervistë edhe dikë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

Tankut Soykan, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, thotë se efikasiteti i drejtësisë është kërkesë e rëndësishme që duhet të respektohet.

“Siç e dini, për të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, efikasiteti i sistemit të drejtësisë është një kërkesë shumë e rëndësishme për të siguruar që respektohen parimet e sundimit të ligjit. Dhe gjithashtu, natyrisht, kur flasim për efikasitetin, nuk është vetëm çështje e të drejtave të njeriut, por edhe çështje e zhvillimit”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Milbert Dongjoon Shin, zëvendëspërfaqësues special i Sekretarit të Përgjithshëm në UNMIK, ka thënë se sqarimi ligjor, siç e dimë, nuk mund të jetë një privilegj i rezervuar vetëm për disa.

“Ai duhet të jetë realisht i qasshëm për të gjithë profesionistët e drejtësisë dhe për të gjithë përdoruesit e gjykatave. Puna e thelluar që paraqet ky raport nënkupton se kjo tryezë e rrumbullakët nuk është thjesht një mundësi për dialog, por një thirrje për veprim. Në këtë drejtim, u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve relevante që të marrin në shqyrtim dhe të çojnë përpara rekomandimet e paraqitura në këtë raport, dhe të punojnë për realizimin e tyre”, është shprehur ai.

Avokati Negovan Sharanoviq, ka thënë se rëndësia e përkthyesve në sistemin gjyqësor është e madhe, sepse me pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë plotësohen kushtet procedurale për mbajtjen e seancave gjyqësore.

“Kjo nuk vlen vetëm për palët në procedurë, por edhe për dëshmitarët, dokumentacionin dhe gjithçka tjetër që ndikon në kohëzgjatjen e procedurës. Përkthimi i vonuar ndikon në zvarritjen e procedurës”, tha ai.

Në një sistem të drejtësisë që synon të jetë i barabartë për të gjithë, gjuha nuk mund të mbetet pengesë. Kjo nuk është vetëm një çështje teknike, por është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare.

Institucionet e vendit duhet të marrin masa konkrete, të ndajnë buxhet adekuat dhe të investojnë në ndërtimin e një shërbimi profesional dhe funksional të përkthimit dhe interpretimit në sistemin e drejtësisë, por jo vetëm.


Përkthimi i vonuar, zvarrit procedurat gjyqësore
 

Në sallat e drejtësisë, fjala ka peshë, por vetëm nëse kuptohet. Në një sistem ku gjyqet zhvillohen në disa gjuhë zyrtare, mungesa e një përkthimi cilësor nuk është vetëm një pengesë teknike, por është një pengesë drejt drejtësisë.

Ka seanca që dështojnë të mbahen për shkak të mungesës se përkthyesit apo vonesës në përkthimin e shkresave të lëndës. Kjo bën që rastet të zvarriten dhe gjykata mos të jetë efikase në procedimin e mëtutjeshëm të lëndës.

Ky problem, i cili në thelb duket të jetë teknik, në fakt shkel të drejtat e palëve në procedurë.

Avokati Negovan Sharanoviq, thotë se në praktikën e tij si avokat, është ndeshur me shumë raste ku për shkak të përkthimit të vonuar, përkatësisht dërgimit të vonuar të dokumenteve të përkthyera, ka ardhur deri të zvarritja e panevojshme e procedurës.

“Kjo te palët shkakton pakënaqësi dhe në fund të fundit u cenohet e drejta për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm, e cila është e paraparë edhe me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut”, ka thënë ai.

Arrita Reznqi, hulumtuese e lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejtën për një proces të drejtë gjyqësor dhe njeh gjuhën shqipe dhe serbe si gjuhë zyrtare në të gjitha nivelet e administratës dhe gjyqësorit.

“Përkthimi i saktë dhe në kohë i shkresave të lëndës dhe procedurave gjyqësore është thelbësor për garantimin e të drejtave themelore të qytetarëve. Në anën tjetër, cilësia jo e mirë e përkthimeve të shkresave gjyqësore mund të sjell pasoja konkrete ligjore dhe procedurale”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi, më 4 qershor 2025, ka publikuar raportin “Efikasiteti gjyqësor në praktikë dhe të drejtat gjuhësore në sistemin gjyqësor”. Ky raport, vë në pah problemet me të cilat përballen gjykatat me numrin e vogël të përkthyesve dhe cilësinë e përkthimit.

Magdalena Dimitrijeviq, monitoruese në IKD, thotë se kanë monitoruar në mënyrë sistematike dhe po vazhdojnë ende monitorimin e seancave gjyqësore, ku risi është monitorimi sistematik në Degën e Graçanicës, krahas seancave që gjithherë janë monitoruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas saj, në rastin konkret, fokus të veçantë kanë pasur rastet ku palë të përfshirja janë palët nga komunitetet joshumicë, në veçanti pjesëtarët serbë të përfshirë në procese gjyqësore në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Graçanicë.

“Kësisoj, janë monitoruar gjithsej 226 seanca gjyqësore gjatë një periudhe shtatëmujore, duke mundësuar që të identifikohen praktikat procedurale që janë ndjekur në këto raste dhe sfidat që ndikojnë në efikasitetin e procedurave gjyqësore”, ka thënë ajo.

Monitoruesja e IKD-së thotë se nga monitorimi në Departamentin Special dhe Degën në Graçanicë, del se arsyet më të shpeshta të shtyrjes së seancave janë për shkak të mungesës ose vonesave në përkthim.

“Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë gjatë periudhës së monitoruar, në total u monitoruan 97 seanca gjyqësore në raste të ndryshme. Nga këto seanca, rreth 16.5% të numrit të përgjithshëm të rasteve të monitoruara janë shtyrë”, thotë ajo.

Sipas saj, arsye të tjera të shtyrjes së seancave përfshijnë mungesën e avokatëve mbrojtës, kurse arsye të tjera ishin për shkak të mungesës së palëve të dëmtuara.

“Përgjatë monitorimit disamujor në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë, në total janë monitoruar 129 seanca gjyqësore në Departamentin e Përgjithshëm, nga të cilat rreth 14% të numrit total të seancave janë shtyrë. Në Divizionin Penal, arsyeja më e shpeshtë për shtyrje ishte dorëzimi jo i rregullt i ftesave të palëve. Përveç kësaj, arsye tjera përfshijnë vonesat e prokurorisë në dorëzimin e dosjeve, pra mospajisja me shkresa të lëndës, ndërsa në raste të tjera, arsyeja ishte mungesa e të pandehurve”, ka thënë Dimitrijeviq.

Kurse, në Divizionin Civil, arsyet e shtyrjes, monitoruesja thotë se ishin më të larmishme ku përfshijnë raste të mungesës së përkthyesit, apo edhe mungesës së ekspertit në një tjetër rast, kurse në një rast ishte shkak mungesa e provave. Përderisa, rastin më të shpeshtë të shtyrjes në këto seanca e përbënin arsye të ndryshme të lidhura me çështjen e ekspertizave.

Sinisha Borisavljeviq, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Dega në Graçanicë, në tryezën e IKD-së, ka thënë se angazhohen në vazhdimësi për ruajtjen dhe ngritjen e besimit të qytetarëve.

“Kushdo që punon në gjykatë apo pranë gjykatës, e di sa përgjegjësi madje do të thoja edhe sa e vështirë është puna e gjyqtarëve dhe e përfaqësuesve të gjykatës në përgjithësi. Transparenca dhe llogaridhënia janë padyshim themeli i një sistemi gjyqësor demokratik. Ato nuk janë vetëm parime të përgjithshme të drejtësisë, transparenca është parim universal, por janë gjithashtu të domosdoshme për të ruajtur besimin në funksionimin e gjykatave, sidomos kur flasim për Kosovën, ku ka shumë komunitete dhe gjithashtu njerëz që, në një mënyrë apo tjetër, nuk besojnë në punën e sistemit të drejtësisë”, ka thënë ai.

Megjithatë, ai tha në se me ndihmën e IKD-së dhe e Këshillit Gjyqësor, mundohen ta arsyetojmë këtë besim në mënyrë që sistemi të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Borisavljeviq, thotë se gjithmonë do të ketë njerëz të pakënaqur, por drejtësia ndodhet diku në mes, teksa shton se Gjykata në Graçanicë është më specifike.

“Puna e Gjykatës në Graçanicë është pak më specifike. Me ndihmën e kryetares së gjykatës dhe kolegëve nga Prishtina, si dhe njerëzve nga Këshilli Gjyqësor, dega sipas mendimit tim dhe shpresoj që edhe sipas raportit  funksionon me shumë sukses. Ne përpiqemi të jetë më mirë, gjithmonë ka hapësirë për përmirësim. Përbërja është e përzier, Komuna e Graçanicës përfshin edhe pjesë ku jeton popullata me shumicë shqiptarë, por ka edhe komunitete pakicë, dhe për rrjedhojë ka raste specifike. Në një mjedis të tillë, njeriu duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm dhe i përkushtuar, prandaj shpresoj që këta të rinj të mund të binden për atë që ne bëjmë”, është shprehur ai.

Përparim Zeka, gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka thënë se përkthimi është e drejtë themelore.

“Të drejtën për përkthim dhe interpretim, të drejtën pra për t’u kuptuar dhe për të kuptuar në gjykatë. Kjo e drejtë është e garantuar më Kushtetutë, ligjet procedurale dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe nuk është thjesht një formalitet administrativ. Ajo është një garanci substanciale, për një proces të drejtë, për përfaqësim të barabartë dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, është shprehur ai.

Sipas gjyqtarit Zeka, mungesa e përkthimit dhe vonesa në përkthim, ndikon drejtpërdrejt në cilësinë dhe legjitimitetin e procesit.

“Nëse një palë nuk e kupton se çfarë po ndodhë në gjykatë apo nuk i ka dokumentet në gjuhën që e flet, atëherë nuk mund të flasim për një proces të drejtë”, ka shtuar ai.