Një juri federale në shtetin amerikan të Virginias ka ngritur zyrtarisht akuza kundër ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, për dy vepra penale që lidhen me dëshminë e tij para Kongresit.
Comey, i cili prej kohësh është kritikuar nga presidenti Donald Trump, akuzohet se ka gënjyer një komision të Senatit në vitin 2020 lidhur me faktin nëse ai kishte lejuar rrjedhjen e informacionit sekret në media, raporton BBC.
Duke reaguar ndaj akuzave, Comey tha se është i pafajshëm dhe shtoi se ka “besim të madh në sistemin amerikan të drejtësisë”.
Akuzat u ngritën disa ditë pasi Trump kërkoi publikisht që drejtësia amerikane të vepronte më ashpër ndaj kundërshtarëve të tij politikë, përfshirë edhe Comeyn.
Sipas raportimeve të CBS-së, Comey mund të dalë për herë të parë para gjykatës këtë të premte, ndërsa seanca zyrtare ku do t’i lexohen akuzat është caktuar për 9 tetor në Aleksandria, Virginia.
Hetimi po drejtohet nga Lindsey Halligan, prokurore e SHBA-së për Distriktin Lindor të Virginias, e cila më parë ka qenë avokate personale e Trumpit.
Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, e cila u nxit nga Trump të hetonte Comeyn, tha në një deklaratë se kjo aktakuzë “tregon përkushtimin e Departamentit të Drejtësisë për të mbajtur përgjegjës ata që abuzojnë me pushtetin dhe mashtrojnë popullin amerikan”.
Aktakuza ka vetëm dy faqe dhe përmban pak detaje, por thotë se Comey është akuzuar për dy vepra penale: për dhënie të dëshmisë së rrejshme dhe për pengimin e një hetimi nga Kongresi.
Nëse shpallet fajtor, Comey mund të përballet me deri në pesë vjet burgim.
“Familja ime dhe unë e kemi ditur prej vitesh se ka një çmim për t’i dalë përballë Donald Trumpit”, theksoi Comey në një videomesazh.
“Ne nuk do të jetojmë të përulur, dhe as ju nuk duhet,” shtoi ai. “Unë jam i pafajshëm. Le të bëhet gjyqi”.
Rasti iu kalua së fundmi porokurores Halligan, pasi prokurori i mëparshëm, Erik Seibert, u shkarkua nga administrata Trump.
Ky rast konsiderohet si më i rëndësishmi ndaj një figure publike gjatë mandatit të dytë të Trump-it.
Së fundmi, Trump ka shprehur publikisht pakënaqësi që hetimet ndaj kritikëve të tij, si Comey, senatori Adam Schiff dhe prokurorja e New Yorkut, Letitia James, po zgjasin shumë.