Botë

Arratisja mes bombardimesh e mjekut sudanez - kaloi mes trupash të pajetë

sudan

Foto: Associated Press

Ngjarjet tronditëse në el-Fasher të Sudanit zbulojnë përmasat e një katastrofe humanitare pas marrjes së qytetit nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF). Rrëfimi i mjekut Mohamed Ibrahim flet për brutalitetin e luftës, masakrat ndaj civilëve dhe luftën për mbijetesë mes kaosit, dhunës dhe shkatërrimit

Dr. Mohamed Ibrahim vraponte nga një ndërtesë në tjetrën, duke kërkuar me dëshpërim një vend ku të fshihej. Ai kalonte nëpër rrugë të mbushura me trupa të pajetë. Rreth tij, El Fasher, kryeqytet i provincës së Darfurit Verior të Sudanit ishte i mbuluar nga tymi dhe flakët.

Shpërthime, granatime dhe të shtëna armësh dëgjoheshin nga çdo drejtim.

Pas 18 muajsh luftimesh, forcat paraushtarake kishin pushtuar el-Fasherin, bastionin e fundit të ushtrisë sudaneze në rajonin e Darfurit. Ibrahim, i cili u largua nga spitali i fundit funksional i qytetit bashkë me një koleg, tha se kishte frikë se nuk do ta shihte perëndimin e diellit.

“Kudo përreth nesh shihnim njerëz që vraponin dhe binin përtokë para syve tanë”, tha mjeku 28-vjeçar për Associated Press, duke treguar sulmin që filloi më 26 tetor dhe zgjati tri ditë. “Lëviznim nga një shtëpi në tjetrën, nga një mur te tjetri, nën breshëri bombardimesh. Plumbat vinin nga të gjitha anët”.

Tre muaj më vonë, mizoritë e kryera nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) po dalin në dritë.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se mijëra civilë u vranë, por nuk kanë një numër të saktë.

Sipas tyre, vetëm 40% e 260 mijë banorëve të qytetit arritën të iknin gjallë, dhe mijëra prej tyre u plagosën. Fati i pjesës tjetër mbetet i panjohur.

Dhuna, përfshirë vrasjet masive, e ka kthyer el-Fasherin në një vend krimi, sipas zyrtarëve të OKB-së dhe vëzhguesve të pavarur. Kur një ekip humanitar arriti të hynte aty në fund të dhjetorit, gjeti një qytet pothuajse të zbrazur, me shumë pak shenja jete. Një ekip i organizatës “Mjekë pa Kufij”, që e vizitoi këtë muaj, e përshkroi qytetin si një “qytet fantazmë”, pothuajse bosh, pa banor.

Nazhat Shameem Khan, zëvendësprokurore e Prokurorisë së Gjykatës Penale Ndërkombëtare, tha se në el-Fasher janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, “si rezultat i rrethimit të qytetit nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë”.

“Pamja e atij vendi është tronditëse”, tha ajo para Këshillit të Sigurimit të OKB-së javën e kaluar, duke shtuar se “kriminalitet i organizuar dhe i përhapur gjerësisht” është përdorur “për të vendosur kontroll”.

Për shkak se el-Fasheri është i izoluar, detajet e sulmit janë ende të pakta. Duke folur për AP-në nga qyteti Tawila, rreth 70 kilometra larg kryeqytetit të rënë, Ibrahim dha një rrëfim të rrallë dhe të detajuar.

Sipas tij, posa luftëtarët hynë në qytet, hapën zjarr ndaj civilëve që përpiqeshin të iknin duke kapërcyer mure ose duke u fshehur kudo që kishin mundësinë e parë. Të tjerë u shtypën për vdekje me automjete. Kur shihte kaq shumë njerëz të vrarë, i dukej sikur po vraponte drejt vdekjes së vet.

“Ishte një ndjenjë e tmerrshme”, tha ai. “Si mund të binte el-Fasheri? A mbaroi gjithçka? Pashë njerëz që vraponin të tmerruar… Ishte si dita e kiametit”.

Forcat e Mbështetjes së Shpejtë nuk iu përgjigjën telefonatave dhe email-eve të AP-së me pyetje të detajuara për sulmin dhe dëshminë e Ibrahim. Komandanti i RSF-së, gjenerali Mohammed Hamdan Dagalo, pranoi se luftëtarët e tij kanë kryer shkelje, por kundërshtoi përmasat e mizorive të raportuara.

Para përshkallëzimit

Kur ushtria rrëzoi qeverinë civile të Sudanit me grusht shtet në vitin 2021, ajo i kishte Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) si aleatë. Këto forca rrjedhin nga milicitë famëkeqe Janjaweed.

Por shumë shpejt, ushtria dhe këto grupe u kthyen në rivalë. Deri në fund të tetorit, ata kishin luftuar ashpër për më shumë se dy vjet në Darfur, një rajon i njohur tashmë për gjenocid dhe mizori të tjera në fillim të viteve 2000.

Bastioni i fundit i ushtrisë ishte el-Fasheri, i cili kishte një pozicion strategjik. Por RSF-ja, e akuzuar nga administrata atëbotë e presidentit Joe Biden për kryerje gjenocidi në luftën aktuale, e kishte rrethuar qytetin. Ndërsa forcat paraushtarake shtrëngonin rrethimin, banorët u detyruan të grumbulloheshin në një zonë të vogël në pjesën perëndimore të qytetit.

Civilët u detyruan të hanin ushqim për kafshë, pasi ushqimet për njerëzit u mbaruan, tha Ibrahim. Familja e tij u largua pasi shtëpia e tyre u granatua në prill dhe nëna e tij u plagos. Por për shkak se kishin mbetur shumë pak punonjës shëndetësorë, Ibrahim vendosi të qëndronte dhe të punonte në Spitalin e Maternitetit Saudit, ndërsa RSF-ja po afrohej gjithnjë e më shumë.

Spitali, i financuar nga Arabia Saudite, ishte qendra e fundit mjekësore funksionale në el-Fasher.

Megjithatë, muaj të tërë granatimesh dhe sulmesh me dronë nga RSF-ja kishin detyruar shumicën e stafit të largohej, duke lënë vetëm 11 mjekë.

“Punonim turne pa fund dhe furnizimet mjekësore mbaruan krejtësisht”, tha Ibrahim.

Rreth orës 5 të mëngjesit, më 26 tetor, ai po trajtonte pacientë kur granatimet u përshkallëzuan.

Civilët që strehoheshin pranë spitalit filluan të iknin drejt një baze ushtarake aty pranë.

“Njerëzit vraponin në çdo drejtim”, tha ai. “Ishte e qartë se qyteti po binte”.

Në kërkim të shpëtimit

Rreth orës 7 të mëngjesit, ai dhe një mjek tjetër vendosën të largoheshin, duke u nisur në këmbë drejt bazës ushtarake, rreth 1.5 kilometra larg. Një orë më vonë, luftëtarët e RSF-së sulmuan spitalin, duke vrarë një infermiere dhe duke plagosur tre të tjerë. Dy ditë më pas, ata hynë sërish me forcë në spital, duke vrarë të paktën 460 persona dhe duke rrëmbyer gjashtë punonjës shëndetësorë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ibrahim dhe kolegu i tij lëviznin nga një shtëpi në tjetrën, duke kaluar pranë katër trupave të pajetë dhe shumë civilëve të plagosur, derisa arritën në një konvikt të Universitetit të el-Fasherit. Pas 30 minutash, artileria e RSF-së filloi të bombardonte zonën.

I ndarë nga kolegu, Ibrahim vrapoi përmes një hapësire të hapur, ku, siç tha ai, “çdo gjë mund të të ndodhte - një sulm me dron, një automjet që të shtypte, ose luftëtarë të RSF-së që të ndiqnin”.

Ai u zhvendos nga një ndërtesë në tjetrën drejt një konvikti tjetër. I fshehur brenda një depoje bosh uji, ai dëgjoi britmat e njerëzve që ndiqeshin nga persona të armatosur, mes dy orësh bombardimesh të pandërprera.

Kur granatimet u zbutën, ai u drejtua për te fakulteti i mjekësisë i universitetit, duke kaluar nga një çati në tjetrën për të mos u vënë re. Pas shkollës mjekësore, gjeti një mur të thyer pranë morgut dhe u fsheh aty për gati një orë. Në atë kohë ishte mesditë dhe luftëtarët e RSF-së po shkatërronin qytetin.
Ibrahim kaloi pranë 25 deri në 30 trupave të tjerë të pajetë, përpara se të arrinte më në fund në bazën ushtarake rreth orës 4 pasdite, ku u ribashkua me kolegun e tij.

Mijëra njerëz, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar, ishin strehuar aty. Shumë prej tyre qëndronin në hendeqe; dhjetëra ishin të plagosur dhe gjakoseshin. Ibrahim përdori copa rrobash për të mbështjellë plagët dhe vendosi një fashë improvizuese në dorën e thyer të një burri, duke përdorur një këmishë si mbajtëse.

Rruga e ikjes

Rreth orës 20:00, Ibrahim, së bashku me rreth 200 persona të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë, u larguan nga baza drejt Tawilës, një qytet i mbipopulluar nga dhjetëra mijëra njerëz që po iknin nga luftimet. Rrugën e udhëhiqnin disa udhërrëfyes, nën dritën e fortë të hënës.

Sa herë që dëgjonin kamionë ose shikonin luftëtarë mbi deve në distancë, ata shtriheshin përtokë. Kur rreziku kalonte, vazhdonin rrugën.

Grupi arriti fillimisht te një hendek i ndërtuar nga militantët në periferi të el-Fasherit për të forcuar bllokadën. Ata ndihmuan njëri-tjetrin të ngjiteshin mbi hendekun rreth 3 metra të lartë. Por kur hasën hendekun e dytë dhe më pas të tretin, disa nuk arritën të kalonin dhe u kthyen pas. Fati i tyre mbetet i panjohur.

Te hendeku i fundit, personat që po ngjiteshin përpara Ibrahimit u qëlluan me armë. Ibrahim dhe kolegu i tij qëndruan të shtrirë brenda hendekut derisa të shtënat pushuan.

Më në fund, rreth orës 01:00 të mëngjesit, ata dolën dhe vazhduan në errësirë. Pesë persona nga grupi mbetën të vrarë dhe shumë të tjerë u plagosën.

“Ju jeni mjekë. Ju keni para”

Të mbijetuarit ecën për orë të tëra drejt Tawilës. Rreth mesditës së 27 tetorit, ata u ndaluan nga luftëtarë të RSF-së që lëviznin me motorë dhe kamionë të armatosur.

Militantët i rrethuan dhe qëlluan për vdekje dy burra, ndërsa mjekët dhe disa të tjerë i morën rob. Ibrahim, kolegu i tij dhe tre persona të tjerë u ndanë nga grupi, u lidhën me zinxhirë pas motorëve dhe u detyruan të vraponin pas tyre.

Në një fshat të kontrolluar nga RSF-ja, robërit u lidhën pas pemëve dhe u morën në pyetje. Fillimisht, Ibrahim dhe shoku i tij u shtirën si civilë të zakonshëm.

“Nuk doja t’u tregoja se isha mjek, sepse ata i shfrytëzonin mjekët,” tha ai. “Por shoku im pranoi që ishte mjek, ndaj u detyrova ta pranoja edhe unë”.

Atë mbrëmje, luftëtarët u takuan me komandantin e tyre, gjeneral brigade Al-Fateh Abdulla Idris, i cili është identifikuar në video duke ekzekutuar robër të paarmatosur.

Ibrahimi dhe kolegu i tij u nxorën përpara, ende të lidhur me zinxhirë, dhe më pas u kthyen në fshat, ku luftëtarët kërkuan shpërblim për lirimin e tyre.

“Ata thanë: ‘Ju jeni mjekë. Ju keni para. Organizatat ju japin shumë para’,” tregoi Ibrahim.

Militantët u dhanë një telefon për të telefonuar familjet dhe për të kërkuar shpërblimin. Fillimisht kërkuan 20 mijë dollarë për secilin. Ibrahim u trondit aq shumë nga shuma sa qeshi, dhe për këtë u rrah me kondakët e pushkëve.

“E gjithë familja ime nuk i ka ato para”,  u tha ai.

Pas orësh të tëra dhune, militantët e pyetën sa para mund të siguronte. “Kur u ofrova 500 dollarë, filluan të më rrahin përsëri”, tha ai. “Thanë se do të na vrisnin”.

Pastaj u kthyen te shoku i tij, duke përsëritur kërcënimet dhe rrahjet.

Sipas Ibrahimit, kolegu i tij më në fund pranoi shumën 8 mijë dollarë për secilin, një shifër marramendëse në një vend ku paga mesatare mujore është 30 deri në 50 dollarë.

“Gati sa nuk e godita”, tha Ibrahim. “Nuk besoja që do të na lironin”.

Pa pasur zgjedhje tjetër, Ibrahim telefonoi familjen. Pasi paratë u transferuan, luftëtarët i ndanë mjekët dhe i mbajtën me sy të lidhur. Më pas i hipën në automjete të mbushura me luftëtarë, të cilët u thanë se po i çonin në Tawila.

Në vend të kësaj, i lanë në një zonë të kontrolluar nga RSF-ja, duke i lënë me frikën se mund të kapeshin sërish. Sa herë që shihnin luftëtarë, fshiheshin mes shkurreve. Pas rreth një ore dolën dhe panë gjurmë karrocash të tërhequra nga kuajt, të cilat filluan t’i ndiqnin.

Të gjallë, por të përndjekur nga trauma

Tri orë më vonë, panë flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Sudanit – fraksioni Abdul Wahid, një grup rebel që nuk ishte i përfshirë në luftimet mes RSF-së dhe ushtrisë qeveritare.

Rebelët i lejuan të hynin. Aty u pritën nga një ekip i Shoqatës së Mjekëve Sudanezë-Amerikanë, që ofron ndihmë për të larguarit nga el-Fasheri, dhe më pas vazhduan rrugën.

Kur më në fund mbërritën në Tawila, Ibrahim u ribashkua me të mbijetuarit, përfshirë një tjetër mjek nga spitali. Ky i fundit i tha se kishte parë një video në Facebook që tregonte kapjen e mjekëve dhe ishte i bindur se ata ishin vrarë.

“Ai më përqafoi dhe të dy qamë”, tha Ibrahim. “Nuk mund ta besonte që isha ende gjallë. Ishte një mrekulli”.