Botë

Abuzuesi seksual Epstein e konsideronte “president të duhur” Lajçakun

Jeffrey Epstein - Miroslav Lajcak

Miroslav Lajçak, ish-emisar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, kishte komunikuar me Jeffrey Epsteinin, abuzuesin seksual të fëmijëve që vdiq në burg në SHBA më 2019, sipas rreth 20 mijë faqe dokumentesh të publikuara nga Demokratët në Amerikë.

Mediat në Sllovaki kanë analizuar një pjesë të këtij arkivi dhe kanë gjetur biseda direkte në mes të Lajçakut dhe Epsteinit më 2018. Në bisedat e publikuara, Epsteini e përshkruan Lajçakun si person me ndikim ndërkombëtar. Lajçaku, aktualisht këshilltar i kryeministrit sllovak, Robert Fico, për Ballkanin Perëndimor, ka qenë dy herë ministër i Punëve të Jashtme i këtij shteti, president i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi (2020-2025).

Në një e-mail të vitit 2019, Epstein ia kishte prezantuar një kontakti të paidentifikuar Lajçakun si ministrin aktual të Jashtëm të Sllovakisë, ish-president të Kombeve të Bashkuara dhe “mbi të gjitha si mik”.

Ai po ashtu i referohej Lajçakut si “Miro”. Në një komunikim tjetër më 2018, Epstein kishte shkruar se “Miro po vjen në Palm Beach” – referencë për një nga rezidencat e Epsteinit në Florida “për të hartuar strategji”, sipas “360-tka.sk”.

Ndërkaq “aktuality.sk” ka shkruar se dokumentet nuk përmbajnë asnjë dëshmi se Lajçaku ka pasur njohuri për aktivitetet kriminale të Epsteinit. Gjithsesi, Epsteini e shihte Lajçakun si aleat brenda qarqeve diplomatike ndërkombëtare. 

E-mailet po ashtu shfaqin interesimin e Epsteinit në politikën sllovake. Ai kishte komentuar më 2018 dorëheqjen e atëherë kryeministrit Robert Fico pas hetimeve për vdekjen e një gazetari hulumtues dhe më pas e kishte kritikuar zgjedhjen e presidentes pro-evropiane Zuzana Caputova – duke shkruar se Lajçaku “do të ishte kandidat më i mirë”.

Mediat sllovake kanë raportuar se Lajçaku dhe Ministria e Punëve të Jashtme ende nuk kanë reaguar për publikimet.

Epstein ishte abuzues seksual i fëmijëve në SHBA. Më 2005 ndaj tij nisën hetimet pas akuzave nga një prind se si mësimdhënës kishte abuzuar seksualisht me një vajzë 14-vjeçare. Fillimisht u dënua më 2008 e më pas u lirua pas 13 muajsh. Më 2019 u arrestua sërish. Gjatë gjykimit, u gjet i vdekur në qeli më 10 gusht 2019.