Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

A e di vërtet Trumpi se çfarë po ndodh në Iran?

Donald Trump

Të shtunën, presidenti amerikan Donald Trump pretendoi se ishte Teherani që goditi shkollën në Iran në fillim të luftës, duke vrarë dhjetëra fëmijë, shkroi CNN.

Të hënën, ai pranoi se nuk kishte asnjë ide se për çfarë po fliste kur e tha këtë, pastaj vazhdoi të sugjeronte se shtete të tjera, përfshirë Irani, përdorin raketa Tomahawk, lloji që duket se ka goditur shkollën. Irani nuk posedon Tomahawk.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kur ai u përball disa herë në konferencën për media se pse askush në administratën e tij nuk po e shtronte të njëjtin pretendim se Irani ishte përgjegjës – por mbështeteshin te një hetim – Trumpi u përgjigj: “Sepse unë thjesht nuk di mjaftueshëm për këtë”.

Ai shtoi se do të respektonte gjetjet nga hetimi.

Trumpi jo vetëm se e thotë se e ndau këtë pretendim; ai gjithashtu pranon se nuk ishte i informuar mirë për sulmin, thuhet në analizën e CNN-it për njohurinë e Trumpit rreth situatës.

Ky është një sulm që është kthyer në ngjarje të madhe ndërkombëtare në momentin kur ai reagoi – dhe një sulm për të cilin edhe disa republikanë druhen se mund t’i shkaktojë dëme përpjekjes së luftës, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të rezultonin përgjegjëse. Sipas analizave të CNN-it dhe ekspertëve mbi provat e mbledhura, ushtria amerikane ka gjasa të ketë qenë përgjegjëse, dhe një video ka treguar një raketë amerikane duke shënjestruar bazën detare të Gardës Revolucionare Islamike, e cila ndodhet pranë shkollës.

Por, me sa duket Trumpi nuk ishte në dijeni të zhvillimeve.

Ky nuk është rasti i vetëm kur Trumpi duket se nuk e ka një pasqyrë të qartë për atë që ndodh në terrenin e Iranit.

Trumpi shpesh ka pasur një marrëdhënie të komplikuar me të vërtetën, por është befasuese ta shohësh këtë të shfaqet në kontekstin e një lufte.

Sulmi në shkollë nuk ishte shembulli i vetëm nga konferenca e së hënës.

Në një pikë tjetër gjatë konferencës, Trumpi dukej se pretendonte se fqinjët e Iranit ishin bashkuar në luftë kundër Teheranit krah SHBA-së dhe Izraelit.

“Fqinjët e tij ishin neutralë – ose të paktën nuk do të përfshiheshin – dhe ata u sulmuan. Dhe kjo pati efekt. Fqinjët erdhën në anën tonë dhe filluan ta sulmonin, mjaft me sukses. Nëse sheh Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe të tjerët”, theksoi Trumpi.

Por kjo nuk e reflekton realitetin.

Është e vërtetë se Irani u hakmor kundër sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit duke goditur asetet amerikane te fqinjët e tij në Gjirin Persik. Por, nuk është e vërtetë se kjo i bëri këta fqinjë t’i bashkoheshin luftës:

-          Emiratet e Bashkuara Arabe ishin nën më shumë sulme nga Irani. Por, nuk e kanë sulmuar Iranin, me të cilin kanë histori të gjatë biznesi dhe duket se po përpiqen t’i bëjnë presion në mënyra të tjera.

-          Arabia Saudite ka kërcënuar me hakmarrje Iranin nëse Teherani vazhdon ta sulmojë, por nuk i është bashkuar luftës.

-          Ministria e Jashtme e Katarit ka thënë se “Katari nuk ka qenë pjesë e fushatës që shënjestroi Iranin”.

Fakti se këto shtete të Gjirit nuk kanë hyrë në luftime u bë çështje inatosjeje e senatorit Lindsey Graham, vetëm disa orë pasi Trumpi foli para mediave.

“Për Arabinë Saudite, ambasada jonë u godit në Riad. A nuk keni obligim që të bashkoheni në luftë me ne?” shpërtheu republikani.

Graham e quajti vendimin e Emirateve të Bashkuara Arabe “tepër zhgënjyes”.

Trumpi u shpreh në konferencë se ngadalësimi i qarkullimit në Ngushticën e Hormuzit “nuk na prek shumë”, pasi sipas tij SHBA-ja tashmë prodhon sasi të mëdha të naftës vet.

Shtete të tjera mbështeten më shumë te nafta e Gjirit – veçanërisht ato në Azi – por ekonomia botërore është aq e ndërlidhur saqë SHBA-ja padyshim i ka ndjerë efektet negative, posaçërisht kur bëhet fjalë për çmimet e naftës.

Dhe sigurisht, janë edhe pretendimet e Trumpit për kapacitetet e Iranit dhe justifikimet e tij për ta nisur luftën.

Ai vazhdimisht ka pretenduar se Irani shumë “shpejt” do të ishte i aftë ta godiste SHBA-në me një raketë balistike ndërkontinentale, se po planifikonte të godiste paraprakisht SHBA-në dhe se më pas gjithashtu ta pushtonte të gjithë Lindjen e Mesme.

Por asnjëra prej këtyre pretendimeve nuk është mbështetur nga inteligjenca. Derisa Trumpi tash flet me ton më të zbutur dhe sugjeron se Irani goditi vet shkollën, ai është një prej njerëzve të paktë që aktualisht flet rreth atyre pretendimeve.

Trumpi shpesh duket sikur jeton në një realitet paralel të krijuar prej tij.

Por është një gjë ta bësh atë kur bëhet fjalë për politika të brendshme; është gjë tjetër të dukesh kaq i shkëputur nga realiteti kur je duke zhvilluar luftë në një rajon shumë të tensionuar dhe lehtësisht shpërthyes.

Megjithatë, kjo duket të jetë gjendja aktuale, pa asnjë shenjë se vendimet e Trumpit do të mbështeten në realitetin në një të ardhme të afërt.