Të paktën 82 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë ende të zhdukur pas përmbytjeve shkatërruese që goditën Teksasin qendror të premten.
Në Qarkun Kerr, zona më e goditur, janë të paktën 40 të rritur dhe 28 fëmijë të vdekur, thonë zyrtarët, raporton CNN.
Ekipet e shpëtimit janë ende duke kërkuar për të paktën 41 persona të zhdukur, sipas zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë.
Midis tyre janë 27 vajza dhe këshilltare nga Camp Mystic, një kamp veror vetëm për vajza përgjatë lumit Guadalupe, i cili është rritur më shumë se 6 metra në më pak se dy orë, gjatë kulmit të përmbytjeve më 4 korrik.
Kërcënimi i përmbytjeve vazhdon të jetë i lartë pasi shirat të rrëmbyeshëm janë rikthyer në Qarkun Kerr, kanë paralajmëruar autoritetet.
Guvernatori Greg Abbott ka thënë se përmbytjet e paprityra vazhdojnë të përbëjnë një rrezik për disa pjesë të Teksasit, ndërsa priten "reshje më të dendura shiu".
Shkon në 91 numri i të vdekurve nga përmbytjet në Teksas
Ka shkuar në 91 numri i të vdekurve nga përmbytjet në Teksas, ka thënë Karoline Leavitt nga Shtëpia e Bardhë.
Ajo ka shtuar se presidenti i SHBA-së, Donald Trump do ta vizitojë vendin gjatë javës.
27 vajza konfirmohen të vdekura në një kamp veror në Teksas
“Kampi Mystic” ka konfirmuar se të paktën 27 kampiste dhe këshilltare kanë vdekur në përmbytjet shkatërruese që goditën kampin e Teksasit gjatë fundjavës
"Zemrat tona janë të thyera së bashku me familjet tona që po e durojnë këtë tragjedi të paimagjinueshme. Ne lutemi vazhdimisht për ta", ka shkruar kampi në një deklaratë në faqen e tyre të internetit.
Drejtori i kampit dhe pronari i tij prej shumë kohësh, Dick Eastland, gjithashtu ka vdekur teksa përpiqej të shpëtonte kampistët gjatë përmbytjeve katastrofike, ka shkruar nipi i tij në mediat sociale të shtunën.
Kampi ka thënë se janë në komunikim me autoritetet lokale të cilat po vazhdojnë të kërkojnë për "vajzat e zhdukura".
Kampi Mystic është një kamp veror vetëm për vajza përgjatë lumit Guadalupe, i cili është rritur më shumë se 6 metra në më pak se dy orë gjatë kulmit të përmbytjeve në fillim të 4 korrikut.
Gjatë natës, zyrtarët në Qarkun Kerr kanë thënë se ekipet po vazhdonin të kërkonin për 10 kampiste.