Të paktën 60 indianë kanë vrarë veten pasi janë abuzuar, kërcënuar dhe shantazhuar përmes aplikacioneve që mundësojnë dhënien e kredi të shpejta. Një hetim i fshehtë i BBC-së i ka ekspozuar ata që përfitonin nga ky mashtrim vdekjeprurës në Indi dhe Kinë
Astha Sinhaa u zgjua nga thirrja telefonike e tezës së saj. “Mos e lini nënën tuaj të largohet nga shtëpia”.
E përgjumur, 17-vjeçarja u tmerrua kur gjeti nënën e saj, Bhoomi Sinhaa, në dhomën tjetër, duke qarë.
Aty gjendej nëna e saj sypatrembur, një avokate e respektuar, me bazë në Mumbai, një e ve që po e rriste e vetme vajzën e saj, tashmë e dëshpëruar.
“Ajo nuk ishte mirë”, shpjegon Astha. Bhoomi ishte në panik dhe filloi t’i tregonte asaj se ku ishin të gjitha dokumentet dhe kontaktet e rëndësishme dhe donte të dilte sa më shpejt nga dhoma.
Astha e dinte se duhej ta ndalonte. “Mos ia hiq sytë”, i kishte thënë tezja. “Sepse ajo do t’i japë fund jetës së saj”.
Astha e dinte se nëna e saj kishte pranuar disa telefonata të çuditshme dhe se ajo i kishte para borxh dikujt, por ajo nuk e dinte që Bhoomi po vuante si shkak i muajve të tërë kërcënimesh dhe torturash psikologjike.
Ajo kishte rënë viktimë e një mashtrimi global, në të paktën 14 vende.
Modeli i biznesit është brutal, por i thjeshtë.
Ka shumë aplikacione që premtojnë kredi pa probleme në vetëm disa minuta. Jo të gjithë janë grabitqarë. Por shumë prej këtyre aplikacioneve - pasi shkarkohen në telefon – kopjojnë të gjitha kontaktet, fotot dhe kartat tuaja të identitetit dhe e përdorin atë informacion më vonë për t’i zhvatur njerëzit.
Kur klientët nuk paguajnë në kohë - dhe ndonjëherë edhe kur e bëjnë - ata e ndajnë këtë informacion me një qendër telefonike ku agjentët i thërrasin, duke i kërcënuar e poshtëruar njerëzit, në mënyrë që ata të kryejnë pagesat.
Ajo donte ta vriste veten
Në fund të vitit 2021, Bhoomi kishte marrë hua rreth 47 mijë rupi (565 dollarë) nga disa aplikacione kredie, ndërkohë që ajo priste që të merrte pagën bonus nga puna. Paratë kredi i mori pothuajse menjëherë, por një pjesë e madhe iu zbrit shkaku u tarifave. Shtatë ditë më vonë ajo duhej të shlyente kredinë, por paga që ajo priste ende nuk i ishte dhënë, kështu që ajo mori para hua nga një aplikacion tjetër dhe më pas nga një tjetër. Borxhi dhe interesi u rritën derisa ajo detyrohej që të paguante rreth dy milionë rupi (24 mijë dollarë).
Agjentët filluan ta telefonojnë. Ata filluan ta fyenin dhe abuzonin Bhoomin. Edhe kur ajo kryente pagesat, ata pretendonin se po gënjente. Ata e telefononin deri në 200 herë në ditë. Ata e dinin se ku jetonte, dhe i dërguan asaj fotografi të një trupi të vdekur si paralajmërim.

Ndërsa abuzimi u përshkallëzua, ata e kërcënuan se do t’u dërgonin mesazh të gjithë 486 kontakteve në telefonin e saj duke u thënë se ajo ishte një prostitutë. Kur ata e kërcënuan se do të prishnin reputacionin e vajzës së saj, Bhoomi nuk mund të flinte më.
Ajo huazoi para nga miqtë, familja dhe nga gjithnjë e më shumë aplikacione - 69 gjithsej. Natën, ajo lutej që mëngjesi të mos vinte kurrë. Por gjithmonë në orën 07:00, telefoni i saj fillonte të cingëronte pandërprerë.
Përfundimisht, Bhoomi kishte arritur të kthente të gjitha paratë, por një aplikacion - Asan Loan - nuk ndalej së telefonuari. E rraskapitur, ajo nuk mund të përqendrohej në punë dhe filloi të kishte sulme paniku.
Një ditë një koleg e thirri atë te tavolina e tij dhe i tregoi diçka në telefonin e tij - një foto lakuriq, pornografike të saj.
Fotoja kishte pësuar ndërhyrje të shumta, koka e Bhoomit ishte ngjitur në trupin e dikujt tjetër, por e mbushi atë me neveri dhe turp. Ajo u rrëzua nga tavolina e kolegut të saj. Ajo foto u ishte dërguar nga Asan Loan të gjithë kontakteve të Bhoomit. Ishte pikërisht ai moment kur Bhoomi mendoi të vriste veten.
Ne kemi parë prova të mashtrimeve si kjo, të drejtuara nga kompani të ndryshme në të gjithë botën. Por vetëm në Indi, BBC-ja ka gjetur se të paktën 60 njerëz kanë vrarë veten pasi janë shantazhuar nga aplikacionet e kredisë.
Shumica e viktimave ishin në të 20-at dhe 30-at e tyre. Katër ishin vetëm adoleshentë.
Ekspozimi i mashtrimeve
Shumica e viktimave kanë shumë turp që të flasin për mashtrimin dhe autorët kanë mbetur, në pjesën më të madhe, anonimë. Pas shumë kërkimeve për një person të brendshëm për muaj të tërë, BBC-ja arriti të binte në kontakt me një të ri që kishte punuar si agjent për rikuperimin e borxhit për qendrat e thirrjeve që punonin për aplikacione të shumta kredie.
Rohan - emër jo i vërtetë – i tha BBC-së se kishte qenë i shqetësuar nga abuzimi që kishte parë. Shumë klientë qanin, disa madje tregonin se do të vrisnin veten, tha ai. “Biseda me ta më përndiqte gjithë natën”. Ai pranoi ta ndihmonte BBC-në të ekspozonte mashtrimin.

Ai aplikoi për punë në dy qendra të ndryshme thirrjesh - Majesty Legal Services dhe Callflex Corporation - dhe kaloi javë të tëra duke filmuar në fshehtësi.
Videot e tij kapën agjentë të rinj që shantazhonin klientët. “Silluni mirë, përndryshe do t’ju shkatërroj”, thoshte një grua, duke u betuar. Ajo akuzonte klientin për incest dhe, kur ai e mbyllte telefonin, ajo fillonte të qeshte.
Rohan xhiroi mbi 100 incidente kërcënimi dhe abuzimi, duke e kapur këtë zhvatje sistematike në kamera për herë të parë.
Bhoomi Sinha mund të përballonte ngacmimet, kërcënimet, abuzimin dhe rraskapitjen - por jo turpin që lidhej me atë imazh pornografik.
“Ai mesazh në fakt më zhveshi lakuriq para gjithë botës”, thotë ajo. “Kam humbur respektin për veten, moralin, dinjitetin tim, gjithçka në një sekondë”.
Ai mesazh iu dërgua avokatëve, arkitektëve, zyrtarëve qeveritarë, të afërmve të moshuar dhe miqve të prindërve të saj - njerëz që nuk do ta shikonin më në të njëjtën mënyrë.
“Më ka njollosur tërësisht, është njësoj sikur të bashkoni një gotë të thyer, do të ketë ende të çara në të”, thotë ajo.
Ajo është përjashtuar nga fqinjët në komunitetin ku jeton prej 40 vitesh.
“Nga sot, nuk kam miq. Mendoj se jam vetëm unë”, shton ajo, me një nënqeshje të trishtuar.
Denoncimi në heshtje
Disa nga familja e saj ende nuk flasin me të. Dhe ajo vazhdimisht pyet veten nëse burrat me të cilët punon e paramendojnë atë të zhveshur.
Mëngjesin që e gjeti e bija, Bhoomi ishte në gjendje kritike. Por ishte edhe momenti që ajo vendosi të luftonte. “Unë nuk dua të vdes kështu”, vendosi ajo.
Ajo bëri një denoncim në polici, por që atëherë nuk ka marrë asnjë përgjigje apo informacion. Gjithçka që mund të bënte ishte të ndryshonte numrin e saj dhe të hiqte qafe kartën e saj SIM. Ajo u tha miqve, familjes dhe kolegëve që të injoronin telefonatat dhe mesazhet dhe, përfundimisht, ata e dëgjuan.
Bhoomi gjeti mbështetje te motrat e saj, shefi i saj dhe një komunitet në internet i të abuzuarve të tjerë nga aplikacionet e kredisë. Por më së shumti, ajo gjeti forcë te vajza e saj.
“Duhet të kem bërë diçka të mirë që kam një vajzë të tillë”, thotë ajo. “Nëse ajo nuk do të më kishte qëndruar pranë, atëherë unë do të kisha qenë një nga shumë njerëz që kanë vrarë veten për shkak të aplikacioneve të kredisë”.
Akuzat në këtë raport ia vumë Asan Loan. Kompania nuk është përgjigjur.
Majesty Legal Services e mohoi përdorimin e kontakteve të klientëve për të rikuperuar kreditë. Nga kjo kompani thanë se agjentët e tyre janë udhëzuar të shmangin thirrjet abuzive ose kërcënuese dhe çdo shkelje e politikave të kompanisë rezulton me largim nga puna. (Përktheu: Forca Jashari)