Kremlini ka thënë të hënën se asnjë sanksion nuk do ta detyrojë Rusinë të ndryshojë kursin ndaj Ukrainës.
Reagimi vjen vetëm disa orë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian njoftuan se po shqyrtonin sanksione shtesë.
Perëndimi ka vendosur një numër të madh sanksionesh ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë që ka nisur më 2022 dhe aneksimit të Krimesë në vitin 2014, në një përpjekje për të fundosur ekonominë ruse prej 2.2 trilionë dollarësh dhe për të minuar mbështetjen për presidentin, Vladimir Putin.
Putini thotë se ekonomia ruse, e cila është rritur më shpejt se ajo e vendeve të G7-s ka duruar mirë dhe ai ka urdhëruar bizneset dhe zyrtarët të sfidojnë sanksionet në çdo mënyrë që munden.
"Asnjë sanksion nuk do të jetë në gjendje ta detyrojë Federatën Ruse të ndryshojë qëndrimin për të cilin presidenti ynë ka folur vazhdimisht", i ka thënë Peskov gazetarit të Kremlinit, Alexander Yunashev.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë të dielën se është gati të kalojë në një fazë të dytë të sanksionimit të Rusisë.
Ndërkohë, përgatitja e Bashkimit Evropian për sanksione të reja kundër Rusisë po koordinohet ngushtë me Shtetet e Bashkuara, ka thënë të hënën presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa.
E Peskov ka thënë se Evropa dhe Ukraina po bëjnë gjithçka që munden për të tërhequr Shtetet e Bashkuara në orbitën e tyre.
Ai ka shtuar se preferenca e Kremlinit ishte të zgjidhte konfliktin me mjete diplomatike, por nëse kjo do të ishte e pamundur, atëherë ajo që Putini e quan "operacion special ushtarak" do të vazhdojë.
Ekonomia e Rusisë është rritur me 4.1% në vitin 2023 dhe 4.3% në vitin 2024, pavarësisht rundeve të shumta të sanksioneve perëndimore të vendosura pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, por ajo po ngadalësohet ndjeshëm këtë vit si pasojë e normave të larta të interesit.